Zbulohet logoja e bibliotekes se FAIK KONICËS

Zbulohet logoja e bibliotekës së FAIK KONICËS
Ai e ktheu atë në pjesë të vetes, u bë natyra e tij e dytë, që tok me talentet e dhuntitë e çmuara, me mençurinë e mprehtësinë e rrallë, me ndjeshmërinë dhe shijen e hollë, me kulturën dhe erudicionin e jashtëzakonshëm dha ato frute të papërsëritshme që i detyrohet aq shumë kultura dhe mendimi shqiptar. Raportet e Konicës me librin do të ishin të gjithanshme, shpirtërore dhe intelektuale, si studiues e krijues, por dhe si lexues i shkallës së lartë. Ai do të frekuentonte bibliotekat më në zë të Parisit e të Brukselit, të Londrës e të Uashingtonit, do të mbante lidhje me shtëpi botuese, do të shkëmbente libra me personalitete. Konica do të kishte dhe bibliotekën e tij, një bibliotekë që nuk shquhej për nga numri i madh i librave, por nga vlera e tyre. Libra të zgjedhur e të rrallë, autorë të preferuar, vepra që i shërbenin si doracakë pune. Biblioteka e Konicës, me sa dëshmon ish sekretarja e tij, do të ishte një kombinim i harmonishëm me koleksionet e veprave të artit, si piktura e skulptura, relikte të rralla dhe objekte ekzotike, që krijonin një mjedis të vërtetë artistik dhe intelektual. Ky është imazhi që na ka ardhur nga vitet e fundit të jetës së tij.

Një imazh që nuk i qëndroi dot kohës. Fati i kësaj trashëgimie të vyer qe i keq, po të kemi parasysh se Konica vdiq krejt papritur, në një kohë të turbullt, siç qe ajo e Luftës së Dytë Botërore, kur ai s’e kish më statusin e diplomatit dhe ishte si të thuash njeri pa njeri mbasi nuk kish krijuar familje. Kësisoj, ndodhi që dhe ajo pak trashigimi që kish lënë, librat dhe objektet të mbetura thuajse pa zot, falë inetersimit të F. Nolit, u morën nën kujdes nga Federata “Vatra”. Ajo i solli në Boston, ku kish dhe qendrën dhe i ruajti në zyrat e saj, por me kohë, kur “Vatra” u shpërngul në Nju Jork, gjithë ç’kish mbetur u kalua në një nga ambientet e lokalit “Pier Four” të Anton Athanasit. Unë kam pasur fatin ta shoh “depon” e Konicës dhe ky ishte një moment i trishtuar, kur vërejta se si qe katandisur ajo pasuri me vlera kombëtare. Dhe do të ishte ky rast, që xha Andoni, tek dilnim nga magazina e errët dhe e mbuluar nga pluhuri të më zgjaste një fletë të çuditshme, diçka më e madhe se një kartëvizitë, katërkëndëshe, me ngjyrë të verdhë, mbuluar me një letër transparente, që fillimisht s’e mora vesh se ç’ishte.- Është një grimcë nga ajo që ka mbetur nga biblioteka e Faikut – më tha, pa më shpjeguar asgjë më tej. E mora më emocion dhe e shikoja gjithë kureshtje, duke e mbajtur në dorë, pa ditur se ku ta çoja atë çast e aq më tepër të kuptoja përmbajtjen e saj.

Xha Andoni, ç’është e vërteta, nuk qe në gjendje të më skjarojë dhe unë e mora me vete si një enigmë që më duhej ta zgjidhja. Për hir të së vërtetës, dua të them se m’u desh jo pak mund për të zbërthyer përmbajtjen dhe kuptimin e asaj flete të vogël, që lidhej e kishte të bënte me bibliotekën vetjake të Faik Konicës. S’kish dyshim se ajo ishte logoja e saj dhe këtë tregonte emërtimi latinisht që mbante në krye: EX LIBRIS, që në shqip do të thotë NGA LIBRAT. Pra, nga librat e Faik Konicës, me fjalë të tjera tregon përkatësinë e tyre, që në këtë rast i takojnë bibliotekës së F. K., një praktikë që përdorej në rrethet intelektuale të kohës. Ishte kjo logoja, vula apo etiketa, që i ngjitej apo i bashkohej librit. Logoja e bibliotekës së Faik Konicës paraqitet mjaft interesante, jo vetëm nga pikëpamja estetike, e bukur dhe e përkorë, por dhe nga brendia që ngërthen. Fushën e verdhë e zotërojnë inicialet e emrit dhe mbiemrit të tij, të cilat të inkuadruara në një kornizë elegante janë të rrethuara nga një tufë gjarpërinjsh. Imazhi i gjarpërit në këtë rast nuk është thjesht një ornament formal. Dihet që gjarpëri, sipas mitologjisë ilire është simbol i ruajtjes së shtëpisë dhe si i tillë ai është përdorur dhe si simbol i familjeve apo fiseve të shquara. Por në logon e Konicës paraqiten jo një, por plot dhjetë gjarpërinj dhe kjo i jep imazhit të tyre një tjetër kuptim e shpjegim. Po të vërehet me kujdes, të gjithë gjarpërinjtë sulmojnë F.K. dhe me gjuhë të nxjerrë ata derdhin helmin e tyre mbi të. Janë këto gjuhët e këqija, gojët e liga që përflasin Konicën dhe që ai u përgjigjet me dy fraza lakonike në greqishte të vjetër:

TË THONË Ç’TË DUAN. Ç’FARË THONË, NUK MË INTERESON. Nuk e patëm të lehtë që me ndihmën e specialistëve ta zbërthejmë kuptimin e fjalëve greqisht, por e kemi të vështirë t’i interpretojmë saktë. Ç’do të thotë Konica më këto fjalë? Mos do të thotë se ai është indiferent ndaj të gjitha atyre që thuhen për të, për mirë apo për keq? Ç’lidhje kanë librat me fjalët që mund të thuhen në adresë të tij? Dhe së fundi, të jetë kjo vallë një nga divizat e jetës së tij? Por po t’i drejtohemi jetës së Konicës e aq më shumë natyrës së tij, ai nuk dallohej për indiferencë dhe mospërfillje për ç’ka thonin të tjerët, opinioni e sidomos kundërshtarët për të. Përkundrazi, ishte tepër i ndjeshëm, reagonte ashpër, hidhej në sulm dhe nuk kursente fjalën e hidhur ndaj çdo njeriu që e kundërshtonte apo e luftonte. Ironik e sarkastik, polemizues i shkallës së lartë, i tillë paraqitet ai në publicistikën dhe epistolarin që ka lënë, si dhe në kujtimet e bashkëkohësve. Në gazetën “Dielli” janë me dhjetra rastet kur ai u përgjigjet gjithë atyre që shkruajnë e flasin kundër tij. Por pavarësisht nga këto, pyetjet që ngre kjo divizë, logoja që kemi zbuluar ka rëndësinë e vetë sepse hedh dritë në botën intelektuale të F. Konicës. Është një dokument, sado i vogël, që na e afron dhe konkretizon imazhin e tij madhështor, që jetoi në mes librash dhe që s’e kuptonte jetën pa libra.

Prof. : Nasho Jorgaqi
Gazeta Milosao


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama