Zbulohet nje anije prej betoni ne Durres

Zbulohet nje anije prej betoni ne Durres
Në zonën nënujore të qytetit të lashtë të Durrësit është gjetur dhe më pas është filmuar   një anije e madhe e ndërtuar me konstruktin e skafit prej çimentoje. Pamjet e para të anijes së rrallë na i sjell për herë të parë nga thellësia e detit Thoma Berberi, pioner i prodhimit të mjeteve zhytëse të marinës nënujore shqiptare. Gjatë një gjuetie me pushkë deti ai ka rënë në gjurmët e anijes dhe ka realizuar më pas edhe konturet nënujore të mjetit të rrallë. Ai thotë se sipërfaqja nënujore e vendit tonë është nga më të pasurat, por kjo lloj anije është më e veçanta në llojin e saj dhe se për këtë ajo duhet nxjerrë nga zona ku është e zhytur  dhe duhet reastauruar. Anija ka pësuar dëmtime në zona të ndryshme sikurse edhe shihen nga pamjet e afruara, por ruhen mirë disa zona të veçanta. Ajo ndodhet rreth 1 km larg bregdetit të Durrësit në një thellësi prej 8 metrash. Dimensionet e përafërta të mjetit nënujor janë rreth 80 m gjatësi dhe 15 metër lartësi.

Prodhimi i anijeve prej betoni është i hershëm. Në Ekspozitën Universale të Parisit në vitin 1855 avokati francez J. L. Lambot çuditi botën mbarë teksa paraqiti një barkë të vogël të ndërtuar me një rrjetë metalike të mbuluar me llaç. Në vitin 1890 italiani C. Gabellini filloi prodhimin e anijeve me skaf betonarmeje dhe prej asaj kohe kjo teknologji filloi të përhapej në të gjithë globin.

Edhe në Kantierin Detar të Durresit ka qenë eksperimentuar prodhimi i varkave prej betoni. Sulejman Lajka i specializuar në R.P. të Kinës në vitet ‘70 të shekullit të kaluar për këto prodhime thotë se ato kanë leverdi ekonomike dhe se në Kinë në ato vite kishte filluar një prodhim i madh i tyre. Ai thotë se “në ditët e sotme shteti që prodhon në shkallë të gjerë anije të tilla, është Zelanda e Re, por edhe Kina”.

Zbulimi

Rreth anijes ka pasur njohuri vite më parë nga zhytës dhe peshkatarë të ndryshëm, por që nuk ka pasur foto ose pamje filmike të drejtpërdrejta. Pamjet e para i sjell konstruktori i batiskafit të parë në vendin tonë, batiskaf me të cilin janë realizuar edhe pamjet e para nënujëse të arkeologjisë. Thomai tregonte se si u filmua anija prej betoni gjatë një gjuetie për peshk që ai po bënte në thellësi të ujërave të detit Adriatik. Nga pas, tregon ai, po më ndiqte im bir, Eraldi, i cili edhe po më filmonte gjatë procesit të ndjekjes që i bëja një lloj peshku mjaft të lakmueshëm nga gjuetarët, kerrit. Peshku ishte i madh dhe u fut në një guvë që ndodhej në tabanin e tokës bregdetare. U afrova dhe pasi e pashë qartë në strehën e tij, sepse edhe dielli depërtonte mjaftueshëm dhe rëra nuk e kishte turbulluar terrenin nënujor, e qëllova me shtizën që i depërtoi dhe pas kësaj e kapa peshkun i cili pasi e peshuam rezultoi se kishte qenë rreth 11 kg. Gjatë përpjekjeve për ta zotëruar peshkun pashë në konturet e përthyera të nënujit një ndërtesë të nënujshme që më bëri ta harroj gjahun. Ajo ishte një anije jo metalike. Zonat e obllave, pjesët e rrumbullakta të dritareve ku vendoseshin xhamat ishin dëmtuar dhe aty dukej përbërja prej betoni e kesaj anijeje që ishte dëmtuar mjaft. Po kishte edhe pjesë që ishin dëmtuar së tepërmi. E filmuam gjithandej, dhe i ruajtëm këto pamje filmike, ashtu siç kemi ruajtur edhe pjesë të tëra me filmime pamjesh të mrekullueshme të bregdetit nënujor që përbëjnë një fond të pasur pamjesh, të cilave do t’u rritet vlera me kalimin e viteve.

Disa nga pamjet e filmuara me kamera nënujore i morëm dhe po i botojmë edhe për lexuesit tanë. Janë pamje nënujore, por duken qartë korridori i anijes si dhe kabllot e instalimeve elektrike të sajat, po ashtu edhe dritaret e rrumbullakta të cilat në gjuhën detare të marinarëve njihen si obllat e anijes. Thomai thotë se nënuji i vendit tonë është i mbushur me pasuri te rralla dhe me mjaft anije të lashtësisë, por një anije prej betoni është tepër e rrallë dhe si e tillë ajo do një kujdes për ta ruajtur dhe restauruar.

Kjo anije prej betoni nuk dihet ende se cilit shtet i përket si prodhim. Njohuritë e deritanishme janë të pakta dhe të papublikuara për publikun e gjerë. Duke qenë se është unikale për brigjet tona, Thomai thotë se ajo është një xhevahir i rrallë dhe se duhet trajtuar si e tillë. Ai thotë se anija është austriake dhe se mendohet që është mbytur në periudhën e Luftës së Parë Botërore. Ndonjë studim nga ekspertë të detit do të sqaronte në të ardhmen shumë enigma që akoma i fsheh anija në “hambaret” e saj të prejardhjes. Kur dhe ku është prodhuar dhe deri emrin që mund të ketë pasur dhe se si është mbytur në afërsi të brigjeve të Durrësit. Duke qenë në afërsi të brigjeve tona anija ka nevojë për një certifikim të identitetit të munguar të saj. Kjo është mungesë dhe kërkesë njëkohësisht e opinionit qytetar të Durrësit, të cilit duke ia betonizuar krenarinë historike të tijin brenda qytetit, tashmë të paktën i ka mbetur i paprekur nga betoni qytetërimi nënujor ku shtrihet edhe një pjesë e mbytur e Durrësit të vjetër.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama