Ata përmbajnë vlerat e rralla të Bibliotekës Kombëtare, si: dorëshkrime, antikuarë, harta dhe libra të fondit albano-balkanologjik. Skedat janë të renditura në skedarë alfabetik dhe sistematik dhe mund të shfletohen sipas një renditjeje që të paraqitet në faqe. Skedarët e dixhitalizuar plotësojnë katalogët online të Bibliotekës Kombëtare dhe përmbajnë informacionin për botimet të cilat nuk mund t’i tërheqësh dorazi.
Skedari i dixhitalizuar i dorëshkrimeve përfshin 1250 vepra në dorëshkrim kryesisht në gjuhët orientale (arabisht, osmanisht dhe persisht), shumica e të cilave janë kopjuar nga kaligrafë të specializuar nga Shkodra, Berati, Elbasani, Tirana etj. Një pjesë e tyre përmbajnë zbukurime me ar si dhe vulën e Mustafa Pashë Bushatlliut. Për vlerat e tyre dallohen edhe dorëshkrimet shqip me alfabet arab, si dhe dorëshkrimi i Kostandin Beratit me pjesë këndimi, poezi fetare dhe dy fjalorë greqisht-shqip. Veprat kanë përmbajtje fetare, historike, gjuhësore, letrare etj. Një vlerë të veçantë kanë “munsheatët” ose krestomacitë dokumentare (përmbledhje letrash private dhe shkresash zyrtare).
Në këtë skedar përfshihen edhe një pjesë e vogël dorëshkrimesh në gjuhët perëndimore, si “Albania Notizbücher” në 6 vëllime e albanologut Franz Nopcsa, dhe dorëshkrimi në greqisht për Shën Nikodhimin nga Berati. Skedari i dixhitalizuar i antikuarit përmban vepra të rralla të botuara në shekujt XV-XVIII, midis të cilave edhe veprat e para në gjuhën shqipe në origjinal si dhe veprat në latinisht e italisht të humanistëve shqiptarë Marin Barleti, Marin Beçikemi e Dhimitër Frangu.
Përfshihen gjithashtu edhe botimet e Voskopojës të shek. XVII-XVIII si dhe shtatë ikunabula, njëra prej të cilave me titull “Epistolae de Conventu Mantvano” (Letra për Kuvendin e Mantovës) e Papa Piut II, shtypur në Milano më 1473, është libri më i vjetër në fondin e antikuarit.
Në këtë katalog përshkruhen rreth 2000 vepra. Skedari i hartave përmban 52 harta të shekullit XVI-XVIII të hartografëve të njohur si Mercator, Gastaldo, Cantelli, Coronelli, Sanson, Ortellio, Konard etj., të cilat janë burim për studimin e historisë, etnologjisë dhe gjuhësisë shqiptare dhe asaj ballkanike. Skedari i fondit të albano-balkanologjisë përmban vepra në shqip dhe në gjuhë te huaja që trajtojnë probleme shqiptare dhe ballkanike.
Ato u përkasin viteve 1800 dhe në vijim. Ndërkohë që skedari i periodikëve të vjetër përmban gjithë kolanën e perdiodikëve“Në kuptimin shkencor kjo është ruajtja më e mirë duke i dixhitalizuar. Janë disa nga kategoritë që Bibliotekës i duhet që t’i ruajë. Paraardhësit tanë i kanë ruajtur dhe ne kemi detyrën t’i ruajmë dhe në mënyrën bashkëkohore, elektronike”, tha Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, dje teksa prezantonte këtë projekt ambicioz që ka kushtuar 60 mijë euro. Ky projekt është mbështetur nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim. Kjo e fundit është një nga partnerët kryesorë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në disa projekte që lidhen me trashëgiminë tonë.