Zbulohen radiogramet roli i Alise ne masakren e Tivarit

Zbulohen radiogramet, roli i Alise ne masakren e Tivarit
Sipas dokumenteve, në mars të 1945-s, Ramizi ndodhej në Kosovë në krye të Divizionit V

Atëherë kur të gjithë menduan se e keqja ishte shporrur, kur shqiptarët më në fund do të ishin të lirë, atëherë do të ndodhte dhe një nga tragjeditë më të mëdha në Ballkan: masakra e Tivarit. Kanë kaluar 67 vjet që nga ajo pranverë e ftohtë, kur mijëra shqiptarë nga Kosova do të gjenin vdekjen, rrugës për në frontin e Perëndimit, ku gjoja do të luftonin krah Ushtrisë Jugosllave për çlirimin nga gjermanët. Një ngjarje e hidhur, e cila ende nuk është zbardhur deri në fund. “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” është libri i historianit Uran Butka, i mbështetur financiarisht nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që tenton t’i japë përgjigje pikëpyetjes që prej dekadash rri mbi këtë ngjarje. Ndonëse kanë kaluar kaq shumë vite, ende nuk dihet numri i saktë i shqiptarëve që humbën jetën në këtë masakër, megjithatë, mbi bazë të përllogaritjeve, duke u mbështetur në dokumente tashmë publike, numri i viktimave, i atyre që u zunë në pusinë e Tivarit dhe të pushkatuar e të vdekur gjatë rrugës, shkon nga 2947-3447. Por, mbi të gjitha nuk janë zbuluar arsyet pse.

“Masakra e Tivarit, apo më gjerë, tragjedia e Tivarit, është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa, kryer ndaj shqiptarëve. Ky libër është një sprovë për të ndriçuar këtë masakër me përmasa ballkanike, jo vetëm për të zbuluar të vërtetën, po edhe sepse akti i parë i kësaj tragjedie, ku u masakruan dhe u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, u luajt brenda territorit të Shqipërisë”, thotë autori Uran Butka në librin e tij, i cili tashmë i është shtuar vitrinës së librit. Në faqet e tij, Butka përmes dokumenteve hedh dritë mbi rolin që ka luajtur Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë në rekrutimin e burrave të Kosovës, në propagandën që kanë bërë për t’i bindur, pastaj në çarmatosjen dhe dërgimin drejt kasaphanës, sipas planit të jugosllavëve për eliminimin e tyre.

Butka na sjell dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe jo vetëm, sipas të cilave në atë periudhë në Kosovë vepronin dy divizione shqiptare, të cilat morën pjesë në këtë aksion, si dhe në shtypjen e revoltave të “reaksionarëve” kosovarë kundër Ushtrisë jugosllave. Divizione këto, që drejtoheshin nga Ramiz Alia e Rahman Parllaku. Dokumente që përgënjeshtrojnë thëniet e Alisë, se në atë periudhë ai gjendej në Bosnjë. Për këtë arsye kemi shkëputur nga libri disa pasazhe, ku vërtetohet pikërisht prania e Alisë në Kosovë, në pranverën e 1945-s.

Pjesë nga libri

Përgatitja e masakrës së Tivarit

Pasi u vendos regjimi ushtarak në Kosovë, u bë mobilizimi i dhunshëm ushtarak. U rekrutuan thuajse 50 mijë shqiptarë, kryesisht të moshës së re. Urdhrin për mobilizimin e shqiptarëve dhe dërgimin e tyre për plotësimin e armatave të Ushtrisë jugosllave, e dha Shtabi Suprem i Armatës Jugosllave.

Mobilizimi u krye nën drejtimin e Shtabit Operativ të Kosmetit dhe u shoqërua me masa të rrepta policore, si marrja me dhunë, burgosja apo ekzekutimi përpara familjeve, kur shqiptarët nuk pranonin. U arratisën me qindra shqiptarë të Kosovës në vende të fshehta e në male, u bashkuan me formacionet luftarake të djathta, ose kaluan kufirin për në Shqipëri e Greqi.

Lind pyetja: Përse u mobilizuan mijëra shqiptarë “për të luftuar kundër gjermanëve” (!) kur nuk ishte e nevojshme, kur ata nuk ishin ushtarë të rregullt, të stërvitur e të armatosur dhe lufta kundër trupave gjermane në Kosovë kishte përfunduar me kohë, madje dhe në Jugosllavi ishte drejt përfundimit? Përse duheshin mobilizuar me mijëra rekrutë të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare dhe përse duheshin dërguar në Srem apo në bregdetin e Adriatikut?

Sipas gjithë dokumentacionit që disponojmë, ky mobilizim dhe kjo degdisje e rekrutëve shqiptarë nga Kosova kishte për qëllim largimin e meshkujve të aftë për luftë dhe eliminimin e tyre fizik, dobësimin e rezistencës shqiptare, ripushtimin e Kosovës dhe pamundësinë e të drejtës për vetëvendosje e shkëputje, premtuar nga PKJ e Titos gjatë luftës.

Sekretari i Komitetit Krahinor për Serbinë, Bllagoje Neshkoviç, duke analizuar gjendjen në Kosovë, theksonte: “Ju, në Kosovë e në Rrafshin e Dukagjinit, nuk keni njeri që nuk ka pushkë dhe këta njerëz në çdo rast mund të çohen në kryengritje… Populli nuk është me ne. Po e shohim se shqiptarët në numrin më të madh janë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare”.

Të njëjtën gjë konstatonte dhe Azem Hajdini.

“Dërgimi i një numri kaq të madh të rekrutëve shqiptarë nga Kosova dhe Metohija për plotësimin e qendrave të njësive ushtarake jashtë Kosovës, duhej kuptuar si nevojë për izolimin e tyre, si masë preventive për pengimin e kryengritjes dhe të aksioneve që krerët e tyre parashihnin t’i ndërmerrnin gjatë pranverës së ardhme”.

Me vendosjen e administrimit ushtarak në Kosovë, Jugosllavia po përgatitej ushtarakisht dhe politikisht, por edhe me ndihmën e politikës antikombëtare të qeverisë së Tiranës dhe të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ta riokuponte Kosovën. Kjo gjë kishte hasur në reagimin luftarak dhe qëndresën e forcave kombëtare të Kosovës. Për ta shfryrë këtë rrezik kundërshtues, qarqet politike dhe ushtarake të Jugosllavisë hapën “valvulet” për ta nxjerrë jashtë Kosovës dhe për të likuiduar pjesën më të re dhe më të aftë për luftë të popullsisë së saj, sipas një skenari të parapërgatitur…

Natyrisht, mobilizimi i rekrutëve të rinj për në Frontin e Adriatikut nuk do të ishte arritur nga ana e autoriteteve ushtarake, po të mos përdorej, veç dhunës, edhe propaganda, edhe mashtrimi. Pas humbjeve tragjike me Brigadën VII kosovare, shqiptarët nuk mund të gënjeheshin për së dyti se do të mobilizoheshin për të luftuar në front kundër gjermanëve. U përdor një taktikë tjetër, që gjithsesi zuri vend dhe u besua: “Të mobilizuarit do të shkojnë në Shqipëri, se i ka thirr Enver Hoxha”.

“Më vonë është bërë tradhtia e dytë, thuhet në proklamatën e shtabit të LLTSH. U përpoqën që prapë të tubonin ushtarë me vullnet, por me vullnet askush nuk u shkoi, sepse populli ishte djegur një herë. Tashti u thanë ndryshe: “Këta ushtarë do të shkojnë për në Shqipëri, po i kërkon Enver Hoxha”. Ia goditën telin. Kosovarët e pafat janë të gatshëm që për Shqipërinë të japin çdo gjë, edhe jetën, edhe për këtë u ngutën në brigada me armët e veta. Por tradhtia nuk vonoi, doli në shesh pas disa ditësh. Ua morën pushkët dhe i hodhën pas telave, në kazermat e Prizrenit, të cilat i kthyen në llogore të koncentrimit, më të ndyra se ato të kohës së okupimit fashist. Pas disa ditësh i zgjodhën dhe i therën në mënyrën më gjakësore njerëzit më të mirë, të etiketuar “elementë reaksionarë fashistë”. Pasi shumica mori tuberkulozin dhe sëmundje të tjera nga betoni i ftohtë i kazermave, i nisën në drejtim të panjohur”.

Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga Ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin me mirëbesim tek brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, e kanë komandat e këtyre divizioneve e brigadave të Ushtrisë shqiptare, që ishin nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme Jugosllave. Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivore, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat (eshalonet) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945. Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë që do të dërgoheshin në Tivar, është evident dhe i dokumentuar.

Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim.

Nr.91 datë 3.03.1045
Komandës së Përgjithshme

Simbas urdhrit të Komandës së Përgjithshme Jugosllave, përcjellë me anë të Korpusit II Jugosllav, forcat e Divizionit tonë po lëvizin në drejtim të Novi Pazar-Rashka-Mitrovicë. Lëvizja do të fillojë më datë 7.03.1945 në mëngjes. Për lëvizjen e forcave tona u mor vesh me mjekët dhe ramë dakord, meqenëse në lëvizjen tonë jemi marrë vesh dhe me Divizionin VI, i cili do të vendoset në Vuçiternë e rrethe.

Nga Divizioni V
Ramiz–Rahman
(AQSH, F.206/APL v. 1945)

Pra, është i pavërtetë pohimi i Ramiz Alisë se “koha kur ka ndodhur masakra e Tivarit, unë kam qenë në Bosnjë” (intervistë 2010). Këtë gjë e përforcon dhe dokumenti tjetër, radiogrami i datës 17.03.1945, firmosur nga Ramiz Alia dhe Rahman Parllaku dhe drejtuar Komandës së Përgjithshme të Shqipërisë:

Nr. 96
Divizioni V
17.03.1945

Komandës së Përgjithshme

Në lëvizjen tonë, të tria brigadat janë vendosur në këto vende: Brigada III në katundet afër Mitrovicës, në jug e në jugperëndim të qytetit. Brigada V prej Rashke e ndër katundet rrëzë lumit të Banderinës Rbovaç. Brigada XXV është vendosur prej katundit Zubeçe gjatë lumit Banderinë Pridverica zonë e Stara Koloshinit. Shtabi i Divizionit në Mitrovicë.

Ramiz – Rahman
(AQSH, F.206/AP)

Ishte pikërisht koha e mobilizimit të rekrutëve shqiptarë në Mitrovicë e rrethe, në Ferizaj e Gjilan, ku u vendosën brigadat e Divizionit V dhe në Vuçiternë e rrethe, ku u vendosën brigadat e Divizionit VI, të cilat bashkëpunuan me Shtabin Operativ të Kosovës dhe Divizionin e 52-të serb për rekrutimin apo dorëzimin e shqiptarëve në brigadat jugosllave për t’i duruar ato në frontin e Perëndimit.

Po t’i këqyrësh listat e rekrutëve të dorëzuar shqiptarë nga komanda e Divizionit V tek komanda jugosllave, rezulton se shumica e tyre ishin nga Mitrovica, Skënderaj, Vuçiterna, Podujeva, Peja, Gjilani, Ferizaj etj., rajone të okupuara nga divizionet e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë.

Në raportin e gjatë që komisari politik, Ramiz Alia, i dërgonte nga Mitrovica, më 20 mars 1945, Komitetit Qendror të PKSH, ndër të tjera lexojmë:

“Ndër partizanët tanë vazhdon të punohet mjaft për vëllazërimin mes popullit shqiptar dhe jugosllav, për Ushtrinë jugosllave… Nji randsi e madhe u asht dhanë në këto kohë sidomos grupeve teatrale dhe koreve. Në çdo brigadë asht krijue nga nji grup teatral e koral, i cili jep vazhdimisht shfaqje teatrale për forcat tona ose për popullin. Grupin teatral jemi duke e përdorur mjaft, sidomos këndej në Kosovë për shfaqje popullit, kështu tue e përdor si një mjet për agjitacion. Janë dhënë disa shfaqje teatrale për popullin e disa qyteteve këtej, ndër të cilat shfaqje asht paraqitun gjithnji mënyra se qysh po vëllazërohen dy popujt, shqiptar e jugosllav. Rezultatet kanë qenë mjaft të mira… Divizioni ynë nuk ka pasur kohët e fundit asnjë veprim ushtarak, por ma tepër asht kufizue me nji punë të gjanë ushtarake  me anë konferencash dhe manovrash të ndryshme… Tani, pranë shtabit të divizionit na ka ardhur një shok i dërguar nga Komanda e Përgjithshme Jugosllave, i cili po na udhëzon mbi mënyrat e organizimit të ushtrisë… Divizioni ynë asht mjaft i zhveshun, kaq sa të gjithë oficerët pa përjashtim janë me opinga lope. Po shpresojmë se do të na vijë diçka nga ana e shtabit jugosllav… Siç e dini, kemi pasur deri afër 500 të sëmurë nga tifoja e morrit… Nga fundi i muajit shkurt kemi pasur të vdekur nga tifoja dy anëtarë partie nga Brigada V, të cilët janë Hysni Muka, Gani Arifi dhe Mushak Kavnja, komisar i komp. të Brig. XXV…”. (AQSH, Fondi 14/AP v. 1945)

Kuptohet shumë qartë nga ky raport se Ushtria shqiptare në Kosovë përdorej nga Armata Jugosllave për të bërë propagandë dhe agjitacion politik në favor të politikës djallëzore të “Bashkim-vëllazërimit”, në ndihmesë të pushtetit e të Ushtrisë jugosllave, si edhe të asgjësimit të rezistencës shqiptare….
Po për ç’motiv bëhej gjithë kjo lojë dhe kujt i shërbente?

E shpjegon vetë komisari politik, Ramiz Alia, në këtë raport:

“Siç e keni marrë vesh edhe ju, këtu në Kosovë, përpara se të vinin forcat e Divizionit tonë, u ba një lëvizje bandash reaksionare kundër lëvizjes dhe pushtetit jugosllav. Kjo lëvizje ka qenë e gjanë dhe ka përfshi në gjirin e saj nji pjesë të mirë burrash (afro 7000-8000 burra të armatosur). Lëvizja e këtyre reaksionarëve u shua disi nga veprimi i disa brigadave të Kosmetit dhe i disa brigadave jugosllave të ardhura për këtë punë. Tashi gjenden akoma grupe të vogla bandash nga 20-30 vetë nji grup…”…
Tashmë ishte detyra e divizioneve të ushtrisë shqiptare që të asgjësonin këta krerë të “bandave reaksionare”, nëpërmjet propagandës, forcës së armëve dhe dorëzimit tek ushtria jugosllave.

“Paraqitja e divizionit tonë në këto zona ka ngritur moralin e popullit, i cili ka një farë besimi tek ne dhe shohim menjëherë se brenda 3-4 ditëve u dorëzuan në Brigadën III tonën afro 30 elementë të arratisun”, raportonte Ramiz Alia nga Mitrovica.

E konfirmon këtë qëndrim edhe komandanti i Divizionit V, Rahman Parllaku, në raportin e datës 21.03.1945 nga Mitrovica:

“Reaksionarët me parullat e tyre kishin mund të mobilizonin popullin e ta çonin në luftë kundër forcave ushtarake të Kosmetit. Parrulat e tyre ishin: luftë kundër serbëve dhe të bashkohemi me Shqipërinë”.

Zëvendëskomisari politik i Divizionit V, Reiz Malile, në raportin e tij të datës 23.03.1945, rrëfente dashur pa dashur se “reaksionarët” e Kosovës ishin ngritur kundër pushtetit ushtarak jugosllav nga shkaku i krimeve që bënin forcat ushtarake serbo-malazeze ndaj popullit të Kosovës. “Partizanët serbë e malazezë, ndonëse me iniciativën e tyre, kanë kryer vepra jo të mira. Kanë vrarë popull pa kriter… Vrasjet e pushkatimet janë kryer kaq mizorisht, saqë janë marrë fëmijët e vegjël dhe pa menduar, janë vrarë duke i lënë gjithashtu mbi tokë të pavarrosur. Nga partizanët janë grabitur shtëpi, janë grabitur sende të ndryshme si unaza, rroba grash etj. Një gjë e tillë e ka revoltuar shumë popullin, i cili ka fituar një urrejtje të madhe karshi tyre.. Para një situate të tillë ia nisëm punës për forcimin e pushtetit dhe njëkohësisht të vëllazërimit”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama