Njerëzit në Namibinë e veriut e kanë ujin me kursim. Të 800 mijë banorët e kësaj zone varen nga një kanal i ndërtuar 40 vjet më parë që sjell ujin e pijshëm nga Angola.
Përgjatë dekadës së fundit, qeveria e Nabimisë është përpjekur të zgjidhë problemin e mungesës së një burimi të qëndrueshëm të furnizimit me ujë në bashkëpunim me shkencëtarët nga Gjermania e vende të tjera të Bashkimit Europian. Ata tani zbuluan një liqen nëntokësor të emërtuar si Ohangvena II, i cili gjendet përgjatë kufirit me Angolën. Në anën e Namibisë, ky liqen ka afërsisht përmasat 70 me 40 kilometra. Sipas menaxherit të projektit Martin Quinger, i cili punon për institutin federal të gjeoshkencës dhe burimeve natyrore në Gjermani, ky liqen përbën një burim të rëndësishëm uji.
“Sasia e ujit aty është e barabartë me konsumin e Namibisë së veriut për 400 vjet dhe ky rajon ka rreth 40 për qind të popullatës së këtin vendi. Ne synojmë të ndërtojmë një skemë ku nga liqeni të nxirret vetëm ajo sasi uji që rifurnizohet në mënyrë që ta kthejmë në një burim të qëndrueshëm”, – tha ai.
Ky rajon varet nga dy lumenj sipërfaqësorë për furnizimin e vet me ujë. Por kjo gjë ka kufizuar zhvillimin e bujqësisë vetëm te një zonë e ngushtë përgjatë këtyre lumenjve. Quinger thotë se burimi i ri ka një potencial të madh për ta ndryshuar natyrën e bujqësisë në këtë zonë.
“Për furnizimin me ujë të zonave rurale ky përbën një zbulim të madh pasi do të kenë mundësi të vadisin dhe të rrisin bagëti,” shpjegon ai.
“Ky ujë ka 10 mijë vjet nën tokë, gjë që do të thotë se është rifurnizuar në kohët kur ndotja mjedisore nuk ka qenë ende një problem. Në përgjithësi është një burim më i pastër uji se sa ato që riciklohen çdo vit dhe që ne konsumojmë aktualisht.”
Liqeni në brendësi të tokës gjendet aktualisht në presion dhe kjo gjë do të thotë se nxjerrja në sipërfaqe do të jetë më e lehtë e më e lirë. Por mbi këtë liqen, shkencëtarët kanë zbuluar një tjetër më të vogël, i cili është me ujë të kripur. Kjo do të thotë se hapja e paautorizuar e puseve mund të sjellë përzjerje, gjë që mund ta ulë cilësinë e ujit. Martin Quinger thotë se shpimet pa kriter mund të jenë të rrezikshme.
“Nëse njerëzit nuk zbatojnë rekomandimet tona teknike për hapjen e puseve, një e çarë mund të krijohet mes dy liqeneve duke sjellë shkëmbimin e ujërave dhe duke dëmtuar burimin me ujë të ëmbël,” tha ai.
Një nga avantazhet e mëdha të këtij burimi të ri uji është se do të ndihmojë njerëzit e zonës të përballen me fluktuacionet shumëvjeçare të klimës. Ekspertët vlerësojnë se rezervuari i ri do të garantojë furnizim për deri në 15 vjet edhe në mungesë të rreshjeve.