Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar sot se ka zbuluar një tjetër skemë mashtrimi më TVSH-në. Skema përfshin biznese në fushën e kromit, ndërtimit dhe kartave rimbushëse telefonike. Dëmi në total sipas kësaj drejtorie shkon në 1 milion dollarë.
Drejtoria e Tatimeve bën të ditur se “Në datën 31.01.2014, mbi bazën e një hetimi dymujor të kryer nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, dolën për ekzekutim disa urdhër-arresti për disa administratorë subjektesh tregëtare.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin nëpërmjet mashtrimit me TVSH-në deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se kanë shkaktuar një dëm me vlerë rreth 1 milion dollarë duke shmangur TVSH-në në fushën e kromit, ndërtimit dhe të kartave rimbushëse telefonike.
Të pandehurit janë nën akuzë për veprat penale të cilat i kanë kryer në bashkëpunim “Krijimit të skemave mashtruese me TVSH” në bashkëpunim, “Fshehjes së të ardhurave” kryer ne bashkëpunim, “Falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve”, “Pastrimit të Produkteve të veprës penale”.
Ndërkohë në bazë të denoncimit të kësaj drejtorie policia ka vënë në pranga shtatasit Bujar Male dhe Urim Canaj dhe janë shpallur në kërkim 5 administratorë të tjerë.
“Administrata Tatimore iu bën thirrje subjekteve tatimpagues që të krijojnë marrëdhënie tregëtare me subjekte të besueshme dhe të mos përfshihen në skema mashtrimi të cilat shkatërrojne imazhin e subjekteve serioze dhe i shkaktojne dëme të konsiderueshme buxhetit të shtetit dhe shoqërisë”, thuhet në njoftimin e Tatimeve.