Zbulohet avullorja Firence ne Vlore

Zbulohet avullorja Firence ne Vlore
Në 30 metra thellësi zbulohet anija italiane e mbytur nga grekët në Luftën e Dytë Botërore. Është identifikuar dhe eksploruar më datë 27 shtator 2012, relikja e avullores (anije me avull) italiane Firence, e mbytur nga një nëndetëse greke, në 24 dhjetorin e vitit 1940, në afërsi të Vlorës e që mbante në bord 996 ushtarë që asokohe i drejtoheshin frontit shqiptar.

Zbulimi, i realizuar nga Igli Pustina, drejtues i shoqërisë BLUSUB Tirana ( shkollë për sportet e zhytjes) dhe një njohës i thellë i ujërave të Shqipërisë, është fryt i një pune kërkuese që ka zgjatur vite të tëra e që është finalizuar me një hartë të dhjetëra relikeve të luftës së 1-rë dhe të 2-të botërore që prehen në Adriatikun jugor.

Gjetja, ka një vlerë historike, veçanërisht të rëndësishme për historinë e anijes, edhe për pozicionin gjeografik në të cilin është gjetur: rreth 25 milje detare në largësi të pikës së supozuar të mbytjes (ashtu siç shkruhet në raportin e humbjes së asaj kohe).

Ka qenë pikërisht kjo diferencë shumë e madhe e pozicionit, që e bënte këtë piroskaf “të pagjetshëm” për gati 70 vjet që kanë kaluar nga mbytja e tij, deri para pak ditësh mendohej që ai prehej në një bazë prej 400 metrash thellësi, gjë që do ta bënte të paarritshëm për zhytësit, kur përkundrazi në të vërtetë, për arsye që ende duhen qartësuar, anija gjendej ne një thellësi pak më shumë se 30 metra.

“Avullorja Firenze” – ka deklaruar Pustina, zhytësi që e ka identifikuar – “është një nga anijet më të rëndësishme mes atyre që janë mbytur në ujërat shqiptare, dhe vendndodhja e tij u bë veçanërisht e vështirë prej koordinatave të gabuara të dhëna më parë nga anijet që i dhanë ndihmën e parë dhe shpëtuan të mbijetuarit. Për identifikimin e tij të sigurt, duke parë papërthueshmërinë e koordinatave, nuk ka qenë e mjaftueshme të bazoheshim mbi kritere të përgjithshme, gjë që bëhet shpesh, si dimensionet, forma dhe lloji i mbytjes, por ka qenë e nevojshme të mbështetemi mbi elemente më specifikë që për Firencen ishin dy kambana në bord në të cilat ndodhej e gdhendur emri i kryeqytetit toskan”.

Avullorja ishte ndërtuar në vitin 1912 nga shoqëria “Esercizio Bacini di Riva Trigosio” në Liguria dhe ishte lyer nga i njëjti kantier më 8 gusht në të njëjtin vit.

Një veçanti vërtetohet nga fakti që në kohën e lyerjes (vajosjes)  emri i saj ishte Roma, ndërkohë emri Firence iu dha vetëm në vitin 1925, duke pasur parasysh që “Firence” e vërtetë, një avullore binjake, e cila ishte mbytur rreth 10 vite më parë në afërsi të Sirakuzës (ky fakt i veçantë doli në dritë edhe nga analizimi që iu bë kambanës së bashit të anijes e cila ka ende gjurmë nga emri i mëparshëm).

Anija me avull Firence ishte e gjatë 110 metra dhe e gjerë 11,6 me një forcë shtytëse 7,5 metra me një peshë të përafërt prej 3952 tonelatash, shtytja u besohej 2 makinerive me shtytje të trefishtë nga 454 Hp që e shtynin me një shpejtësi prej 13,5 nyjash.Në vigjiljen e Krishtlindjeve, 24 dhjetorin e vitit 1940, në orën 1 të mëngjesit, Firence u nis nga Brindisi bashkë me anije të tjera që i shërbenin si eskortë, drejtohej për në Vlorë, transportonte njerëz dhe materiale, ushtarë dhe automjete të destinuar për në frontin greko-shqiptar, në total 996 ushtarë.

Pak pas orës 13.00 anija u shkund nga një shpërthim shumë i fortë, u anua menjëherë nga një krah dhe filloi pashmangshmërisht të zhytej, dhe komandantit nuk i mbeti gjë tjetër veçse të urdhëronte braktisjen e anijes. U arrit shpëtimi tërësisht i 903 të mbijetuarve, të transferuar në anijet e eskortës mbi anijen spital “Gradisca që ndodhej në atë zonë. Që prej asaj kohe, Firence ka qëndruar i pashqetësuar për 72 vjet, në një vijë lundrimi, e rehatuar pak më shumë se 30 metra thellësi në një pikë të panjohur pak më në veri të Vlorës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama