Zbulohet letra-amanet e Teodor Kekos per te birin botohet libri me tregimet e panjohura
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Si një baba! A si një shkrimtar?! Të parën, e ëma, Xhuli, Xhuljeta, kjo grua e fortë, bionde, e bukur dhe bashkëshortja e publicistit, shkrimtarit, e njeriut të mirë, Dor Kekos di ta dallojë më shumë! Në sytë e dy djemve, Martinit dhe Elios, sheh të rritet dashuria, në mënyra të ndryshme, të pafjala...
Tregimet e panjohura
E të tre, Elio, Martini, Xhuli, deri dje, përjetonin emocionin. Emocionin që rritej bashkë me “Amaneti”-n, me këtë vepër, me këto tregime, që sot çdokush mund t’i ketë në duar. Do të jetë në treg. Mund t’i blini! Janë tregime të pabotuara më parë, të shkruara vitin e tij të fundit, por ju që e njihnit mirë, Dorin njeri, a Dorin shkrimtar, mos harroni, veten do të gjeni diku. Sot në 24:00 mbush plot 50 vjet! Kjo është dhurata e familjes! E sot më shumë se kurdoherë ia ndiejnë mungesën. Mungesën mes miqve që do të ngrenë një gotë, që do të flasin për personazhet, do të komentojnë tregimet e do ta lëvdojnë, ashtu siç bënin gjithmonë, për shpirtin rebel dhe penën e freskët. “Amaneti”, është një vepër që përmbledh një tufë tregimesh, e kuruar me mjaft kujdes nga e shoqja, Xhuli, në bashkëpunim me një grup miqsh. Do të promovohet në mbrëmje në ambientet e bar “Piazza”. Janë tregime të vyera, të shkruar gjatë periudhës 2001-2002. Të gjitha shoqërohen me datat përkatëse. “Ka punuar gjithmonë, madje edhe në spital, kohët e fundit deri nga janari i vitit 2002”, tregon Xhuli, mbi botimin më të ri të Dor Kekos. E kujton çdo çast tek shkruante, pothuaj deri ditët e mesit të gushtit, teksa bënte shpjegimet përkatëse anash faqeve të tregimeve. “Ndonjëherë sinopset ishin më shumë sesa vetë tregimet, nganjëherë faqja ishte e mbushur me shënime”, thotë ajo. Por e ka të vështirë të rrëfejë. E ka të vështirë të flasë për letërsinë e tij, për vlerat e shkrimeve, se me to është rritur, është dashuruar... “Unë e dija, se edhe pak kohë i kishte mbetur dhe dëshira ime ishte të më tregonte se cilat nga këto tregime kishte më të dashura. E stimuloja jo më shumë për të shkruar sesa për të treguar për ato që i pëlqenin. I thosha m’i shëno me një kryq në cep të faqes, por nuk m’i bëri asnjëherë”, shprehet ajo.
Letra-amanet
Ka dy javë që ndodhet në Shqipëri, me më të voglin e familjes, Elion. Botimi dhe 50-vjetori i Dorit, i ka sjellë nga Holanda, ku Xhuli punon e fëmijët studiojnë. Nuk e ka të thjeshtë të flasë për veten, për të dy, apo për të katër. Por kësaj here i duhet të tregojë. “Atë ditë, që Dori u nis për në Greqi, për herë të fundit e s’u kthye më, kishte marrë me vete një dosje të kuqe, në të cilën kishte shkrime të tij, por edhe disa flopy disc. Ne e kemi hapur pas dy vjetësh dosjen në 2004, nuk mundja dot, (edhe sot më trondit kur e hap) mes tyre gjenden dhe letra që i kish shkruan Elios. Ne kemi botuar vetëm një fjali të fundit të tij, pasi Elio e ruan me fanatizëm, është një nga kujtimet që i ka lënë i ati, është shumë personale dhe ai nuk dëshiron kurrsesi të publikohet. Është një letër, ku Dori i flet në lidhje me të ardhmen, në lidhje me marrëdhëniet me njerëzit e afërt, ato që mendonte Dori, se Elio duhet të bënte në të ardhmen...Diku i shkruan të mos bëhet qaraman se jeta e tillë është. Shkruan se në funeralin e tij duhet të merren katër shokët e tij, emrat e të cilëve nuk mund t’i them, pasi Dori ka pasur kaq shumë shokë të ngushtë, por s’e di pse i ka dalluar... dhe së fundmi është dhe kërkesa që Dori i bën Elios për veprën me tregime, që duhet t’ia redaktojë Andi Bejtja. Mua do të më pëlqente të tregoja pak më tepër, por Elio do të mërzitej shumë”, tregon Xhuli, duke shpjeguar edhe arsyen përse kjo letër-amanet Elios dhe jo Martinit! “Dori shkoi në Holandë tre ditë para operacionit që takoi Martinin, (studionte aty) dhe atij ia tha me gojë se çfarë mund të bënte. Por Elio ishte shumë më i vogël dhe nuk mund t’i kuptonte, p.sh., “Unë po shkoj për një operacion të rëndë, përfundimi i të cilit nuk dihet”. Martini ishte tre vjet më i madh dhe kuptonte më shumë. Padyshim nuk i ka thënë të njëjtat gjëra, por ai vetë nuk pranon të bisedojë për këtë gjë. Nuk ka rëndësi çfarë më tha babi, e rëndësishme është që unë të bëj ato”, thotë më tej ajo. Por humbja është e madhe dhe e pazëvendësueshme për ta.
Shkrimet e Dorit si raketa
Mëngjesi herët, ishte më i preferuari për shkrimtarin, të ulej në tavolinën e madhe, të hapte letrat, të zgjidhte stilografin e të shkruante. Por jo pa ibrikun me kafe, a mesditës gotën me dhallë. “Ngrihej herët në mëngjes dhe shkruante në tavolinën e kuzhinës, më shumë se çdo kohë tjetër të ditës, derisa ne ngriheshin, e gjenim mbi tavolinë dhe letrat i linte aty, dhe na porosiste të mos i lëviznim. Madje, kishte edhe një gjë, që për muaj të tërë nuk shkruante derisa akumulonte, mblidhte dhe kur vinte momenti, frymëzimi ulej të shkruante, me javë me muaj pa dalë nga shtëpia”, tregon Xhuli, kohën kur Dori, shkruante tregimet. E kundërta sipas saj ndodhte me sinopset, shënimet për tregimet. “Ato i bënte kudo që ishte, i shkruante në copëra letrash, në kartopeceta, prapa faturave të lokaleve”, tregon ajo. Por koha e letrave dhe recetave nuk zgjati shumë, derisa një mëngjes herët, teksa kthehej nga pazari, gjen poshtë pallatit, në formë raketash, tregimet e tij. Ishte një rreng fëmijësh. “Me letrat na ndodhnin ngandonjëherë dhe “fatkeqësi”, kur Dori shkon njëherë për të blerë vezë dhe kur erdhi u vonua, gjeti poshtë ballkonit, gjithë tregimet që kishte bërë në mëngjes apo ditë më parë, në formë raketash. E kjo ka qenë një nga arsyet që pastaj mori një laptop të vogël që shkruante”, tregon ajo në formë humori. Por “raketat” i ruan ende. Ka disa shënime, që i ka mbledhur vetë dhe një pjesë kunati i saj, vëllai i Dorit, Iliri, i cili sipas Xhulit ka krijuar një arkiv të mrekullueshëm, të papërsëritshëm.
PROJEKTET E REJA PER BOTIM
Pas këtij botimi të veçantë me tregime të pabotuara më parë, një nga dëshirat e Xhulit është të botojë një vëllim me tregime te zgjedhura, atë që e dëshironte prej kohësh, ndoshta në dhjetë vjetorin e ikjes së tij. Ndërkohë aktualisht dy nga mikeshat e saj që jetojnë në Belgjikë dhe Holandë, kanë bërë përkthimin e shtatë tregimeve në holandisht. “Besoj është një projekt që do realizohet pasi e kam me shumë dëshirë, se asnjë vepër e Dorit nuk është botuar në gjuhë të huaj. Por ideja e botimit të një libri me tregime të zgjedhura, një vepër dinjitoze me kapak të trashë, është në projekt. Miqtë më janë ofruar por nuk e kam me nxitim. Ndërkohë Iliri, (Kunati) ka mbledhur artikujt e Dorit kështu që ndoshta mund të botohet më parë një vepër me publicistikën e tij. Shpresoj se do të realizohen së afërmi”, përfundon ajo, duke iu drejtuar miqve të saj, të Dorit dhe lexuesve, se “Amaneti” që do të promovohet sot, ka tregime të reja, të palexuara në vazhdim të tregimeve që janë botuar më parë. “Është i njëjti stil, të njëjtat tema të marra nga jeta reale, unë i njoh gjithë personazhet që janë aty dhe ata besoj se do ta gjejnë veten lehtësisht. Janë miqtë e Dorit, apo historitë e tyre. Uroj ta pëlqejnë, ta shijojnë e ta blejnë librin”.
Letrat e dashurisë për Xhulin
Veç shënimeve, ato që Xhuli ruan me shumë kujdes, krahas fotografive, janë edhe disa letra që Dori ia shkruante në mëngjes dhe ia linte mbi tavolinë para se të dilte. Janë letra që ajo i adhuron, ku thuren lavde dashurie, e kërkohet “falje”. Mendime ku më shumë se me fjalë, ai dinte t’ia shkruante. “Kam shumë letra që Dori më ka lënë. Janë të mrekullueshme. I linte në mëngjes para se të ikte në punë, sepse zgjohej gjithnjë i pari. Janë shumë të bukura, por më vjen keq që nuk i botoj dot pasi janë shumë personale. I kam ruajtur të gjitha, nuk e di pse, ndoshta ngaqë më pëlqenin shumë, dhe më dukeshin që ishin të vërteta. I kam marrë me vetë në Holandë dhe iu rikthehem sa herë më merr malli”, tregon ajo. Ndërkohë në dorëshkrime, përveç tyre dhe shënimeve, nuk i ka mbetur gjë tjetër nga shkrimtari. “Me përjashtim të letrave janë edhe nja dy poezi që Dori ua ka bërë fëmijëve, nuk ka gjë tjetër”. E ndërsa sot, është promovimi i “Amaneti”-t, ajo ndihet në mëdyshje. “A do ta pëlqejë ai lart?! “Ngurrimi im për botimin e kësaj vepre ka qenë edhe kjo arsye se nuk dija në do të arrij ta pëlqejë ai, atë që ne kemi bërë për ta përfunduar...”. Dhe sot përveç kënaqësisë që kam kur shoh se sa shumë njerëz e respektojnë dhe lexojnë, jam në siklet. Është vuajtje ndërkohë. Më vjen shumë zor. Gjithmonë Dori ka qenë ministri i jashtëm në familje, unë kam qenë e brendshme”, tregon me shaka ajo.
Djemtë, Teodori dhe letërsia
Martini 23, dhe Elio 20. E kanë lënë Shqipërinë, përkatësisht dhjetë dhe gjashtë vjet më parë. Sot kthehen me mall. Dinë shqipen shumë mirë, e flasim përkryer, por e kanë të vështirë të lexojnë. “Ne në shtëpi flasim gjithë kohën në shqip, por Martini, një nga tregimet e Dorit, që Robert Elsie e ka përkthyer në anglisht, duket se e shijon më shumë. Ndoshta njohuritë që marrin në shkollë në anglisht, i bëjnë që leximet t’i kapërdijnë më shumë në anglisht sesa në shqip, janë të dy krejt e kundërta ime. Mua më shijojnë në shqip”, thotë ajo. Ndërkohë tregon se të dy djemtë, në bibliotekat e tyre, kanë secili kolanat e plota me vepra të Dor Kekos. “Nuk është se janë shumë të dhënë. Unë e mendoj gjithmonë se çfarë ndodh me ata. Më shumë është figura e Dorit si baba, sesa e Dorit si shkrimtar. Ndoshta edhe se nuk lexojnë shumë në shqip dhe përveç kësaj, asnjëri nuk është mësuar me faktin që Dori nuk është më dhe të dy vuajnë në mënyra të ndryshme. Djali i vogël para tre javësh ka bërë tatuazh firmën që bënte Dori. Kjo tregon shumë. Dhe unë librin e parë ia dhurova atij. Ia çova dhe me shumë siklet se emocionohet, por secili e tregon në mënyrën e tij. Ndërsa unë e pëlqeja Dorin edhe se ishte shkrimtar dhe jo vetëm se ishte qytetar dhe dashnor i përjetshëm, por më duket mua se si Martini, ashtu dhe Elio janë zemëruar me Dorin që ka ikur. Na mungon!”, tregon ajo.
Titulli: Amaneti
Autori: Teodor Keko
Gjinia: Tregime
Nën kujdesin e Xhulieta Kekos
Redaktoi: Andi Bejtja
Bashkëpunuan: Ilir Keko, Elio Keko, Teuta Keçi,
Virgjil Muçi, Mimoza Bimo
Botoi: Toena
Faqe: 181
Gazeta: Panorama