Në Amfifolis të Greqisë Veriore
Varri u zbulua në fillim të gushtit
Derisa bota pret të shohë nëse një nga të afërmit e Aleksandrit të Madh gjendet i varrosur në një varr në Greqinë veriore, ekspertët tani kanë zbuluar tërësinë e një mozaiku të sapogërmuar. Në të shfaqet miti i Persefones duke ngalur një karrocë, ku ajo kidnapohet dhe dërgohet në ferr. Zbulimi në Amfifolis të Greqisë veriore i shton peshë dyshimeve të arkeologëve që grumbulli i gurëve të varrosur mund të mbajnë mbetjet e nënës apo gruas së Aleksandrit të Madh ose ndoshta një ushtarak të rëndësishëm.
Figura e vajzës së Zeusit
Ekspertët deri më tani kanë zbuluar statuja të mëdha që mbrojnë varrin të cilat sugjerojnë se ai varr mund të jetë vendi i prehjes së nënës së Aleksandrit të Madh. Ministria Greke e Kulturës e ka zbuluar edhe pjesën tjetër të mozaikut, pasi zbuloi vetëm disa pjesë javën e kaluar. Mozaiku ka dimensionet 4.5 X 3 metra dhe mbulon tërë dyshemenë e një dhomë që mendohet të jetë holli para dhomës së varrimit në Amfopolis. Figura femërore është Presefonea, vajza e Zeus-it dhe perëndesha e të korrave Demetera, e cila ka të veshur një fustan të bardhë dhe nget karrocën, sipas ‘The Greek Reporter’. Ekspertët thonë që kjo skenë tregon rrëmbimin e saj nga Plutoni që më pas e dërgon atë në botën nëntokësore. Ajo bëhet mbretëreshë e ferrit për gjysmën e çdo viti. Hermesi, i dërguari i zotave, shihet duke e dërguar karrocën drejt ferrit. Skena që është bazuar në mitet antike greke ishte e popullarizuar për ilustrimin e varreve në atë kohë dhe një mural e temë të ngjashme është gjetur edhe në një tjetër varr mbretëror në afërsi. Mozaiku është i kompozuar nga pjesë të vogla të gurëve me ngjyrë të bardhë, të zezë, të kaltër, të kuqe, të verdhë dhe të hirtë për të formuar imazhin e karrocës që tërhiqet nga dy kuaj, të cilën e nget Plutoni, një burrë me mjekër që ka në kokë një kurorë të gjetheve të dafinës. Ajo mbrohet me shtresa të stiroporit dhe një shtresë druri e përkohshme derisa arkeologët punojnë në zbulimin e përmbajtjes së dhomës tjetër.
Varri mund të jetë edhe i një gjenerali të Aleksandrit
Mozaiku daton nga shekulli i katërt para Krishtit duke u përshtatur edhe me zbulime të tjera që i takojnë kohës së Aleksandrit të Madh. Varri u zbulua në fillim të gushtit. Kishte në fillim shumë spekulime në lidhje me atë se kush mund të jetë i varrosur aty, duke filluar nga Roksana, gruaja persiane e Aleksandrit deri te Olympia, nëna e mbretit. Më pas u mendua që varri mund të jetë i njërit prej gjeneralëve të tij. Një numër studiuesish besojnë që prezenca e figurave femërore që njihen si Kariatid, tregojnë që varri i përket një femre. Shkrimtari Andrew Chugg, i cili ka botuar një libër me hulumtime për varrin e liderit legjendar, si dhe disa punime akademike tha për ‘The Greek Reporter’ që sfinksat të cilët e ruajnë varrin janë dekoruar në një mënyrë të ngjashme me ata që gjenden në varret e dy mbretëreshave të Maqedonisë duke e përfshirë edhe gjyshen e mbretit. Në mitologjinë greke, Hera, gruaja e Zeusit, paraqitet si dashnore e sfinksit. Pasi mbretërit maqedonas të kohës së Aleksandrit e identifikonin veten me Zeus-in, Chugg mendon që mbretëreshat e tyre mund të jenë identifikuar me krijesën mitike. Ai vazhdon të shpjegojë që sfinksat të cilët e ruajnë varrin janë shumë të ngjashëm me ata që ndodhen në nekropolisin e Egjiptit, i cili mendohej të ketë qenë varri i parë i Aleksandrit të Madh, trupi i të cilit mendohet se është lëvizur nga vendi në vend pas vdekjes. Ai gjithashtu e thekson që fasadat e varrit të babait të Aleksandrit të Madh, Filipit të dytë dhe Aleksandrit të IV-të ishin të ngjashëm me fasadën e monumentit të luanit të gjetur, që mendohej se qëndronte mbi varrin misterioz. Me tërë këtë, ai beson që vendi i varrezës ishte ndërtuar për Olimpian ose gruan e Aleksandrit të Madh, Roxanen, të cilat mendohet se kanë vdekur në Amfopolis në kohën e njëjtë me konstruktimin e varrit, në çerekun e fundit të shekullit të 4-të para Krishtit. Chugg mendon që ky varr ka më shumë mundësi të jetë ndërtuar për Olimpian pasi figurat femërore që ndodhen pranë tij janë pasqyrim i Klodones, murgeshës së Dionisit. Shkrimtari grek Plutarku thotë në një biografi për Aleksandrin e Madh që nëna e tij shoqërohej me murgeshën. Në të ai shkruan që Filipi II ëndërronte ta mbyllte mitrën e Olimpias me një vulë luani, gjë që ndoshta shpjegon statujën e luanit që mendohej se ishte vendosur mbi vendin e varrezës misterioze. Ekspertët edhe më parë kanë sugjeruar që varri i takon njërit prej zyrtarëve të mbretit. Ka shpresa megjithatë që një trup mund të gjendet ende brenda pirgut të gurëve masiv të varrit. Gjatë gërmimeve të fundit, arkeologët kanë zbuluar fragmentet e një dere të thyer të mermerit e cila të dërgonte në dhomën e tretë të varrit. Ata kanë zbuluar gjithashtu gozhda hekuri dhe bronzi si dhe një menteshë dere të madhe. Sipas tyre, të gjitha dëshmitë përshtaten me formën standarde të një varri maqedonas.
Varri ishte plaçkitur në kohën antike
Ekspertët besojnë që varri antik, që gjendet 100 km larg Selanikut, ishte ndërtuar për një maqedonas të njohur dhe të rëndësishëm rreth vitit 300 deri në 325 PK. Qasja në dhomën e tretë u mundësua pasi që ekspertët zbuluan dy figura të gdhendura femërore që njihen si Kariatid, muajin e kaluar. Me largimin e sasive të mëdha të dheut, prapa murit që përmban dy figurat femërore të gdhendura, ata ishin në gjendje të zbulonin dhomën tjetër. Deri tani ekspertët e kanë hetuar vetëm pjesërisht pjesën fillestare apo paradhomën e varrit dhe kanë zbuluar një mur të mermerit që mbulon një apo më shumë dhoma të brendshme. Gjatë observimeve fillestare arkeologët e zbuluan që niveli i dheut me rërë në dhomën e tretë është më i ultë se në dy dhomat e mëparshme. Struktura e dhomës ishte dobësuar, si rezultat i humbjes së një sasie të madhe të tokës dhe hulumtuesit kishin zbuluar që pjesa e sipërme e dhomës së tretë është në prag të kolapsimit, për shkak të çarjeve të thella në të dyja anët. Para zbulimit të Kariatideve, ata mendonin që varri shumë i rëndësishëm që daton nga koha Aleksandrit të Madh ishte plaçkitur gjatë periudhave antike të kohës. Arkeologët thanë që një vrimë në murin e dekoruar dhe shenjat e hyrjes së dhunshme tregonin që varri mund të ishte plaçkitur. Por zbulimi i skulpturave femërore u dha shpresë të re që një pjesë e thesarit mund të ketë mbijetuar pas të gjithave. Kariatidet janë të krijuara nga mermeri dhe ndodhen pranë hyrjes në një dhomë edhe më të brendshme në varr. Ato kanë një lloj teknike të gdhendjes të ngjashme me kokat dhe krahët e dy sfinksave që ruajnë hyrjen kryesore të varrit të zbuluar muajin e kaluar. ‘Struktura e hyrjes së dytë me Kariatide është një zbulim i rëndësishëm, i cili e mbështet pikëpamjen që është një monument i shquar i rëndësisë së madhe’, tha Ministria e Kulturës. Arkeologët thanë që Amfipolisi duket se është një nga varret më të mëdha antike të zbuluara ndonjëherë në Greqi me gjerësi 590 metra.