Zbulohet mgazina e dyte me 600 kompjutera Tahiri Jane 98 per qind e kazinove te paligjshme

Zbulohet mgazina e dyte me 600 kompjutera, Tahiri: Jane 98 per qind e kazinove te paligjshme

“Fund  marrëzisë”, 9 persona akuzohen për organizim të lotarive të palejuara.
Zbulohet magazina e dytë  me 600 kompjutera kazinosh.
Tiranë, pajisjet ishin fshehur në bodrumin e një pallati.

Zbulohet në bodrumin e një pallati, tek ura e Shkozës, një magazinë ku pronarët e kazinove e pikave kanë fshehur nga Policia rreth 600 makineri e aparatura të lojërave të fatit. Të gjitha pajisjet mësohet se kanë qenë të paregjistruara, ndërsa janë bllokuar nga një aksion i Komisariatit Nr.1 të Policisë së Tiranës. Policia tha se pas informacioneve të marra në lidhje me magazinën, u krye hapja me forcë e saj, pasi qepenat ishin mbyllur ditët e fundit. Pasi kanë hyrë në këtë ambient, efektivat e policisë kanë gjetur qindra pajisje kompjuterike nga kazinotë dhe pikat e basteve që ishin mbyllur nga vetë pronarët para ose gjatë aksionit “Fund marrëzisë”. Burimet zyrtare thanë se, pas verifikimeve, të gjitha pajisjet e kazinove rezultuan të paregjistruara në organet tatimore. Policia tha se është identifikuar pronari i bodrumit ku mbaheshin të fshehur kompjuterat e televizorët e kazinove e të basteve, për të cilin është lëshuar një urdhër ndalimi. Hetuesit dyshojnë se pajisjet mund të jenë transportuar aty që nga disa e operacionit “Fund marrëzisë”, por edhe gjatë ditëve në vazhdim, në mënyrë që të mos sekuestroheshin nga Policia. Burimet thanë se brenda magazinës janë gjetur mbi 600 kompjutera “Apex” e “Admiral”, televizorë e aparatura të pikave të basteve, si dhe pajisje të tjera, të cilët tashmë janë sekuestruar nga Policia e Tiranës. Kjo është magazina e dytë brenda 3 ditëve që zbulohet nga shërbimet e Policisë së kryeqytetit. E para u bllokua të shtunën në zonën e Laprakës, ku u gjetën 209 kompjutera dhe 16 automjete pa targa e me targa të huaja, që dyshohej se mund të ishin lënë peng nëpër kazino të ndryshme.


AKSIONI NE TIRANE


Në kuadër të operacionit “Fund marrëzisë”, gjatë dy ditëve të fundit Policia e Tiranës ka sekuestruar një sërë pajisjesh kompjuterike dhe makina elektronike lojërash fati në disa zona të kryeqytetit, ku janë ndjekur penalisht 14 pronarët e tyre. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se është proceduar në gjendje të lirë Y. Caushaj, pasi në afërsi të Pazarit të Ri, në lokalin Bast-Live, u sekuestruan 2 kompjutera “Admiral”. Në hetim është marrë edhe D. Xhaja, pasi gjatë kontrollit në objektin e tij në Kamzë u gjetën 6 kompjutera pa dokumentacionin përkatës. Në një kazino te “Myslym Shyri” u gjetën 17 makineri të paregjistruara dhe nisi procedim penal ndaj pronarit T. Bardhoshi. Te rruga “Sami Frashëri” u verifikua kazinoja në pronësi të E. Sulajt, ku gjetën pa dokumente 6 makineri elektronike dhe një ruletë të palicencuar. Në pikën e basteve të shtetasit E. Aliaj, në rrugën “Perlat Rexhepi”, u bllokuan 6 televizorë të palicencuar. Ndërsa në një garazh në pronësi të B. Caushit, në rrugën “Nikolla Tupe”, u gjetën të fshehura 28 makineri elektronike, një tavolinë pokeri e pajisje të tjera. Filloi hetimi edhe ndaj S. Hidajt, sepse në lokalin e tij te Rruga e Kavajës u gjet një reklamë ndriçuese e palicencuar. Në rrugën “Muhamet Gjollesha” u sekuestruan 10 kompjutera të palicencuar në një lokal që u hap me thyerje, ndërsa pronari u shpall në kërkim. Në Lundër u sekuestruan 6 televizorë në një pikë bastesh në pronësi të E.Dollashit.

Mbeten të bllokuara 229 kazino


Mbrëmjen e djeshme, Policia e Shtetit ka bërë publike rezultatet e aksionit “Fund marrëzisë”, duke pohuar se aksioni i nisur që prej datës 14 tetor po vijon me intensitet në të gjithë vendin. Deri në mbrëmjen e djeshme, sipas Policisë, janë të bllokuara 299 subjekte, janë kontrolluar 1207 pika kazinosh e bastesh, janë proceduar penalisht 407 subjekte, janë sekuestruar 2315 makineri lojërash fati e pajisje dhe janë sekuestruar 176 kompjuterë dhe 529 monitorë (televizorë) në subjektet e pikave të basteve.

Në hetim 14 pronarë lokalesh


Gjatë aksionit të Policisë së Tiranës, gjatë ditës së diel dhe të hënë, janë sekuestruar dhjetëra makineri lojërash fati, ruleta, tavolina pokeri dhe televizorë në pika bastesh, që rezultuan të paregjistruar në organet tatimore. Për këtë arsye, Policia referoi materialet në Prokurori ndaj 14 personave. Gjatë ditës së diel, operacioni “Fund marrëzisë” verifikoi 10 lokale, një me thyerje dhe nisi procedim penal ndaj 9 personave. Ndërsa dje u verifikuan 5 lokale të tjera dhe nisi procedim penal ndaj 5 pronarëve të këtyre lokaleve.

Policia: Pronari i kompjuterave “në kërkim”


Pas sekuestrimit të 600 kompjuterave në Shkozë të Tiranës, Policia bëri të mundur identifikimin dhe nisjen e procedurave hetimore ndaj pronarit të pjesës më të madhe të makinerive. Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit thanë se: “Nga hetimet paraprake të kryera rezulton se ky ambient magazine shërbente për grumbullimin e lojërave të fatit dhe kompjuterave, të cilat janë të kompanisë ‘Apex’ me administrator shtetasin A.Kontaci, 45 vjeç, me banim në Tiranë”. Mësohet se ndaj tij ka nisur procedim penal në gjendje të lirë. Aktualisht strukturat e Policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, po verifikojnë dokumentacionin, i cili rezulton të jetë i parregullt dhe i paregjistruar. Pasi të përfundojë verifikimi, të gjitha pajisjet do të transportohen në Lundër, ku mbahen edhe kompjuterat e tjerë të sekuestruar.

RASTET E REFERUARA NE PROKURORI


1. Y.Caushaj, pronar i një lokali te Pazari i Ri, iu gjetën 2 kompjutera të palicencuar

2. D.Xhaja, pronari i një lokali në Kamzë, iu gjetën 6 kompjutera pa dokumentet përkatëse

3. T. Bardhoshi, pronari i një lokali te “Myslym Shyri”, iu gjetën 17 makineri elektronike pa licencë

4. E.Sulaj, pronari i një lokali te “Sami Frashëri”, iu gjetën 6 makineri elektronike të palicencuara dhe një ruletë

5. E. Aliaj, pronar i një lokali te “Perlat Rexhepi”, iu gjetën 6 televizorë të paregjistruar në Tatime

6. B. Caushi, pronar i një lokali te “Nikolla Tupe”, iu gjetën 28 makineri elektronike dhe një tavolinë pokeri

7. S. Hidaj, pronar i një lokali te Rruga e Kavajës, iu gjet një reklamë ndriçuese e palicencuar

8. Në rrugën “Muhamet Gjollesha” u hap me thyerje një lokal ku u gjetën 10 makineri elektronike të palicencuara

9. E. Dollashi, pronar i një lokali në Lundër, iu gjetën 6 televizorë të palicencuar

10. Z. Alia, pronar i një lokali te Rruga e Durrësit, iu gjet 1 kompjuter i paregjistruar

11. G. Germau, pronar i një lokali te “Ferit Xhajko”, iu gjetën 4 aparate elektronike të paregjistruara

12. R. Shehu, pronar i një lokali në Kamzë, iu gjetën printera që printonin bileta sportive

13. P.Gjuzi, pronar i një lokali te Rruga Bardhyl, iu gjetën 10 makina elektronike të palicencuara

14. E. Martini, pronar i një lokali te Rruga e Durrësit, iu gjetën 4 makina elektronike e 3 televizorë të paregjistruar



Flet drejtoresha e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit


Sufali: Bllokim për të gjitha kazinotë e pikat e basteve, deri në verifikim



“Do të kontrollohen dhe verifikohen të gjitha subjektet që organizojnë lojërat e fatit. Asnjë biznes i tillë nuk do t’i shpëtojë bllokimit, i cili do të jetë i përkohshëm”. Kështu sqaron për gazetën “Panorama” Luneda Sufali, drejtoresha e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit…


Znj. Sufali, a mund ta dimë sa ka shkuar numri i kazinove dhe pikave të basteve që janë bllokuar deri më tani?


Shifrat e sakta dhe të rifreskuara gjenden te Ministria e Brendshme, ngaqë ndryshojnë vazhdimisht, në varësi të aksioneve të organizuara nga Policia e Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Lojërave të Fatit.


Nga një vëzhgim që gazeta bëri nëpër Tiranë, rezulton se shumica e kazinove dhe pikave të basteve janë të mbyllura, përjashtuar tek-tuk ndonjë. Si është bërë ky seleksionim për bllokim?
Do të kontrollohen dhe verifikohen të gjitha subjektet që organizojnë lojërat e fatit. Asnjë biznes i tillë nuk do t’i shpëtojë bllokimit. Do të jetë një bllokim i përkohshëm, por nuk mund të them se sa kohë do të zgjasë.


Si do të procedohet për t’i zhbllokuar?


Fillimisht do të kontrollohen dhe verifikohen nëse mjetet e lojërave të fatit janë të certifikuara nga trupa të akredituar dhe a funksionojnë sipas ligjit. Po kontrollohen e verifikohen gjithashtu të ardhurat dhe fitimet e subjekteve të licencuara në lojërat e fatit, si dhe shlyerjen e detyrimeve tatimore prej tyre, të rakorduara në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe degët e saj në rrethe. Pas këtyre procedurave, subjektet që do të rezultojnë në rregull me pajisjet, dokumentacionin dhe shlyerjet financiare, sigurisht që do t’u hiqet bllokimi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama