Zbulohet krimi. Pranga oficerit te Shkolles se Bashkuar vrau ne Bllok per 25 mije leke

Zbulohet krimi. Pranga oficerit te Shkolles se Bashkuar, vrau ne Bllok per 25 mije leke

Arrestohet nënoficeri i Shkollës së Bashkuar, vrau ekonomistene lokalit dhe plagosi Elton Fushën për borxhin 25 mijë lekë të vëllait. Arrestohet autori i dyshuar i vrasjes aksidentale të Majlinda Hoxhës gjatë atentatit për ekzekutimin e Elton Fushës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës dhe Policia e Shtetit thanë dje se është vënë në pranga Ndriçim Balla, 33 vjeç, nënoficer te Shkolla e Bashkuar.

Ai dyshohet se ka qëlluar me armë mbrëmjen e 9 shtatorit në lokalin e basteve në zonën e ish-Bllokut, ku u vra financierja dhe u plagos pronari i biznesit. Sipas Prokurorisë dhe Policisë, nënoficeri Balla dyshohet se ka dashur të vrasë 38-vjeçarin Elton Fusha pas një sherri që ai ka pasur me vëllain e të ndaluarit për një borxh 25 mijë lekë. Konflikti mes Elton Fushës dhe A. Ballës duket se ka nisur për shkak të një borxhi prej 25 mijë lekësh të rinj.

Me këtë shumë Fusha i detyrohej vëllait të Ndriçim Ballës, A. Balla, për një punë të kryer nga ai në lokalin e të plagosurit. Motivi i ngjarjes dhe autori i krimit janë zbuluar pas hetimeve të thelluara të bëra në Policinë e Tiranës në prani të prokurorëve. Dëshmitarët e ngjarjes dhe paraqitja për njohje e të dyshuarit kanë zbuluar autorin e dyshuar të vrasjes së shtetases Majlinda Hoxha, si dhe plagosjes së rëndë të shtetasit Elton Fusha më 9 shtator.

HETIMI


Më 10 shtator, një ditë pas vrasjes aksidentale të ekonomistes së lokalit të basteve, ku u tentua vrasja e pronarit Elton Fusha, nga Prokuroria është regjistruar procedimi penal me akuzën vrasjes me dashje. Nga hetimet rezultoi se viktima, Majlinda Hoxha, së bashku me bashkëshortin e saj, Fatos Hoxha, kanë shkuar te lokali “Xhoi Loto” që është marrë me qira nga i plagosuri Elton Fusha, i cili ishte shënjestra e atentatorit. Rreth orës 21:30 të datës 9 shtator, teksa qëndronin në një tavolinë, një person i pamaskuar është afruar te pragu i derës së lokalit dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tavolinës ku qëndronin këta persona. Si rezultat i të shtënave me armë zjarri ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasja Majlinda Hoxha, 30 vjeçe, si dhe është plagosur rëndë Elton Fusha. Ndërsa bashkëshorti i viktimës, Fatos Hoxha, nuk ka pësuar asnjë plagë. Nga deklarimet e të plagosurit Elton Fusha dhe bashkëshortit të viktimës, Fatos Hoxha, është shpjeguar ngjarja dhe mekanizmi i saj, si dhe është bërë përshkrimi i hollësishëm i autorin e ngjarjes duke dhënë karakteristikat e tij. Në momentin e krimit, autori i ngjarjes ka qenë pa maskë. Ai ka qëlluar pesë herë pasi ka hyrë brenda lokalit.

ARRESTIMI


Nga provat e grumbulluara nga ana e grupit hetimor është saktësuar se i plagosuri Elton Fusha ka pasur një konflikt me shtetasin A. Balla, pasi ky i fundit i kërkonte t’i paguante shumën prej 25 mijë lekësh për një punë që kishte bërë si usta në objektin e tij. Kjo shumë nuk pranohej të paguhej nga Elton Fusha e si rezultat, disa ditë para ngjarjes, te lokali i tij ka shkuar shtetasi A. Balla i shoqëruar me një person tjetër, që siç ka rezultuar më pas, ka qenë nënoficeri i ushtrisë. Ai është vëllai shtetasit A. Balla, Ndriçim Balla.

Të dy vëllezërit i janë drejtuar të plagosurit Elton Fusha me fjalët: “Nuk të vijmë më për këtë punë, prandaj na jep lekët”. Përsëri 38-vjeçari Fusha nuk u është përgjigjur dhe i ka përzënë nga lokali. Pas zbulimit të sherrit për borxhin, dy ditë më parë Ndriçim Balla është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe ka dhënë deklarime rreth ngjarjes duke pranuar faktin që Elton Fusha i kishte para borxh vëllait të tij, por duke mohuar autorësinë e ngjarjes. Mëngjesin e djeshëm është bërë paraqitja për njohje e të dyshuarit nga dëshmitarët e ngjarjes, por edhe nga vetë i dëmtuari, të cilët e kanë njohur menjëherë duke thënë se ai ishte personi që qëlloi në lokal më 9 shtator. e.d


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama