CDU është përpara një ndryshimi planesh përsa i përket politikës së emigracionit. Sipas revistës Spiegel, në shtator do të vendoset për të miratuar një ligj të ri për emigracionin në Gjermani. Deri më tani ka pasur shumë rregullore për emigrantët, por nuk ka pasur një ligj.
Sipas Spiegel, edhe kancelarja Merkel është pro miratimit të një ligji.
Më herët ishte Sekretari i Përgjithshëm i CDU, Peter Tauber, që kishte sinjalizuar diçka të tillë, por kishte hasur në kundërshtimin e ashpër të ministrit të Brendshëm, Thomas de Maiziere. Por Merkel ka dalë në krah të Tauber.
Socialdemokratët e majtë kanë kohë që kërkojnë një ligj për të rregulluar kriteret e nevojshme për emigrim në Gjermani.
“Aktualisht në Gjermani ka një fluks emigrantësh si kurrë më parë. Debati politik për këtë çështje është eklipsuar nga sulmet mbi qendrat e azilkërkuesve,” raporton Spiegel.
Ndërkohë kryebashkiaku i Hamburgut, Olaf Scholz pret që në ligj të përfshihet propozimi i tij për shqiptarët dhe ata që vijnë nga shtetet ish-jugosllave.
“Nëse ata mund të provojnë se mund të bëjnë një punë në Gjermani, t’u mundësohet hyrja e ligjshme. Kjo marrëveshje rekrutimi ka funksionuar më parë me Jugosllavinë,” thotë ai për Spiegel.
“Kjo do ndihmojë së pari ata që vërtet kërkojnë punë, që të mos zgjedhin rrugën e gabuar përmes azilit. Për shumicën e tyre, emigrimi lidhet me një vend pune,” thekson Scholz.