Ankthi mbizotëron në kampin bardhekuq. Orët pasuese janë vendimtare për zbardhjen e vendimit për hetimet e nisura nga UEFA për çështjen "Skënderbeu". Dy ditë pas përfundimit të seancës së fundit dëgjimore që u zhvillua në Zvicër, gazeta "Panorama Sport" ka zbuluar fakte të reja në lidhje me dëshmitë e dhëna nga korçarët.
Burime të sigurta bënë me dije se drejtuesit e Komisionit Disiplinor të UEFA-s ishin ndalur më së shumti në hetimin e fakteve të mbledhura për ndeshjet e Europa Ligës, më konkretisht ato të zhvilluara në fazën e grupeve kundër Sportingut të Lisbonës e mbyllur 5-1 dhe ajo ndaj Lokomotivës së Moskës që përfundoi 0-3. Është vënë pikërisht te këto dy sfida fokusi i emisarëve të UEFA-s në këtë seancë, e cila zgjati disa orë.
Pyetjet
Gazeta mëson se zyrtarët e institucionit më të lartë të futbollit europian kanë kërkuar shpjegim për vendosjen e gabuar të ekipit në fushë në disa momente të caktuara. Pyetjet për të pranishmit në këtë seancë u janë referuar se përse një mbrojtës nuk ishte në pozicionin e tij në një episod të caktuar, kanë kërkuar përgjigje për një faull apo penallti të shkaktuar. Jo vetëm kaq, pasi janë ndalur edhe te kartonët e marrë (siç është rasti i kartonit të kuq që mori Hamdi Salihi në ndeshjen kundër portugezëve të Sportingut). Për të gjitha këto UEFA ka kërkuar një përgjigje nga drejtuesit e klubit të Skënderbeut. Këta të fundit janë munduar që të japin versionin e tyre për secilin rast, duke mbrojtur me forcë pretendimet e tyre. Të pranishmit në këtë dëgjimore kanë shpjeguar çdo episod që u është kërkuar nga zyrtarët e Komisionit të UEFA-s.
Vendimi
Nga ana tjetër, përpos fakteve të paraqitura nga klubi i Skënderbeut, seanca dëgjimore sipas drejtuesve të klubit bardhekuq ka kaluar e qetë dhe mund të quhet e suksesshme, ndërsa tani mbetet vetëm të merret vesh vendimi që do të marrë UEFA në lidhje me këtë hetim. Në Korçë janë duke e pritur me ankth, teksa pritshmëria për një vendim pozitiv është e madhe. Në klubin bardhekuq për momentin nuk ka asnjë prononcim, pasi ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi që do të japë UEFA për këtë çështje. Në rrugë zyrtare për gazetën klubi i Skënderbeut bën me dije vetëm se është në pritje të përgjigjes që do të dërgojë UEFA. Sakaq, sqarojnë se u është thënë se vendimi që do të marrë ky komision do t'u niset me "e-mail".
Llazi Saro