Planeti në fjalë ka përmasa dy herë më të mëdha se planeti Tokë dhe rrotullohet rreth yllit të vet me një shpejtësi shumë herë më të madhe se Toka (brenda 18 orëve, ndërkohë që Toka rrotullohet në 365 ditë). Identikiti interesant i këtij planeti është ndërtuar nga Nikku Madhusudhan, nga Universiti i Yale, SHBA.
Kështu, është arritur në përfundim se trupi qiellor i zbuluar ka një shtresë sipërfaqësore prej grafiti dhe në një pjesë të madhe të përbërjes së tij ka diamante. Masa e tij është tetë herë më e madhe se e Tokës dhe është vlerësuar se shtresa e diamantit përfaqëson një të tretën e gjithë përbërjes së tij, pra një masë të konsiderueshme.
Megjithëse planeti nuk është fotografuar dhe analizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, shkencëtarët kanë përdorur mënyra të sofistikuara, duke u nisur në radhë të parë nga fakti se ylli i tij kishte përbërje të lartë karboni (diamanti është i formuar nga karboni) dhe në këtë mënyrë, në procesin e formimit planetar, kjo prani e lartë karboni kishte ndikuar në origjinën e përbashkët të formimit të yllit dhe të planetit. Më tej, analizat më të hollësishme i bënë shkencëtarët të dalin në konkluzion se planeti ishte i përbërë nga një sasi e konsiderueshme diamanti.
Zbulimi i teorizuar prej kohësh, e bën gjithmonë edhe më interesant realitetin planetar jashtë sistemit tonë diellor. Karakteristikat e ndryshme të këtyre planeteve nga ato të sistemit tonë tregojnë mundësinë e proceseve gjeokimike dhe gjeofizike shumë të ndryshme nga ato të imagjinuara në të kaluarën dhe gjithmonë interesante për shkencën. Aq më tepër kur bëhet fjalë për planetë prej diamanti.
11 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)