Zbuloni miresite e banjes me uje te ngrohte

Zbuloni miresite e banjes me uje te ngrohte
Afërdita notonte në ujërat e Detit Egje, Kleopatrës i pëlqenin banjat me qumësht. Rituali i banjës është gjetja ideale dhe më e shëndetshme për njeriun, më i praktikuari i planetit. Ekspertët shpjegojnë sesi mund ta shndërrojmë sot këtë ritual të vjetër të larjes në një takim të përditshëm dhe ta bëjnë sinonim të shëndetit e bukurisë.

Hapi i parë: gjetja e kohës

Një banjë e shpejtë nuk shërben për asgjë. Duhet t’i kushtoni të paktën një orë “ceremonisë” së banjës rigjeneruese. Kur duhet ta bëni? Para darkës ose gjumit, për të lehtësuar tensionin e muskujve dhe për të parapërgatitur trupin dhe mendjen për një gjumë të qetë. Zgjidhni vajrat esencialë më të përshtatshëm dhe para se të zhyteni në vaskën me ujë, fërkojeni trupin me një sfungjer të thatë. Rregulloni temperaturën e ujit, duke pasur parasysh faktin që banjat shumë të nxehta (mbi 37°C) kanë tendencë t’ju çlodhin indet dhe t’ju ulin tensionin. Koha e këshilluar për qëndrimin në dush është 20 minuta, ndërsa 10 minuta të tjera mund t’ia kushtoni tharjes së trupit pa e fërkuar. Në fund, zhytuni në një vaskë me ujë të ngrohtë dhe qëndroni 40 minuta në qetësi dhe me sytë mbyllur. Gjithashtu ka banja “dite” që mund të bëhen në mëngjes (duke u futur shpejt e shpejt 10 minuta në vaskë, për t’i dhënë kuptim tjetër ditës) dhe banja “pasdite” që zakonisht bëhen në vjeshtë dhe zgjasin 30-40 minuta dhe shërbejnë si kurë për bukurinë, për të ledhatuar trupin dhe për të zbutur melankolinë tipike të kësaj kohe në vit.

Banja e mëngjesit: është burim i energjisë pozitive

Keni fjetur keq dhe ju pret një ditë e lodhshme plot punë? Dhembja e kokës e nxitur nga stresi vazhdon të rëndohet? Mbushni vaskën me ujë të ngrohtë, përzieni vajin esencial të rozmarinës (2 pika), livandë (2 pika), eukalipt (2 pika) dhe hidheni në vaskë. Ky është një burim i vërtetë energjie. E shkëlqyer është edhe banja me vaj esencial pishe (8-10 pika), që përveç efektit qetësues mund të përdoret si kurë parandaluese kundër ftohjes.

Banjat efikase stimuluese mund të përgatiten edhe me çaje bimore: mund të blini në farmaci një kilogram lule groshe të thatë dhe ta përzieni atë më pas me një lugë gjelle kanellë dhe pak lule shtogu. Përzierja futet në një garzë dhe më pas zhytet në vaskën me ujë të ngrohtë 10 minuta para dushit.

Banja e pasdites: zbut lëkurën dhe shton humorin

Keni lëkurë të irrituar, të skuqur dhe të thatë nga i ftohti? Vuani nga ekzemat, urtikaria dhe djersitja gjatë natës? Nuk jeni në humor të mirë? Për të rikthyer qetësinë, përdorni banjat me petale trëndafili (një grusht, ose 4-6 pika vaj esencial), niseshte patateje (një lugë gjelle), niseshte orizi (një lugë gjelle), miell bajame (një lugë gjelle), lule shtogu (dy duar) dhe pak lëkurë limoni. Vendoseni sërish në një garzë dhe zhyteni në vaskën me ujë të ngrohtë 10 minuta para se të bëni dush.

Për një efekt dezinfektues këshillohen banjat me fara lini (100 gramë fara lini, 100 gramë rrënjë të mëllagës së bardhë futini në një garzë dhe më pas vendosini në vaskë). Po ashtu, edhe uthulla e mollës mund të përdoret për një efekt qetësues dhe pastrues: mjaftojnë dy lugë gjelle në vaskën me ujë të ngrohtë. Një veti tjetër e uthullës së mollës është që i jep shkëlqim lëkurës.

Banja e darkës: çlodh muskujt dhe largon stresin

Ndiheni të tendosur si një tel violine? Nuk arrini të çlodheni dhe keni frikë se mos nuk iu zë gjumi? Mund ta gjeni zgjidhjen, duke bërë një banjë në vaskën me ujë të nxehtë. Efekti do të jetë më i shpejtë nëse i shtoni edhe pak vaj esencial trëndafili (3 ose 4 pika). Banjat kundër stresit mund të përgatiten edhe me lule kamomili (në një litër ujë zihen 50 gramë lule kamomili për 10 minuta, më pas shtojani ujit në vaskë), gështenja Indie (të thara dhe të thërrmuara, mjafton pak që banja juaj të kthehet në një masazh qetësimi) ose akacie: në një garzë hidhni disa lule akacie, dy lugë gjele, niseshte orizi, dy lugë gjelle krunde dhe dy lugë gjelle sodë buke. Lidheni dhe lagni fundin e garzës, më pas fërkoni trupin në ujin e nxehtë, duke e përdorur përzierjen si sfungjer.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama