Zbulohen per here te pare hile ne shah

Zbulohen per here te pare hile ne shah
Federata Franceze e Shahut pezulloi tre prej shahistëve më të mirë të vendit, për dhunimin e etikës së sportit nëpërmjet përdorimit të një sistemi të sofistikuar hileje, gjatë Olimpiadës së Siberisë, në shtator 2010. Treshja përdori një skemë të padëgjuar më parë, e cila përfshinte ndihmën e një software të zhvilluar kompiuterik, kombinuar me tekstet në celular. Sipas Federatës Franceze, kur njëri prej të treve ulej për të luajtur, kolegu ulej përpara një kompiuteri portabël, ku ishte instaluar një program kompiuterik, në gjendje për të treguar lëvizjen më të mirë të mundshme për lojtarin. Pasi ai shihte lëvizjen më të mirë të mundshme, i niste një mesazh të koduar kolegut të tretë, që nga ana e tij ulej në një tavolinë përpara shokut që po luante.

Të tre kishin vendosur më parë se çdo vend ku do të ulej kolegu përkthehej me një lëvizje, kështu që duke parë se ku shkonte shoku, shahisti në lojë mund të bënte lëvizjen më të mirë. ”Ka patur edhe më parë dyshime për hile në sportin e shahut, disa herë janë përfolur edhe ndër lojtarët më të mirë, por kjo është hera e parë që ekziston një provë”, deklaroi Presidenti i Federatës, Laurent Verat. Tre lojtarët e përfshirë në këtë skandal quhen Sebastian Feller, Cyril Marzolo dhe kapiteni i skuadrës franceze të shahut, Arnaud Hauchard.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama