Ekipet e polumbarëve ndërkombëtarë në liqenin e Ohrit, kanë zbuluar pjesë të një aeroplani për të cilin është përfolur shumë në Pogradec.
Bëhet fjalë për një aeroplan nga Lufta e Dytë Botërore dhe sipas informacioneve nga Pogradeci, ka të bëjë me një aeroplan gjerman, por, sipas drejtuesit të ekipit të kërkimit, Millutin Sekullovskit, pjesët e gjetura të aeroplanit dëshmojnë për një aeroplan anglez.
“Për këtë aeroplan është ditur dhe ne vetëm e zbuluam dhe e dokumentuam. Shumë nga banorët e Pogradecit dhe të vendeve përreth kanë thënë se është një aeroplan gjerman, por përkundrazi, bëhet fjalë për një aeroplan anglez. Pra, pas dokumentimit të pjesëve të aeroplanit, konstatuam se për çfarë aeroplani bëhet fjalë, sepse nën ujë duken vetëm pjesët e këtij aeroplani”, ka deklaruar Sekullovski.
Sipas portalit maqedonas INA, këta polumbarë nga Maqedonia dhe Shqipëria, kanë zbuluar disa vendbanime të hershme parahistorike siç është për shembull vendbanimi Vrbnik afër Strugës.