Kristi Vangjeli, ish-futbollisti i kombëtares shqiptare të futbollit, nuk ka mundur t'i gëzohet golit të fitores së Shqipërisë ndaj Rumanisë, pasi ka ndjekur takimin bashkë me shokët e skuadrës të Astra Giurgiu, ku ka firmosur pak ditë më parë.
Ka qenë vetë trajneri i ekipit kampionin të Rumanisë, Marius Sumudica, ai që ka treguar se Vangjeli nuk ka pasur guximin të festonte para shokëve të ekipit kur Shqipëria gjeti rrugën e rrjetës me Sadikun.
"Ne kemi afruar një futbollist shqiptar në ekip, por i shkreti nuk kishte kurajën të gëzohej as kur Shqipëria shënoi gol. Ne të tjerët ishim të gjithë tifozë me Rumaninë, deshëm që ajo të kualifikohej, ndaj si rrjedhojë ai nuk kishte kurajën të gëzohej para nesh.
Por ne ishim shumë të nervozuar dhe u larguam nga vendi ku po shihnim ndeshjen në pushimin e saj, duke e lënë që ta shihte i vetëm vazhdimin", tregoi Sumudica.
Ai kritikoi ashpër kombëtaren rumune për paraqitjen e saj. "Më vjen turp tani që jam kampion i një futbolli të tillë", tha ai për "Digi Sport Special".