Zbulohet botimi i ndaluar i Migjenit

Zbulohet botimi i ndaluar i Migjenit
Tek shënimi letrar “Të dalim ta presim Migjenin”, Kuteli shkruan për këtë histori më vete të Milosh Gjok Nikollës (1911-1938) një shpirt i bardhë, sulmin e të cilit për drejtësi e liri nuk ja pat ndaluar as dogmatika e theologjive...: “Vetë caktoi formatin e librës, vetë zgjodhi kartën, vetë i bëri korrekturat. Ay në Shkodër, libra në Tiranë – po edhe kësilloj puna mbarohej. Ish i nxituar fort me nxjerrjen e kësaj libre, sepse ndjesija e tij, e hollë parashihte ré të zeza. Mbase edhe munt të parashihte Torre Pellice-n e Italisë, ku duhej të shuhej në Gushtin e vitit nëntë qint e tridhjet e tetë.

Të lutem fort nxitoju të më dalë libra, i pat dërguar fjalë shtypshkronjës. Ja, po të çoj edhe një pjesë të çmimit.
Paratë e siringave këto të Miloshit që duhej të bëheshin kartë e shtypur për të përhapur fjalën e tija.

Dhe përpara se të mbarohej libra (i mungonte kolla e fundit edhe kopertina!) ra nga fuqija qeverija e Mehdi Frashërit edhe vazhduan ngjarjet e Gjirokastrës. Iku lirija e shtypit si ik rrezja e djellit, kur i del përpara reja e zezë.

Dhe kësilloj nuk u dëgjua kënga e fundit e Mjellmës shqipëtare.

Vargjet e lira, të pambaruara, hynë në burgun e qilareve, ku marimangat edhe këmbë-shumjet iu bënë miq e shokë. Vetë Milosh Gjok Nikolla u nis për nj’atë rrugë të gjatë ku kemi për të vajtur – shpejt a von – e ne të gjithë.”

Asnjëherë deri më sot nuk kemi pasur një botim anastatik të këtij botimi, sepse “Vargjet e lira” të vitit 1936 të shtypura në shtypshkronjën “Gutenberg” në Tiranë mendoheshin të asgjësuara. Lajmin se një kopje e këtij botimi ndodhet në Bibliotekën Kombëtare po e japim falë drejtorit të këtij institucioni Aurel Plasari. Sipas tij, gjithnjë është menduar se ky botim nuk ekzistonte por ja që është ruajtur në fondet e Bibliotekës Kombëtare e cila dikur - për kohën ka funksionuar mirë rrjeti i shpërndarjes së botimeve - pasurohej drejtpërdrejtë edhe me kopjet e titujve që vinin nga shtypshkronjat. Në këtë mënyrë ka shpëtuar “Vargjet e lira”.

Nga një krahasim i parë që i bëmë dy botimeve, u vu re që ndërron rendi i poezive dhe botimi i ’44-ës, shtypur në shtypshkronjën “Tirana”, botonjës Ismail Mal’ Osmani, me shënimin “Ndalohet çdo ribotim e përkthim pa lejen e trashëgimtarvet”, përmban, le ta quajmë, një kapitull më shumë, të quajtur “Kangët e fundit”. Këtu bëjnë pjesë poezitë “Frymëzim i pafat”, “Një natë pa gjumë”, “Vuejtja”, “Kanga që s’kuptohet”, “Vetmija”, “Nën flamujt e melankolisë”. Tek botimi i ’36-ës nuk janë as “Hidhet e përhidhet” dhe as “Malli rinuer”, sepse janë shkruar më vonë. “Ndjesitë e mija me valët muzikore/ shkëmbejnë puthje të nxehta/ po si dy dashnorë/ e pa mëshirë shëgjeta/ më therë në krahanor/ edhe më merr malli për jetë mâ gazmore”, shkruan tek “Malli rinuer”.

Por me interes është që të theksohet se tek botimi i vitit 1936 kemi poezinë e mprehtë “Blasfemi” e cila nuk është përfshirë në botimin e vitit 1944. Është thënë se “botonjësi” Ismail Mal’ Osmani me vetëdije nuk e botoi për shkak të toneve të thekura blasfemuese, ashtu siç e thotë që në titull, “Blasfemi” autori i “Vargjeve të lira” i “Novelave të veriut”, më i etiketuari autor shqiptar nga leximet me lenten e sistemeve, si poet i mjerimit, niçean, turbekular, revolucionar, komunist etj.

“Xhamijat dhe kishat madhështore ndër vende
t’ona të mjerueme...
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpija/
t’ona përdhecke
Zâni i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme...
O pikturë ideale, e vjetër njëmijë vjeçe!
Notojnë xhamijat dhe kishat nepër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrohen me zânin e kasnecit
Shkëlqen shejtnija mbi zhguna dhe ndër mjekrra të hoxhallarëve.
O sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit...” Janë vargje nga “Blasfemi”

Qysh më 1928 në kushtetutën e Shqipërisë njihet liria e besimit dhe e praktikimit të tyre. Edhe në kushtetutën e korrigjuar më 1939, njihet mbrojtja me ligj dhe respektimi i të gjitha feve.

“Blasfemi” është poezia e ndaluar dy herë nga qarkullimi, më 1936 dhe më 1944.

Botimi i ’36 është i çmuar edhe për kushtet e vështira ku ndodhej poeti. Kutelipërshkruan: “Asohere s’kish dalë në botë editori shqipëtar. Sidoqoftë për Migjenin, jo. Duhej pra që vetë autori të jepte paratë e shtypjes. Edhe këtë e bëri poeti. Ish asohere mësonjës në Pukë. Pra nëpunës, me rrogë të ultë që e merrte, si pas mënyrave të ahershme, në dy-tre muaj një herë. Së këndejmi këputi paradhënjen e dërguar me dorë miku shtypëshkronjës. Të hollat e tija: kursimet e bukës e të ilaçeve që i duheshin aqe fort një trupi të sëmurë!

Kjo ngjiste më 1936.”

Më 26 gusht 1938, poeti dha shpirt pasi vuajti e hoqi shumë në shtratin e vdekjes, në sanatoriumin e Torre Pellice-s. Ishte vetëm 27 vjeç, por asnjë autor tjetër nuk do të kishte ndikiminqë pati vepra e tij për më tepër post mortem.

Në shtatëdhjetëvjetorin e vdekjes dhe në nëntëdhjetëepesën e lindjes, ne nuk kemi të botuar veprën e parë poetike, atë të ndaluarën, të censuruarën, ashtu siç e ka lënë poeti me dorën e tij.



Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama