Astronomët europianë kanë njoftuar zbulimin e një tërësie prej 50 planetësh jashtë sistemit tonë diellor. Mes tyre ndodhej njëri që ndodhet në atë që shkencëtarët e quajnë “Zota Goldilock”, e cila nuk është as tepër e nxehtë dhe as tepër e ftohtë për ekzistencën e ujit të lëngshëm, një nga elementët kryesorë të jetës në Tokë. Bëhet fjalë për zbulimin e një planeti të dytë që ndodhet në këtë zonë shumë të favorshme sipas shkencëtarëve për zhvillimin e jetës. Planeti i parë është zbuluar në vitin 2007. Në mënyrë që një planet të mundësojë mbështetjen e lindjes dhe zhvillimit të jetës duhet që jo vetëm të ketë mundësinë e ekzistencës së ujit, por duhet të ketë edhe një sipërfaqe solide dhe kompakte të ngjashme me sipërfaqen e Tokës dhe jo një sipërfaqe të përbërë nga gazi si në rastin e Jupiterit. Planeti i ri i sapozbuluar, i cili ka emrin shifror HD85512b, është 3.5 herë më i madh se planeti ynë dhe vlerësohet që në sipërfaqen e tij, temperaturat të variojnë nga 30 deri në 50 gradë Celsius dhe mendohet se atmosfera e tij është shumë me lagështirë, ndaj klima e planetit i ngjan vazhdimisht asaj të një banjoje me avull.
Sipas një shkencëtareje të “Max Planck institutes”, e cila është marrë me kolegët e saj me analizimin e elementëve përbërës të planetit, ai ka një sërë kushtesh për zhvillimin e jetës, edhe pse temperatura është pak më e lartë nga ajo që do të duhej për një jetesë normale të qenieve të gjalla në sipërfaqen e këtij planeti. Megjithatë ajo thotë që, nëse njerëzit e Tokës do ta kishin vështirë ambientimin në këtë planet, ndoshta qenie me ndërtim trupor më të përshtatshëm për planetin do të ambientoheshin disi në sipërfaqen e tij. Sipas saj, ndoshta për shkak të një sërë kushtesh, krijesat që do të jetonin në të do të ishin më të shkurtra dhe me trup më të ngjeshur se njerëzit Tokës. Kjo edhe për shkak se graviteti në këtë planet është 1.4 herë më i madh se në Tokë. Sipas studiueses gjermane, të paktën 60% e planetit do të duhet që të mbulohej me re për të qenë potencialisht i banueshëm. Toka, për shembull, ka 50% të hapësirës së saj të buluar nga retë. HD85512b rreth-rrotullohet ndaj një ylli, ose një dielli që ndodhet 35 vite dritë larg planetit tonë Tokë, në një konstelacion që ka emrin Vela. Një vit dritë ka 5.8 trilionë kilometra. Një vit në këtë planet ka vetëm 60 ditë. Dielli i tij është më i ftohtë se dielli ynë me 1000 gradë.
Planetët e rinj jashtë sistemit tonë diellor janë zbuluar nga një instrument i veçantë për zbulimin e trupave hapësinorë, që quhet HARPS dhe ndodhet në Observatorin e Europës Juglindore, me bazë në Kili në Amerikën Latine. Këto zbulime dyfishojnë numrin e planetëve që janë të ngjashëm me Tokën, si nga përmasat ashtu edhe për nga largësia që kanë me Diellin. Sa i takon planetit të fundit, ai i është vëzhguar për një kohë të gjatë, për 200 net rresht dhe astronomët kilianë janë të bindur se ai ekziston dhe këtë e vërtetojnë edhe disa kolegë të Observatorit të Gjenevës.