Zbulohet papirusi qe flet per bashkeshorten e Jezusit

Zbulohet papirusi qe flet per bashkeshorten e Jezusit
    Përkthimi i tekstit të zbuluar

…. “jo mua. Nëna ime më dha je[të]”
…. “dishepujt i thanë Jezusit”
…. “mohoje. Maria ia vlen”
…. “Jezusi u tha atyre, ‘Gruaja Ime’”
…. “Ajo do të jetë e aftë të jetë dishepulli im”
…. “Lërini njerëzit e këqij të fryhen”
…. “Sa për mua unë do të rri me të në mënyrë që”

Edhe pse ka shumë pyetje ende pa përgjigje, ky zbulim mund të rindezë debatin mbi faktin nëse Jezusi qe i martuar, nëse Maria Magdalena ishte bashkëshortja e tij dhe nëse ai kishte një dishepull nga seksi i dobët

Këto debate kanë filluar që në shekujt e parë të krishterimit, por janë shumë të rëndësishme sot për shkak të diskutimit mes të krishterëve mbi rolin e grave në kishë dhe kufijtë e martesës Ideja se Jezusi kishte një bashkëshorte qe temë themelore e librit të shumëshitur “Kodi i Da Vinçit” nga Dan Brown. Por dr. King thotë se nuk dëshiron të ketë të bëjë fare me kodin apo autorin: “Së paku, mos thoni se kjo provon që Dan Brown kishte të drejtë”, thotë ajo

Krishterimi

Një copë e vogël 4 centimetra me 8 centimetra është dokumenti më i hershëm që flet për bashkëshorten

LAURIE GOODSTEIN, NYT

Një historiane e Krishterimit të Hershëm në Universitetin e Harvardit ka identifikuar një mbetje papirusi, për të cilën thotë se është shkruar në gjuhën kopte në shekullin e katërt dhe përmban një frazë të paparë në asnjë dokument tjetër: “Jezusi u tha atyre, ‘Gruaja ime…’”

Fragmenti i papirusit është më i vogël se një kartë identiteti me tetë rreshta në njërën anë, të shkruara me bojë të zezë dhe që lexohen me anë të një lenteje. Poshtë rreshtit ku shkruhet se Jezusi kishte një bashkëshorte, papirusi përfshin një fragment tjetër provokativ ku thuhet “ajo do të jetë e aftë të jetë dishepulli im”.

Zbulimi u bë publik në Romë, të martën, në Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Kopte nga Karen L.King, një historiane e cila ka botuar shumë libra mbi biblat e zbuluara së fundmi dhe që është gruaja e parë që mban një nga postet e profesoratit më të vjetra të Amerikës, atë të profesorit të çështjeve fetare.

Prejardhja e fragmentit të papirusit mbetet një mister dhe pronari ka dëshiruar të mbetet i panjohur. Deri të martën, dr. King ia pati treguar fragmentin vetëm një rrethi të ngushtë ekspertësh në papirologji dhe në gjuhën kopte, të cilët dolën në konkluzionin se ka shumë pak gjasa që ky dokument të jetë i falsifikuar. Por ajo thotë se pret që papirusi të analizohet nga më shumë ekspertë në mënyrë që të dilet në një konkluzion më të gjithëpranuar.

Edhe pse ka shumë pyetje ende pa përgjigje, ky zbulim mund të rindezë debatin mbi faktin nëse Jezusi ishte i martuar, nëse Maria Magdalena qe bashkëshortja e tij dhe nëse ai kishte një dishepull nga seksi i dobët. Këto debate kanë filluar që në shekujt e parë të krishterimit, por janë shumë të rëndësishme sot, për shkak të diskutimit mes të krishterëve mbi rolin e grave në kishë dhe kufijtë e martesës.

Debati është veçanërisht i zjarrtë në Kishën Katolike Romane, e cila ka këmbëngulur që mësuesia dhe roli i priftit nuk mund t’i ngarkohen grave apo burrave të martuar, për shkak të modelit të përcaktuar nga Jezusi.

Dr. King dha një intervistë dhe tregoi papirusin e mbyllur në xham për reporterët e “The New York Times”, “The Boston Globe” dhe “Harvard Magazine” në zyrën e saj në kullën e Shkollës së Divinitetit të Harvardit. Në mënyrë të përsëritur ajo këmbënguli në faktin se ky fragment nuk duhet të interpretohet si një provë që Jezusi, personi historik, ishte me të vërtetë i martuar. Teksti ka shumë gjasa që është shkruar disa shekuj pasi Jezusi jetoi dhe e gjithë literatura e hershme kristiane e besueshme është e heshtur mbi këtë çështje.

Por zbulimi është gjithsesi shumë joshës, thotë dr. King, sepse është dëshmia e parë që disponojmë nga antikiteti dhe që raporton fjalët e Jezusit që flet për një bashkëshorte. Kjo dëshmon gjithashtu se mes të krishterëve të hershëm ka pasur një debat të gjerë mbi faktin nëse Jezusi qe beqar apo i martuar dhe se cilin prej shembujve duhet të ndjekin besimtarët e tij.

“Ky fragment tregon se të krishterët e hershëm kishin një traditë e cila fliste për Jezusin si një njeri të martuar”, thotë ajo. “Ne sakaq e dimë se kishte një debat në shekullin e dytë mbi këtë çështje e ndërthurur me debatin nëse të krishterët duhet të martohen dhe të kryejnë seks”.

Dr. King mësoi fillimisht për atë që ajo e quan “Ungjilli i Gruas së Jezusit” në vitin 2010, kur mori një e-mail nga një koleksionist privat, i cili i kërkoi ta përkthente papirusin. Dr. King, 58 vjeçe, është e specializuar në literaturën kopte dhe ka shkruar libra mbi Ungjillin e Judës, Ungjillin e Maria Magdalenës, gnosticizmin dhe gratë në lashtësi.

Pronari, i cili disponon një koleksion papirusesh greke, kopte dhe arabe, nuk është i gatshëm të identifikohet me emër, nacionalitet apo vendndodhje për shkak se, sipas Dr. King, “nuk dëshiron të përndiqet nga njerëz të gatshëm për ta blerë këtë dokument”.

Kur, ku apo si u zbulua fragmenti nuk dihet. Koleksionisti e bleu atë së bashku me një sasi tjetër papirusesh më 1997 nga një pronar i mëparshëm, një gjerman. Ai ishte shoqëruar me një shënim me dorë në gjermanisht ku përmendet një profesor i Egjiptologjisë në Berlin, tashmë i ndarë nga jeta dhe e citon atë duke thënë se ky është “teksti i vetëm” që ekziston dhe ku përmendet Jezusi me një bashkëshorte.

Pronari ia dërgoi fragmentin Harvardit në dhjetor 2011 dhe i ia la dr. King. Në mars, ajo e mori fragmentin në çantën e saj të kuqe në Nju Jork për t’ia treguar dy papirologëve: Roger Bagnall, drejtor i Institutit për Studimin e Botës së Lashtë në Universitetin e Nju Jorkut dhe AnneMarie Luijendijk, profesore e asociuar për religjionin në Universitetin Princeton.

Ata e ekzaminuan papirusin, duke përdorur një lente shumë zmadhuese. Qe një copë shumë e vogël 4×8 centimetra. Germat qenë shkatarraqe dhe të dobëta, të shkruara nga dora e një amatori. Por kjo nuk është e pazakontë për këtë periudhë, kur shumë të krishterë qenë të varfër e të persekutuar.

Parirusi ishte shkruar në gjuhën kopte, një gjuhë egjiptiane që përdor germa greke dhe më saktë, në gjuhën Kopte Sahidike, një dialekt nga Egjipti i Jugut. Ajo çfarë i bindi ata për origjinalitetin ndoshta qe boja në zhdukje mbi fibrat e papirusit dhe gjurmët e bojës përkonin me fundin e copës. Në pjesën e pasme, boja ishte aq e zbehtë sa vetëm pesë fjalë qenë të lexueshme: “Nëna im[e]”, “pemë”, “pra.”

“Është e pamundur për t’u falsifikuar”, thotë dr. Luijendijk, e cila ndihmoi studimin e dr. King. Dr. Bagnall argumenton se një falsifikues për të realizuar diçka të tillë duhet të jetë ekspert në gramatikën kopte, në shkrimin me dorë dhe në ide. Shumica e falsifikimeve që ai ka parë kanë qenë shumë pak të sofistikuara për të mashtruar një ekspert. Dhe nëse bëhet fjalë për një falsifikim që synon të shkaktojë sensacion apo të bëjë dikë të pasur, pse duhet që ky dokument të mbetej në hije për kaq shumë vjet?

“Është e vështirë të krijosh një skenar të logjikshëm për të dalë në konkluzionin se dikush e ka falsifikuar këtë gjë. Në botë nuk është se ka shumë papirologë”, thotë dr. Bagnall.

Copa e disponueshme është e ashpër në të katër anët, gjë që do të thotë se dokumenti që mungon do të ketë pasur të dhëna në të majtë dhe në të djathtë, lartë dhe poshtë copës së zbuluar. Ndoshta kjo mund të jetë rrjedhojë e ndonjë tregtari që e ndau papirusin në shumë copa për ta shitur shumë herë.

Shumica e kontekstit, për rrjedhojë, mungon. Por dr. King u godit nga frazat në fragment si “Nëna më dha mua jetë”, dhe “Maria është e vlefshme për këtë, të cilat ngjajnë me fragmente nga Ungjilli sipas Thomait dhe Marisë. Ekspertët besojnë se këto qenë shkruar vonë në shekullin e dytë dhe u përkthyen në gjuhën kopte. Dr. King supozon se edhe ky tekst duhet të jetë përkthyer nga ndonjë tekst në greqisht i shekullit të dytë.

Kuptimi i fjalëve “gruaja ime” është jashtë çdo diskutimi, thotë Dr. King. “Këto fjalë nuk mund të kenë asnjë kuptim tjetër”. Teksti përtej fjalëve “gruaja ime” mungon. Dr. King nuk e ka kryer analizën e moshës së botës përmes testimit të karbonit. Ajo thotë se një procedurë e tillë do të kërkojë heqjen e një pjese të madhe të dokumentit dhe shkatërrimin e tij. Por thotë se do të përdorë spektroskopin, i cili mund të përcaktojë me afërsi moshën, duke analizuar kompozicionin kimik të shprehur te ngjyrat.

Dr. King ia dha studimin e saj Revistës Teologjike të Harvardit, e cila i kërkoi tre studiuesve ta analizonin atë. Dy prej tyre vunë në dyshim autenticitetin e dokumentit, por thanë se kishin parë vetëm fotografi me rezolucion të ulët të fragmentit dhe qenë të painformuar mbi faktin se edhe papirologë ekspertë e kishin parë dokumentin origjinal dhe e kishin vlerësuar atë si autentik. Një nga të dy vuri në diskutim gramatikën, përkthimin dhe interpretimin.

Ariel Shisha-Halevy, një linguiste e famshme e gjuhës kopte në Universitetin Hebraik të Jerusalemit tha në një e-mail: “Besoj – në bazë të gjuhës dhe gramatikës se teksti është autentik”. Pasi dyshimet kryesore u eliminuan, revista pritet ta publikojë studimin janarin e ardhshëm. Dr. King thotë se do të nxisë pronarin të bëhet publik në mënyrë që teoritë e konspiracionit të mos lulëzojnë siç ndodh zakonisht në këto lloj rastesh.

Ideja se Jezusi kishte një bashkëshorte qe temë themelore e librit të shumëshitur “Kodi i Da Vinçit” nga Dan Brown. Por Dr. King thotë se nuk dëshiron të ketë të bëjë fare me kodin apo autorin: “Së paku, mos thoni se kjo provon që Dan Brown kishte të drejtë”, thotë ajo.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama