Kjo portë gjendet në lagjen tradicionale të quajtur “Hoxhallarë”, në shtëpinë e familjes Isufati. “Është portë monumentale tradicionale, me harkadë, çati me rasa guri, tip i njohur gjerësisht në Gjirokastër, e ndërtuar në fund të shekullit XIX. Në një shoqëri të diferencuar kjo tip porte i shërbente pronarit si pika e parë e prezantimit të familjes së tij dhe njëkohësisht e diferencimit dhe komunikimit”, përshkruan specialisti Qirjaqi profilin e portës me moshë mbi 200-vjeçare, të familjes Isufati në Libohovë. Megjithëse kjo tip porte është e përhapur gjerësisht në çdo shtëpi libohovite, sërish ajo çka e bën unikale portën e gurtë të Isufatëve janë disa gdhendje të realizuara përgjatë harkut të saj të gurtë. “Porta është e ndërtuar me blloqe guri të zi, material i cili është shumë i fortë, i rezistueshëm dhe shumë i vështirë për t’u gdhendur dhe latuar. Përdorimi i këtij materiali i jep portës një paraqitje klasike”, thotë inxhinieri Bexhet Çobani, i cili është edhe banor i qytetit të Libohovës.
Por krahas bukurisë dhe elegancës së saj, ajo që i ka surprizuar specialistët e monumenteve të kulturës është se mes 7 basorelieveve të skalitura në gur, përgjatë harkut të saj, ndodhet edhe një ferman sulltanor. “Blloku i gurtë ku ndodhet i skalitur fermani sulltanor është i vendosur në krahun e majtë, në lartësinë e çelësit të harkut. Për një njeri që ka vizituar Stambollin, pamja e këtij fermani të skalitur në gur është e shkëlqyer dhe shumë domethënëse. Shën Sofia e përfaqësuar me tri kupolat dhe mbi çdonjërën prej tyre e vendosur gjysmëhëna dhe në krah të tyre dy minaretë madhështore dhe dy qiparisa monumentale si shenjë e një tempulli islam. Në qiell ka disa simbole të tjera të fesë Islame, vështirësisht të deshifrueshme. Fermani mund të ketë qenë edhe një leje e dhëne nga Porta e Lartë për të ndërtuar këtë shtëpi, e cila ka qenë madhështore me tre katet e gurta”, thotë specialisti i monumenteve të kulturës, Vladimir Qirjaqi.
Krahas fermanit sulltanor, përgjatë harkut të gurtë të portës së Isufatëve janë skalitur edhe 7 basorelieve në të dy krahët e saj. “Basorelievet janë gdhendur nga mjeshtrit artistë, anonimë dhe çdo basoreliev tregon historinë mijëravjeçare të popullit tonë. Interpretimi i tyre historik dhe artistik ka vlera të papërsëritshme”, thotë inxhinieri Bexhet Çobani. Mes tyre bie në sy edhe skalitja në gur e shqiponjës, si simbol i Kastriotëve, një grupi amazonash, gdhendja e Pegasit, kalit të shenjtë fluturues të antikitetit etj. Pas këtyre zbulimeve interesante, specialistët e monumenteve të kulturës kërkojnë mbrojtjen dhe restaurimin e portës së gurtë të Isufatëve në qytetin e Libohovës. Sipas tyre, kjo portë për shumë vjet është lënë në harresë. Asaj i është hequr çatia dhe aktualisht është e pambrojtur nga lagështia dhe agjentët atmosferikë.