Zbulohet karikatura kunder copetimit te Shqiperise ne 1913

Zbulohet karikatura kunder copetimit te Shqiperise ne 1913
Valter Gjoni rinxjerr nga arkivat karikaturën politike. Shqipëria si një vajzë e bukur lufton kundër një leopardi, një majmuni dhe një gjarpri.

Plot 100 vite më parë, një karikaturë ka bërë xhiron e botës. Është botuar në Amerikë, Francë, Rumani… ishte viti 1913.  Shqipëria ishte veçse një shtet motak, që në konferenca ambasadorësh po copëtohej çika-çika për t’u mbyllur gojën ballkanasve poteremëdhenj. Ishte atëherë kur një ambasador amerikan idealist hedh në qarkullim një karikaturë apo një grafikë politike. Tepër provokuese. Shqipëria paraqitet si një femër e bukur e veshur me xhubletë e opinga, me gërsheta të gjatë, që në njërën dorë mban një shpatë, në tjetrën një kobure, drejtuar përkatësisht “Grekut”, i personifikuar si një leopard ngritur mbi dy këmbë, duke kafshuar shpatën dhe Malit të Zi, paraqitur si një majmun i zi. Rrotulluar nëpër këmbë është një gjarpër, pranë të cilit lexohet “Serbi”.

I apasionuar pas arkivave, studiuesit Valter Gjoni i ra në dorë kjo karikaturë. Rruga për të deshifruar firmën në skaj të karikaturës e çoi te tri personalitete: ambasadori amerikan George F. Williams, fotoreporteri franko-zviceran, Robert Vaucher dhe ish-kryeministri rumun, Nikolla Jorga (Nicolae Iorga). I pari që e ka përdorur këtë karikaturë në shkrimet në shtypin e kohës dhe botimet tij mbi çështjen shqiptare, ishte ambasadori amerikan në Greqi e Shqipëri, George F. Williams. Janë të gjitha gjasat që ai të jetë edhe autor i kësaj karikature. Më pas, kjo karikaturë është përdorur edhe nga fotoreporteri i luftës, Robert Vaucher, si dhe politikani rumun, dashamirës i shqiptarëve, Nikolla Jorga. Sipas Gjonit, kjo karikaturë nuk ka përse të mbahet e fshehur…

Çfarë i lidh me njëri-tjetrin George Williams, Roberat Vaucher dhe Nikolla Jorgën?

Këto personalitete i lidh fati i Shqipërisë, ajo katrahurë që po ndodhte gjatë Konferencës së Londrës në ’13-n. Dihet se si shkoi fati i Shqipërisë, i kufijve të saj dhe pikërisht në këtë kohë, ambasadori amerikan në Athinë, që simbolikisht mbulonte edhe Shqipërinë, George Williams, ndër shumë artikuj dhe fjalime, hedh në qarkullim një karikaturë shumë interesante, ku lexohej: “Shporruni prej meje egërsira gjakpirëse”. Një karikaturë 100-vjeçare që ka dëshmuar të gjitha përpjekjet e Luftës së Parë dhe të Dytë Ballkanike, për të ardhur deri në Luftën e Parë Botërore. Të gjithë këtë situatë e simbolizon pikërisht kjo karikaturë e ambasadorit amerikan.

Emrin e Robert Vaucher e kemi hasur edhe më parë si reporter lufte në Shqipëri…

Interesante është që kjo karikaturë ka lëvizur edhe nga dy personalitete të tjera, njëri prej të cilëve shkrimtar, publicist fotoreporter i luftës, Robert Vaucher, i cili e njeh shumë mirë situatën e Ballkanit, pasi ka studiuar dhe në Greqi. Ai e ka përdorur këtë karikaturë pikërisht në shkrimin e tij “Historia e  Epirit të Veriut gjatë viteve 1913-1921” dhe e ka përdorur pikërisht në kohën kur në Versajë zhvillohej Konferenca e Parisit, me një botim shumë interesant.

Ç’e lidhte Nikolla Jorgën me çështjen shqiptare?

Nikolla Jorga ka qenë një personalitet i shquar, ish-kryeministri i Rumanisë, një poliglot, anëtar i sa e sa akademive të Europës, zbuluesi i Formulës së Pagëzimit, si elementi i parë gjuhës shqipe të shkruar, i ekzekutuar gjatë Luftës së Dytë Botërore nga forcat nacionaliste ekstreme. Edhe ai, duke u marrë shumë me historinë e shqiptarëve, madje ka bërë edhe një libër “Historia e shkurtër e Shqipërisë dhe Shqiptarëve”, përdor të njëjtën karikaturë. Po e quaj karikaturë, edhe pse është shumë më shumë se kaq. Për mendimin tim një grafikë politike, e konceptuar me shumë sukses nga George Williams, që për fatet e Shqipërisë hoqi dorë edhe nga misioni i tij, sepse nuk ra dakord me vendimet e Konferencës së Londrës.

Si i ratë në gjurmë kësaj karikature?

Isha duke kërkuar autorësinë dhe të deshifroja një firmë që ndodhet në të. Fillimisht më dukej si Nikolla Jorga, por më pas gjeta material, që tregon se ajo është karikaturë e ambasadorit amerikan George Williams. Më pas është marrë nga Robert Voucher dhe Nikolla Jorga, duke bërë kështu në një farë mënyre xhiron e botës. Thuhet gjithashtu që ka qenë një porosi e patriotëve shqiptarë të Bukureshtit dhe të Athinës.

Shumë provokuese, apo jo?

Është provokuese, por është një vlerë e jona, e cila nuk ka përse të rrijë e fshehur. Ka ndenjur 100 vjet e fshehur. Kalon dorë më dorë nga një personalitet te një tjetër dhe asnjëri nuk tregon vëmendje. Ky është një simbol, një situatë, aq më tepër parë nga një personalitet që ka dëmtuar karrierën e vet për këtë dhe për qëndrimin që ka mbajtur ndaj fateve të Shqipërisë. Ai dha dorëheqjen. Nga ana tjetër, Robert Voucher nuk ka përtuar të nxjerrë çështjen shqiptare kudo, Jorga ka botuar pamflete, vështrime historike, protesta për Shqipërinë. Pra, kemi të bëjmë me 3 personalitete që 1913-a i ka shqetësuar, i ka vënë në lëvizje që të thonë fjalën e tyre për Shqipërinë.

Ambasadori amerikan që u dorëhoq për çështjen shqiptare



…Nuk vij të flas si mik i njerëzisë, por vij si mik dhe adhuronjës i racës shqiptare. Dashuroj Shqipërinë, dashuroj burrat e Shqipërisë, siç dashuroj Amerikën, siç dashuroj burrat që i kanë dhënë lirinë Amerikës. Shqipëria do të jetë e lirë. Shqipëria i ka dhënë 5 perandorë Romës dhe gjaku i shqipeve ka forcuar kombet e tjerë. E lashë Shqipërinë në vuajtje dhe të mbytur në gjak nga faji i Europës, e cila tani po lan gjynahet e saj. Unë protestova kundër paudhësive të Europës, kundrejt Shqipërisë, lashë vendin tim zyrtar dhe ju siguroj që unë besoj se ajo ditë që unë protestova për Shqipërinë, është dita më e lumtur e jetës sime. Tregtia e Amerikës duhet të jetë e lirë për kombin shqiptar, që është vëllai i kombit amerikan. Unë jam gati për çdo shërbim për lirinë dhe shpëtimin e Shqipërisë, edhe me jetën time.
(Nga fjala e mbajtur nga George F. Williams në mitingun e organizuar për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar, Boston, 7 nëntor 1915)

Në shkrimet e fotoreporterit Robert Vaucher



“Karikatura shqiptare tregon vendin duke u mbrojtur kundër fqinjëve. Mali i Zi është paraqitur me portretin e majmunit, Greqia me atë të një leopardi dhe Serbia si një gjarpër. Teksti në frëngjisht thotë: Shporruni prej meje egërsira gjakpirëse”. Kjo është diçitura me të cilën reporteri Robert Vaucher paraqet karikaturën që mban firmën e George Williams. Vaucher, i cili ka ndjekur nga afër situatën në Shqipëri, duke qenë fotoreporter gjatë lufëtrave ballkanike, ka furnizuar me materiale fotografike dhe reportazhe gazetat më në zë franceze të kohës dhe jo vetëm. Një nga gazetat për të cilat ai ka punuar, është “L’Illustration”. Ai ka punuar si gazetar pranë kësaj gazete gjatë viteve 1911-1944. Një pjesë e fotografive që ai ka realizuar në Shqipërinë e viteve 1917, tashmë është e njohur edhe për publikun shqiptar përmes një ekspozite fotografike, të realizuar nga studiuesi Valter Gjoni. Ekspozita u hap në Tiranë dhe në Korçë, ku janë realizuar dhe një pjesë e mirë e fotografive.

Nikolla Jorga, zbuluesi i “Formulës së Pagëzimit”



Çka do ta lidhte atë pazgjidhmësisht me historinë dhe gjuhën shqiptare ishte një formulë e thjeshtë pagëzimi e vitit 1462, por me një rëndësi të jashtëzakonshme. Ishte pikërisht historiani dhe politikani i njohur rumun Nikolla Jorga, i cili do të zbulonte në Bibliotekën Laurentiana të Milanos “Formulën e pagëzimit” në një qarkore të shkruar në latinisht nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli. Më tej ai do të vazhdonte të merrej me historinë dhe çështjen shqiptare, madje do t’i kushtonte edhe veprën “Breve historie de l’Albganie et du puple albanais” (“Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe popullit shqiptar”), botuar në Bukuresht në vitin 1919 nga Instituti për studime të Europës Juglindore. Jorga është një nga njerëzit që ka mbrojtur më së shumti çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare. Për të ilustruar shkrimet e tij ai ka përdorur gjithashtu karikaturën e ambasadorit amerikan George F. Williams.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama