Zbulohet ne detin Jon nje anije e shekullit III para Krishtit

Zbulohet në detin Jon një anije e shekullit III para Krishtit
Reliti arkeologjik është i ruajtur mjaft mirë dhe është i përbërë nga amfora të mëdha, që mendohen se vijnë nga Afrika Veriore. Ky relit arkeologjik mendohet nga arkeologët se është ndoshta nga më të bukurit dhe nga më të ruajturit të gjetur ndonjëherë në ujërat e Mesdheut. Mbas gërmimeve që do të bëhen në të ardhmen në këtë relit, mendohet se të dhënat e fituara do të sjellin të reja mbi kuptimin e kontakteve të banorëve të Ilirisë së Jugut me kulturat e Mesdheut.

Ky zbulim është i shtati në listën e zbulimeve të rëndësishme të kryera nga kjo ekspeditë e përbashkët, e cila ka filluar 3 vite më parë, si bashkëpunim i fondacionit amerikan "RPM Nautical Foundation" dhe degës së Arkeologjisë Navale të Institutit të Arkeologjisë Shqiptare. Dy drejtuesit, Dr. Jeff Royal, nga pala amerikane dhe Dr. Adrian Anastasi, nga pala shqiptare, thonë se "kjo ekspeditë po kryen gjithashtu matje të hollësishme të fundit të detit, duke kryer për herë të parë hartat e pasurive nënujore të detit shqiptar, dhe duke dhënë mundësinë e identifikimit të kësaj pasurie arkeologjike".

Teknologjia multibeam dhe përdorimi i robotëve në thellësi të mëdha që kjo ekspeditë po përdor, e radhit atë në një prej tri ekspeditave më të rëndësishme në Mesdhe, sipas ekspertëve të huaj të Arkeologjisë Navale.

Media amerikane i ka kushtuar dje hapësirë kësaj ekspedite, pasi zbulimet në Shqipëri, hapin një kapitull të ri në fushën e zbulimeve të arkeologjisë nënujore. Kërkime të ngjashme do të kryhen edhe në ujërat e Malit të Zi. Për herë të parë do ketë një bashkëpunim të tillë specialistëve të arkeologjisë navale, për të kërkuar thellësitë e bregdetit iliro-dalmat.



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama