Zbulohet ditari sekret i Merilin Monroe

Zbulohet ditari sekret i Merilin Monroe
Edhe pse ishte burim inspirimi për miliona njerëz, Merilyn Monroe mbetet dikush që i përket botës së misterit. Tani është zbuluar një arkivë sensacionale e aktores me shkrime ditari, letra dhe poema, që ne po e publikojmë (Vanity Fair). Me pjesë eskluzive nga libri “Fragmente”, autorja hyn në mendjen e një legjende: Shenja të abuzimit seksual, dhimbja e psikoterapisë, tradhtia nga bashkëshorti i saj i tretë Arthur Miller, përballja me pasqyrën e çmendurisë së saj dhe forca e madhe për ta perfeksionuar artin e saj.

Ajo ishte gjithmonë vonë për në mësim. Zakonisht arrinte pak para se të mbyllej dera. Profesoresha e saj ishte strikte dhe nuk lejonte askënd të hynte në mes të mësimit dhe aq më keq në mes të një skene. E sapo zgjuar nga gjumi, pa grim, me flokët e ndritshme që i fshinte pas një shalli, përpiqej të mos binte në sy. Ulej zakonisht në fund të klasës së aktrimit në studiot Malin të rrugës 46, midis një distrikti teatror. Kur e ngrinte dorën për të thënë diçka, fliste me një zë të hollë dhe të ulët, thuajse pa u vënë re. Megjithatë ishte e pamundur për studentët e tjerë të mos e vinin re se midis tyre ishte ulur një aktore e famshme, një yll i kinemasë.

 Disa blloqe pallatesh më poshtë poshtë teatrit Loew State në Broadway ishte Merilini tjetër, imazhi tjetër i saj. Ishte ajo që të gjithë njihnin në reklamën e Billy Wilder, 1 e 52 e gjatë, sipër një pusete, me fustanin e saj të bardhe që ngrihej nga era sipër gjunjëve dhe me fytyrën e mbushur me kënaqësi.Arkiva e letrave të ditarit të saj, poezive dhe shkrimeve të tjera tregojnë shumë për mënyrën sesi Merilyn Monroe e mendonte botën dhe jeta e saj. Problemet, tre martesat me marinsin James Dougherty, lojatrin e Yankkie Joe DiMaggio, aktorin Arthur Miller dhe misterin që rrethoi vdekjen e saj tragjike në moshën 36 vjeçare.

Pas kërkimesh të gjata shkrimtarja Anna Strasberg gjeti dy kuti me këto arkiva dhe i publikoi në librin “Fragmente”, duke kënaqur fansat e saj që janë ende shumë dhe duke i dhënë një përgjigje të gjithë armiqve të saj që kanë replikuar sa e sa histori. Të paktën tani kemi një pamje të qartë të brendësisë së mendjes së saj. “Mora një karrige dhe e përplasa….pas një xhami. Bëri goxha zhurmë. Shkova atje me copa xhami në duart e mia dhe u shtriva”, shkruan Merilin. Ajo filloi të merrte leksione private me aktorin e famshëm Lee Strasberg në Mars të 1955 e shtyrë gjithashtu nga aktori tjetër Elia Kazan.

 Kazan thoshte se Merilin ishte vajza më e bukur që kishte njohur. Nga ana e saj ajo i shkruante psikoanalistit të saj: “Besomë, Kazan njeh shumë vajza, por ai më dashuroi mua për një vit, më tërhoqi të shkoja në shtrat me të një natë kur unë isha me një humor të shkëlqyer. Ai gjithashtu më sugjeroi të bëja analiza dhe me tha të punoja me mësuesin e tij Lee Strasberg.” Ajo jetonte në hotelin Gladstone kur punonte me Strasberg dhe filloi seancat e psikoterapisë. Strasberg u kthye shpejt në një figurë prindërore për Merilin, me autoritetin dhe vendosmërinë e tij. Ai e ktheu atë nga një yll kinemaje në një artiste të vërtetë. Lee, tre psikoanalistët dhe burri i saj Arthur Miller (të cilin ajo thoshte se e donte me mish e me shpirt por nga i cili u ndie e tradhtuar), këta meshkuj ishin mbajtësit e çelësit të jetës së saj.

Në një dokument një faqe e gjysmë, Merilini shikon pas në martesën me James Dougherty, një burrë inteligjent dhe tërheqës, pesë vjet më i madh se ajo. Ata u martuan në 19 Qershor të vitit 1942 pikërisht kur ajo ishte 16 vjeçe. Ajo përshkruan për këtë periudhë, ndjenja pasigurie dhe frike. Ajo nuk u martua me të sepse gjeti gjysmën e saj por për të qenë larg jetimores dhe kujdestarëve të saj Grace dhe Erwin “Doc” Goddard.

Merilin ishte pothuajse e braktisur sepse nëna e saj Gladys Monroe Baker, ishte skizofrenike dhe kaloi shumë vite të jetës nëpër spitale psikiatrike. Kështu që Merilin u rrit nga një mike e ngushtë e nënës së saj Grace Goddard. Merilin përreth dy vjet i kaloi në jetimore. Dougherty i pëlqente që Merilin, një vajzë e ndrojtur dhe e bukur la shkollën për t’u martuar me të. Siç mund të parashikohej martesa e tyre dështoi dhe ata u divorcuan në 13 shtator 1946.

“Marrëdhënia ime me të ishte e pasigurt që në natën e parë që kalova e vetme me të. Unë isha shumë e tërhequr nga ai sepse nuk kisha eksperienca të tjera seksuale por më dha ndjesinë e rremë të sigurisë dhe mendoja se kishte shumë cilësi që unë nuk i kisha. Takimet sekrete të mesnatës, çastet e kaluara buzë detit nën shoqërinë e hënës dhe të yjeve e bënin këtë një aventurë të cilën një vajzë e re, e turpshme si unë kishte nevojë ta jetonte dhe të mos bënte atë që të tjerët prisnin” - shkruante Merilin në kujtimet e saj për këtë martesë.Kujtimet e Merilin për këtë martesë sillen rreth frikës që ajo kishte se Dougherty do të preferonte një tjetër lloj femre si Doris Ingram, Santa Barbara. Kjo e bënte Merilin të ndjehej e padobishme dhe vulnerabël ndaj burrave. “Nuk është gjë e mirë ta njohësh mirë vetveten ose të mendosh se e bën një gjë të tillë, çdokush ka nevojë për një ndërgjegje që ta mbajë para dhe pas dështimeve”, shkruante ajo.

Merilin filloi ti shkruante kujtimet e saj rreth vitit 1951, dhe shprehej se ndihej gjithmonë e vetme çfarëdolloj gjëje të ndodhte. Dy vjet më përpara e rrënuar dhe e dëshpëruar, ajo pozoi nudo për fotografin Tom Kelley për një seri kalendarësh. Më pas ajo shkroi një kontratë me Fox. Mori shumë kritika por u justifikua me faktin se pranoi ti bënte këto gjëra sepse ishte e uritur. Publiku dukej se e “fali” duke njohur dhe jetën e saj të mëparshme. Gjatë Krishtlindjeve të viti 1954 ajo jetonte në New York City. Ajo ishte shfaqur tashmë tek Niagara dhe Gentlemen Prefer Blondes, ku ajo dha imazhin perfekt të personazhit: një bionde vulgare, “budallaqe” dhe sensuale dhe tek “How to marry a millionary”, ajo arriti sukses brilant.

U martua me Joe Di Maggio në Janar të atij viti dhe pjesëmarrja e saj në filmin The Seven Year Itch shkaktoi pakënaqësi tek lojtari i famshëm i Yankee-t. Ata u divorcuan vetëm nëntë muaj pas martesës.E inkurajuar nga profesori Strasberg, Merilin filloi të shkonte tek psikanalistja Dr.Margaret Hohenberg 5 herë në javë. Profesori i saj besonte shumë se Merilin kishte nevojë për të njohur subkoshiencën e saj dhe për të biseduar për fëmijërinë e saj të vështirë, të gjitha këto për ti shërbyer artit të saj. Gjatë seancave psikanalistike Merilin filloi të kujtonte disa nga incidentet e jetës së saj, përfshirë këtu edhe një abuzim seksual.Me burrin e saj të tretë Arthur Miller, Merilin ishte njohur disa vite më përpara në Hollywood. Miller kishte cilësitë që ajo admironte më shumë: aftësitë intelektuale, artistike dhe seriozitetin e lartë. Ata u martuan në një ceremoni të thjeshtë me 29 qershor 1956, dhe Merilin u konvertua në Judaiste.Në fillim ajo ishte shumë e lumtur që po kthehej në New York me burrin e saj të ri dhe do të jetonin së bashku në apartamentin e saj të ëndrrave i kompletuar me oxhak, piano...etj.

Në ditar ajo shkruante:

“Shqetësohem shumë për Arthur! E dua shumë atë dhe ai është i vetmi person që kam njohur të cilin nuk e dua vetëm si një burrë me të cilin jam tërhequr fizikisht por ai është i vetmi person të cilit i besoj ashtu siç i besoj vetes time”.

Ata ndoshta ishin të lumtur në verën e vitit 1957, kur jetonin në një shtëpi me qera në Amagansett, ku notonin dhe bënin shëtitje të gjata buzë detit. Merilin dukej rrezatuese në fotot e bëra në këtë vend duke tërhequr kështu shumë fotografë rreth saj. Një nga fotot që i pëlqente më shumë Merilinit ishte ajo që ajo kishte dalë duke lexuar. Fotografi Eve Amold e fotografoi Merilinin për revistën Esquire me një sfond të Amagansett duke lexuar James Joyce’s Ulysses. Fotografë të tjerë e fotografuan atë për revista shumë të njohura kryesisht duke lexuar ose në bibliotekën e saj personale. Në ditarin e ri, të fundit të zbuluar të Merilinit, ajo shfaqet si një grua e re për të cilën shkrimet dhe poezia ishin rruga e jetës saj, mënyra dhe mjeti për të zbuluar kush ajo ishte dhe për të klasifikuar emocionet shpeshherë të rrëmujshme të jetës së saj. Dhe librat ishin një strehim dhe një shoqëri e mirë për Merilin derisa ajo filloi të vuante nga pagjumësia.

Një nga poezitë e pakta të ëmbla dhe emocionuese të përfshirë në arkivin e Merilin ishte për bashkëshortin e saj Miller, kur vazhdonte të ishte shumë e dashuruar me të. Kjo poezi ishte ndoshta një parandjenjë e asaj që do të ndodhte me martesën e saj.Pasi Merilin dhe Miller shkuan në Angli për katër muaj për xhirimet e filmit The Prince and the Showgirl, me Laurence Olivier, gjërat filluan të ftohen. Ata lëvizën që aty dhe shkuan në një çiflig të mrekullueshëm të quajtur Parkside House, në Surrey, jashtë Londrës. Në këtë periudhë ajo po xhironte një film të drejtuar nga aktori më i mirë i atyre kohërave dhe po jetonte në një shtëpi kaq të madhe me burrin që ajo donte kaq shumë. Merilin nuk ishte ndjerë asnjëherë më e plotësuar se kaq si një artiste, derisa u shkatërrua besimi i saj i dobët në vetvete dhe besimi tek burri i saj.Po në Parkside House Merilin shkruan në ditarin e saj se si burri i saj Miller ankohej se ishte i zhgënjyer me të dhe disa herë turpërohej para shokëve të tij kur ishte me Merilin. Ajo tashmë ishte e shkatërruar.

Frika më e madhe që ajo kishte pasur, zhgënjimi nga njeriu që ajo donte më shumë, ishte kthyer në realitet. Pas këtij zhgënjimi Merilin e kishte shumë të vështirë të punonte kështu që u kthye në New York tek Dr. Hohenberg. Ajo kishte probleme me pagjumësinë dhe besimin tek të tjerët. Gjatë qëndrimit në Parkside House Merilin shkroi një tjetër poezi para se Miller të shtrihej në krevat:


on the screen of pitch blackness
comes/reappears the shapes of monsters
my most steadfast companions …
and the world is sleeping
ah peace I need you—even a
peaceful monster.

Në 1958, Merilin u kthye në Los Angeles për të filluar punë tek “Some Like It Hot”, megjithëse me vonesat e saj kronike dhe vështirësi të tjera, kjo u bë komedia e saj më e njohur dhe e suksesshme . Ajo filloi të regjistronte poezitë në një fletore. Një nga fragmentet e shkruara nën një titull ironik është:

“After one year of analysis”:

Help help
Help
I feel life coming closer
when all I want
Is to die.
Scream—
You began and ended in air
but where was the middle?

Në pranverën e 1957 Marilin u largua nga Dr. Hohenberg dhe filloi seancat me një tjetër psikanaliste Dr. Marianne Kris, një grua vjeneze që ia sugjeroi Strasberg. Merilin do të ishte paciente e Dr. Kris deri në 1961, dhe do të vazhdonte të shkruante kujtime dhe fragmente si një analizë e vetvetes për t’ia treguar psikanalistes së saj të re. Një shënim i tillë ishte shkruar dy ditë pas 10-vjetorit të Jane, vajzës së Arthur nga martesa e tij e parë. Merilin e kishte rritur nga afër Jane dhe vëllain e saj Bobby. Ndoshta duke menduar rreth Jane, Marilini kujtoi nënën e saj, e cila e mbyllur në një spital mendor, e la Merilin me frikën që do të përfundonte njësoj si e ëma. Me rekomandim të Dr. Kris, Merilin filloi terapitë në Los Angeles me Dr. Ralph Greenson, një psikiatriste e njohur e cila kishte trajtuar shumë njerëz të famshëm si Judy Garland, Frank Sinatra, dhe pianistin Oscar Levant.

Miller e mbaroi skenarin për filmin "The Misfits" me rol qendror një grua që bie në dashuri me një burrë shumë më të madh në moshë dhe sigurisht këtu i referohej Merilinit. Gjatë xhirimeve të filmit në shkretëtirën e Nevadës, Arthur dashurohet me një fotografe filmi Inge Morath me të cilën do të martohej më vonë. Në Nëntor të 1960 Merilin dhe Arthur u divorcuan. Tre muaj më vonë, në New York, emocionalisht e lodhur dhe nën kujdesin e Dr. Krise, Marilin u shtrua në spitalin psikiatrik Payne Whitney. Ato ishin ditët më të tmerrshme të jetës së saj. Gjatë ditëve në spital Merilin firmosi me emër të rremë për të pranuar qëndrimin e saj aty por shpejt e kuptoi që ai nuk ishte një vend pushimi por një spital për të sëmurë mendor...Ditët kalonin dhe sa më shumë ajo lutej që ta nxirrnin që aty aq më shumë mjekët e trajtonin si psikotike.

E vishnin me një xhaketë shumë të ngushtë, rrobat dhe çantat ia kishin marrë , e detyronin të bënte banjo dhe e mbyllnin në dhomat e spitalit. Në Mars të 1961 Merilin shkruan një letër prej 6 faqesh për qëndrimin e saj në atë spital: "Nuk kishte ndjenja empatie në atë spital, pati një efekt goxha të rëndë tek mua. Ata më mbyllnin në qeli (qeli të vërtetë me kyçe dhe çimento), ishte një vend për pacientë vërtetë të sëmurë rëndë. Më dukej vetja sikur më kishin futur në burg për një krim që nuk e kisha kryer. Gjithçka ishte e mbyllur me çelës. Dyert ishin me xhama, në mënyrë që pacientët të ishin të dukshëm gjatë gjithë kohës".

Një psikiatër donte ti bënte një kontroll fizik, "duke përfshirë dhe kontrollin e gjoksit për gjëndra", por Merilin nuk pranoi duke i thënë se kishte bërë kontroll një muaj më parë dhe se ajo duhej të dilte që aty. Askush nuk e lejonte të bënte asnjë telefonatë. Atëherë asaj iu kujtua një skenë tek filmi" Don't Bother to knock" ku luante rolin e një babysiter me probleme. Në film ajo përplaste karrigen pas një xhami dhe merrte copat e tij në duar, këtë gjë bëri dhe në spital duke i kërcënuar të gjithë se nëse nuk e nxirrnin ajo do të lëndonte veten.

Më pas dy burra dhe dy gra e morën me forcë nga krahët dhe e detyruan të bënte një banjë tjetër me forcë, pas kësaj e çuan tek administratori i spitalit i cili i tha se ajo ishte një vajzë shumë e sëmurë, dhe kishte qenë e tillë për shumë shumë kohë. Dr. Kris që i kishte premtuar se do të shkonte ta takonte nuk e kishte mbajtur fjalën. As Lee Strasberg me të shoqen. Nuk kishte asnjë familjar që të mund të shkonte dhe ta nxirrte që andej.

Ishte vetëm Joe Di Maggio i cili hyri me forcë duke kundërshtuar doktorët, që e nxori jashtë nga ai vend. Ai dhe Merilin duket se u pajtuan atë Krishtlindje kur ai i dërgoi thuajse një "pyll" me lule. Ajo shkruan për Joe: “është dikush që kur i kujtoj emrin më vijnë ndërmend mustaqet e tij dhe fytyra e ngrohtë. Gjeje kush është? Ai është treguar në një mënyrë të fshehtë një mik shumë i mirë dhe unë e besoj me të gjitha instinktet e mia. Ishte si një dalje nga realiteti. nuk e kisha bërë më parë këtë dhe ai nuk është aspak egoist në shtrat”.

Në Nëntor të 1961 Marilin u njoh me John F. Kennedy në Santa Monica tek shtëpia e vëllait të presidentit. Menjëherë pas kësaj ajo bleu shtëpinë e saj të parë në Brentwood. Ajo aty filloi xhirimet e filmit të saj të fundit. Një skenë nga filmi i shfaqte Merilinin duke dalë nga një pishinë krejtësisht nudo dhe duke qeshur. Por ajo pati mungesa të vazhdueshme në xhirime për motive që as Strasberg nuk i mori vesh. Për këtë arsye ajo u përjashtua nga filmi i cili nuk u përfundua kurrë. 5 muaj më vonë në 5 Gusht 1962, ajo u gjet e vdekur nga një mbidozë ilaçesh në shtëpinë e saj në Brentwood. Mesa dukej ishte vetëvrarë.

Me gjithë atë çka është mundur të kuptohet dhe nxirret nga këto arkiva misteri i vdekjes së saj mbetet ende. Për ata që mendojnë se ishte vetëvrasje ka disa shenja të dobësisë emocionale të saj të përshkruara në një letër që i shkruan gruas së Strasber Paolës: "Oh Paula, do doja ta dija pse kam kaq shumë ankth. Mendoj se mos jam e çmendur si pjesëtarët e tjerë të familjes time kanë qënë. Kur isha sëmurë isha e sigurt që isha. Jam shumë e lumtur që ti je me mua këtu tani!" Për ata që mendojnë se vdekja erdhi si pasojë e mbidozës dhe përzierjes së ilaçeve me alkool ka gjithashtu përshkrime të optimizmit të saj. Se ajo mendonte se po i zgjidhte të gjitha problemet dhe se po bënte plane për të ardhmen.

Megjithatë enigma ngelet ende e pazbuluar dhe duket se vdekja e saj e mori me vete dhe misterin. Ashtu siç Lee Starsberg shkruan për të: "Në sytë e saj dhe të mitë, karriera e saj sapo kishte filluar. Ëndrra e talentit të saj që ajo e kishte ushqyer që fëmijë, nuk ishte një mirazh."


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama