Kukësi godet në merkato. Verilindorët "blindojnë" qendrën e mbrojtjes, duke rikthyer Gentjan Muçën. Drejtuesit dje kanë mbyllur zyrtarisht marrëveshjen me homologët e Tiranës, por edhe me vetë lojtarin, i cili do të japë kontributin e tij për kuksianët në ndeshjet e Ligës e Europës. Është ky pakti i arritur mes palëve, pasi sikundër sqaron vetë klubi bardheblu, Muça do të rikthehet në kryeqytet, pasi është nën kontratë edhe për dy vitet e ardhshme.
Drejtuesit e Kukësit e kanë cilësuar të domosdoshëm afrimin e mbrojtësit shtatlartë, i cili mund të luajë më së miri edhe në rolin e shkatërruesit. Tirana mbeti jashtë Europës, ndaj ka shfaqur gatishmërinë që të ndihmojë Kukësin, duke i dhënë hua një prej elementëve më të rëndësishëm që ata kanë.
Akordi financiar
"Panorama Sport" zbardh edhe akordin financiar mes lojtarit dhe Kukësit. Drejtuesit e kanë "joshur" futbollistin me parà, por edhe bonuse. Rroga që do të marrë për krejt kompeticionet europiane shkon në 3 mijë euro, megjithatë përfitimet më të mëdha qendërmbrojtësi shtatlartë do t'i ketë nëse Kukësi do shkojë larg në Europë.
Në rast se verilindorët kalojnë turin e parë, atëherë në llogarinë e lojtarit do të shtohen 3 mijë euro të tjera. Por, nëse kualifikohen edhe në turin e dytë, atëherë do të marrë dyfish, pra 6 mijë euro. E thënë ndryshe, nëse Kukësi kalon dy raunde, atëherë Muça në total do të përfitojë 9 mijë euro ekstra.
Rikthimi pas dënimit
Gentjan Muça e mbylli sezonin mes "zhurmës". Kujtojmë që thirrjet e tij në derbi u shoqëruan me një vendim të ashpër nga Komisioni i Disiplinës që e pezulloi me një vit nga aktiviteti. Pas ankimimit të bërë nga vetë lojtari, Apeli bëri një ulje drastike të masës dhe nga dy vite ai u dënua vetëm me 6 javë, dy prej të cilave i shleu, ndërsa 4 të tjera do të duhet t'i likuidojë sezonin e ri. Megjithatë, ky dënim nuk e penalizon për Europën, pasi vlen vetëm në Shqipëri, ndaj pritet që ai të vihet direkt nën urdhrat e Hasan Likës.
Skerdilaid Sulozeqi