Është fat i madh që studiuesi i njohur i gjuhës z.Emil Lafe është ende vital dhe me shumë dashuri për punën, por më shumë akoma me ndërgjegje të lartë profesionale dhe kombëtare. Të paktën, puna disa dekadike me korifejtë e gjuhës Çabej, Domi, Kostallari, e ka mësuar që argumentimin e duhur shkencëtari duhet ta tregojë në momentet më të vështira. Pikërisht, atë edhe që ka bërë, studiuesi i njohur përmes një qëndrimi publik, për ndryshimet e fundit në lidhje me drejtshkrimin. “Këshilli ndërakademik është ideuar si një mekanizëm i përhershëm që hap pas hapi ose edhe me zigzage, të arrijë në fund të fundit në atë që standardi i sotëm të mbetet një kujtim i së kaluarës, që kombi policentrik shqiptar të ketë një standard me këmishë të gjerë ku çdo folës krahinor ta ndiejë veten të përfaqësuar, pra një standard policentrik. Unë nuk jam pajtuar me këtë”, shprehet ai.
Si është e vërteta e një mbledhje të fundit mes specialistësh të gjuhës e që lidhet me ndryshimet në drejtshkrimin e shqipes?
“Siç e dini, unë nuk kam marrë pjesë në mbledhjet e sivjetshme të këshillit dhe arsyet i kam shpjeguar në tri letra të miat që ia kam drejtuar kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (të botuara dhe në media) dhe kryesisë së këshillit. Për to nuk kam marrë përgjigje, përveç këshillimeve se nuk është mirë të mos marr pjesë në mbledhje. Letrat e mia nuk janë zënë në gojë në Këshill. Dihet se në mbledhje janë diskutuar çështje të drejtshkrimit, sidomos drejtshkrimi i zanores ë të patheksuar, me synimin që të thjeshtohet përdorimi i saj. Ndër propozimet ka të tilla që ia vlen të diskutohen, ka dhe të tjera që të vjen keq që bëhen, që nuk janë për atë lloj forumi. Me këtë rast, dua të bëj të ditur për ata që ndoshta nuk e dinë, se pas Kongresit të Drejtshkrimit (20-25 nëntor 1972) komisioni hartues i projektit që u diskutua në Kongres (A. Kostallari, M. Domi, E. Çabej dhe E. Lafe) kanë punuar gjatë gjithë vitit 1973 për të ballafaquar rregullat e projektit me kërkesat e kumtesave e të diskutimeve që u mbajtën në Kongres, po edhe në mbledhje të tjera të posaçme e në shtyp. Këto kërkesa janë skeduar e shqyrtuar një për një, me shumë vëmendje. Mendoj se sot nuk është punë e urtë t’i rimarrim edhe një herë një për një. Zelli i tepruar për t’u marrë me drejtshkrimin frymëzohet nga arsye jashtëgjuhësore. Akademia e Kosovës pati dërguar dikur disa propozime, që mund të quhen largvajtëse, dhe në fund na paralajmëronte se, po të mos pranoheshin ato, në Kosovë do të shtoheshin zërat për një përmbysje të plotë të normës letrare, d.m.th. Kosova do të krijonte standardin e vet. Më ka ardhur keq për këtë lloj shantazhi”.
Në raste mbledhjesh të tilla, a duhet të ketë që më parë lajmërime publike dhe institucionale?
“Kështu do të ishte e udhës. Por që nga konferenca me pjesëmarrje të kufizuar, e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike në dhjetor 2010 në një hotel turistik në Plazhin e Durrësit, punët nuk më duket se po shkojnë mbarë. Për organizimin e një konference ku do të shtroheshin çështje problemore të shqipes standarde, mund të bëhej një mbledhje e zgjeruar e këshillit shkencor të Institutit të Gjuhësisë, ku të thirreshin të paktën punonjësit e vjetër të dalë në pension, ish-anëtarë të këshillit shkencor dhe bashkautorë të veprave themelore normative në fushën e gjuhës standarde. Le të mos i merrnin parasysh mendime e tyre, por të paktën, t’i dëgjonin! Për fat të keq kjo nuk u bë. Siç e përmenda, unë jam edhe një ndër anëtarët e komisionit hartues të ‘Drejtshkrimit të gjuhës shqipe’ dhe mund të ngarkohesha referoja në këtë konferencë, po të organizohej për së mbari. Nuk kam asgjë kundër që referatin për çështje të drejtshkrimit në atë konferencë e mori përsipër prof. Kolec Topalli. E përgëzoj! Gjithmonë i kam vlerësuar dhe kam përfituar nga oponencat e studiuesve seriozë, kam përfituar nga kritikat e vërejtjet e tyre për të përmirësuar diçka sado të vogël.
Por mua as që m’u kërkua ndonjë bashkëpunim. M’u dërgua një ftesë në javët e fundit, ku më kërkohej që brenda 10 ditësh të dërgoja temën e kumtesës dhe një përmbledhje, e cila do të shqyrtohej nga një komision dhe pastaj do të më jepej përgjigje nëse tema ime pranohej ose jo. Në çështjet e drejtshkrimit unë e ndiej veten jo vetëm përfaqësues të vetvetes, por edhe të mendimit e të punës së anëtarëve të ndjerë të komisionit, profesorëve të mi Eqrem Çabej, Mahir Domi dhe Androkli Kostallari, me të cilët kam punuar 25 vjet për këto çështje, që nga viti 1961 kur nisi hartimi i Projektit të drejtshkrimit, deri më1976, kur u botua ‘Fjalori drejtshkrimor’. Gjykojeni vetë a duhet të vesh, kur të ftojnë sa për të larë gojën, me kushte të tilla. Atëherë bëra një deklaratë publike dhe nuk mora pjesë në konferencë.
E vlerësoj përpjekjen e prof. K. Topallit për të rregulluar më mirë disa zgjidhje të drejtshkrimit. Por duhet ditur se drejtshkrimi i shqipes, si çdo drejtshkrim tjetër i formuar historikisht, i ngjan një qyteti të vjetër, ku rrugët nuk janë të gjitha të drejta. Ne shkruajmë shmangem, shlyej, theks, kurse sipas rregullës duhej të ishin çmangem, çlyej, thekës, por ja që ato fjalë ashtu kanë lindur, në atë formë, e ashtu kanë mbetur dhe ashtu le të rrinë. Le të udhëhiqemi nga urtësia e një fjale të urtë të anglishtes: ‘Mos u rrek të ndreqësh diçka që nuk është e prishur!’”
A nuk duket i tepruar insistimi për ta prekur shqipen, ndërkohë që problemet që lidhen me të janë krejt të tjera, duke ditur se shqipja historikisht ka qenë një gjuhë shumë e cënueshme?
“Këmbëngulja për të prekur drejtshkrimin, nxjerrja e drejtshkrimit si strumbullari i çështjeve të shqipes standarde është sigurisht e tepruar. Që në fillim të shekullit të kaluar albanologu i shquar danez dhe dashamir i madh i gjuhës e i letërsisë shqipe dhe i shqiptarëve, Holger Pedersen, pati shkruar pak a shumë kështu: ‘Thuhet se gjuha shqipe nuk ka një drejtshkrim të përcaktuar. Kjo ka qenë e vërtetë deri në vitin 1908. Por, që kur shqiptarët vendosën alfabetin e sotshëm, edhe çështja e drejtshkrimit mund të quhet e zgjidhur dhe drejtshkrimi i shqipes është po aq i përcaktuar sa dhe i mjaft gjuhëve të tjera.’ Në shumë gjuhë çështjet e drejtshkrimit lidhen në radhë të parë me alfabetin d.m.th. me përcaktimin se cilat shkronja te fjalë të ndryshme shërbejnë për të shënuar të njëjtën fonemë ose të njëjtën zanore a bashkëtingëllore.
P.sh. në italishte, që është një gjuhë relativisht e thjeshtë, bashkëtingëllorja k mund të shkruhet me shkronjat c, q, k dhe ch. Unë nuk di si ua shpjegojnë ose a ua shpjegojnë nxënësve italianë, p.sh. pse emri acqua shkruhet me cq, kurse accumulatore shkruhet me cc, kur në të dyja rastet lexohet kk. Nga jo pikëpamje shqipja jonë është shumë e thjeshtë. Dihet se anglezët dhe francezët nuk merren thuajse fare me drejtshkrimin. Shkruajnë siç kanë pasë shkruar. Problemet e drejtshkrimit nuk e kanë penguar zhvillimin e këtyre gjuhëve ndërkombëtare. Për gjermanishten, pas diskutimesh shumë të gjata me vite e vite u shpall kohët e fundit një ‘reformëz’ (Reformchen), që ka të bëjë sidomos me përdorimin e shkronjave që shënojnë fonemën /s/ dhe me ndonjë çështje tjetër teknike.
Gjuhësia shqiptare është prapa zhvillimeve të sotme në shumë drejtime. Mendoj se humbasim kohë të çmuar duke u kapur gjithnjë pas drejtshkrimit dhe çështjes nëse standardi u vendos apo jo me detyrimin e partisë-shtet”.
Profesor, si mund të mbrohej institucionalisht gjuha jonë nga vetë përdoruesit e saj? A mendoni se është problem prurja e madhe e fjalëve të huaja në shqipe?
“Çdo shtet e ka për detyrë të kujdeset për gjuhën, veçanërisht për gjuhën në përdorim publik. Kujdesin kryesor shteti e realizon nëpërmjet shkollës, ku mësimi i gjuhës amtare është një nga lëndët themelore formuese. Detyra e parë e shtetit mendoj se mbetet gjithnjë përmirësimi i mëtejshëm i mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkolla. Kjo arrihet nëpërmjet përgatitjes sa më cilësore të mësuesve në shkollat e larta, nëpërmjet kualifikimit të tyre të vijueshëm dhe nëpërmjet përmirësimit të teksteve. Pastaj ajo që prof. Kostaq Cipoja e quante disiplinë gjuhësore e shtetit, d.m.th. që nëpunësit e shtetit të kenë kulturën e duhur gjuhësore. Akademia jonë e Shkencave pati hartuar edhe një skicë të një ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe në zbatim edhe të një neni të Kushtetutës, që kërkon këtë gjë. U hartuan edhe materiale shpjeguese e sqaruese për komisionet parlamentare ku u diskutua e u miratua projekti. Me sa di unë, projekti mbeti në sirtarët e zyrës së kryetarit të Kuvendit në atë kohë, prof. Servet Pëllumbit. E ndiej veten fajtor që nuk iu drejtova vetë me ndonjë letër ose nuk kërkova takim me të. Pata besim se do ta ndiqte problemin kryesia e Akademisë.
Po çfarë do të bënte ky ligj? Ja dy shembuj të thjeshtë. Një koleg i huaj i ftuar në një veprimtari shkencore më pyeti një ditë: “A është shqipja gjuhë zyrtare në Shqipëri?” Ku do ta ketë hallin ky? - thashë me vete. Më tregoi vulat shqiptare në pasaportën e tij. Te të gjitha emrat e muajve ishin të shkruar anglisht ose italisht. Desha t’i thosha se Shqipëria nuk prodhon vetë vula të tilla, i blen jashtë, dhe prandaj ..., por e parashikova reagimin: “Pse, nuk mund t’i porositni të shkruara shqip?”. Shembulli tjetër. Në “Rrugën e Kombit” në një varg tabelash shkruhet MORINË. Në të vërtetë Morina dhe qafa e Morinës janë në rrethin e Tropojës, ndërsa fshati i Kukësit në kufirin Shqipëri Kosovë quhet MORIN – MORINI. Kush do ta korrigjojë këtë gabim trashanik (që nuk shqetëson asnjë akademik)? Kush dhe mbi ç’bazë do të urdhërojë të rishkruhet emri në tabela? Po të kishte një ligj për gjuhën, edhe ata që e shkruan, do të kishin pyetur më parë, se ndryshe mbanin përgjegjësi.
Kush do ta detyrojë administratën e shtetit që në veprimtarinë e saj të përdorë atje ku duhet shkronjat ë dhe ç (sidomos në aktet juridike), që të mos na dalin në vend të tyre e, ë dhe c. Kush do t’i detyrojë autorët e disertacioneve, shkencëtarët e ardhshëm, që disertacionet e paraqitura të jenë shkruar pa gabime gjuhësore? Vetëm një ligj mund ta bëjë. Po kështu edhe për përdorimin e fjalëve të huaja e të shtrembëruara, si fjala siguracion, që po përdoret edhe në Kuvend nga deputetët. Po ç’është siguracioni? Një marrëveshje që bëhet në shoqëritë e sigurimeve kundrejt një pagese. Po pse nëpër rrugë shikojmë gjithandej në tabela fjalën SIGURACIONE (një shtrembërim i trashë i italishtes assiccurazzione) dhe jo SIGURIME? Na duhet një ligj për të vendosur një higjienë më të mirë gjuhësore edhe si shenjë atdhetarie, edhe si shenjë qytetarie”.
Juve, keni reaguar kundër këtyre ndryshimeve. Çfarë kundërshtish keni pasur në thelb?
“Kundërshtia ime, siç kam shpjeguar, ka të bëjë me vetë organizimin e këshillit dhe me emërtimin e tij. Unë jam shprehur me kohë kundër konceptimit të këtij këshilli si organ në vartësi të dy Akademive dhe kundër emërtimit të tij, që buron nga ky organizim. Akademia jonë ka pasur për detyrë të bashkëpunonte për ngritjen e një Këshilli Kombëtar, i cili mund të funksiononte pranë akademive, por jo të varej prej tyre. Këshilli të ishte një organ që t’i vendoste vetë punët e veta.
Kryesia jogjuhësore e Akademisë së Shqipërisë nuk deshi t’ia prishte qejfin kryesisë gjuhësore të Akademisë së Kosovës, që nëpërmjet këtij organizimi synon të arrijë realizimin e ‘Orientimeve’ (sepse më vjen ndërmend gjithnjë fjala e trishtueshme ‘naçertanie’!) të saj, që është pak të quhen jo të mbara. Kryetari i atëhershëm i Akademisë së Shqipërisë, Ylli Popa, njeri shumë zemërgjerë e mirëbesues, po edhe vështrimshkurtër, shprehu një ditë mbresat e tij nga takimet me R. Ismajlin dhe B. Bokshin, që erdhën pak si befas e ‘me axhele’ (në raste të tilla momenti i befasisë ka rolin e vet) për të nënshkruar marrëveshjen për themelimin e Këshillit: ‘Atë ditë që erdhën, dukeshin shumë të shqetësuar; kur ikën ishin shumë të gëzuar.’ Ishim në një nga mbledhjet e Këshillit botues të ‘Fjalorit enciklopedik shqiptar’, kishim plot çështje për të zgjidhur dhe nuk qe e udhës të shtoja se kryesia jonë ‘e kishte ngrënë atë kokërr ulliri’ – siç thonë në Elbasan.
Natyrisht që zyrtarët e Akademisë së Kosovës do të ishin të gëzuar: në vend të një këshilli kombëtar doli një këshill ndërakademik dhe në vend të prof. Idriz Ajetit si bashkëkryetrar me prof. Shaban Demirajn (siç qe thënë paraprakisht) doli prof. Rexhep Ismajli, i njohur për interpretimet dhe qëndrimet e tij shqetësuese ndaj Konsultës Gjuhësore të Prishtinës, Kongresit të Drejtshkrimit dhe shqipes standarde.
Ky organizim ndërakademik e ka bërë këshillin në të vërtetë një organ prej dy palësh ose njëfarë komisioni ndërshtetëror, ku secila palë ka të drejtën ekskluzive të caktojë ’delegacionin’ e vet, atë që do kryesia e secilës akademi. Përveç kësaj këshilli, me këtë emërtim e organizim i ngjan një ode ku joakademikët e kanë vendin në trapazan (vendi në fund të odës së burrave, ku rrinë të rinjtë). Ç’punë kanë joakademikët në një këshill ndërakademikësh? Që t’u thuhet se ne e çmojmë punën tuaj dhe ju duhet ta ndieni veten të nderuar etj.!?
Këshilli ndërakademik është ideuar si një mekanizëm i përhershëm që hap pas hapi ose edhe me zigzage, të arrijë në fund të fundit në atë që standardi i sotëm të mbetet një kujtim i së kaluarës, që kombi policentrik shqiptar të ketë një standard me këmishë të gjerë ku çdo folës krahinor ta ndiejë veten të përfaqësuar, pra një standard policentrik. Unë nuk jam pajtuar me këtë.
Ka disa që mendojnë se mund të merremi me çështje konkrete, duke mos u dhënë rëndësi disa pohimeve me karakter të përgjithshëm. Unë nuk mendoj kështu. Qëllimi i këtij këshilli sipas idesë së atyre që e nisë (jo të atyre që e bitisën) do të ishte që të afrojë gjithnjë e më shumë formën e ligjërimit letrar në hapësirën shqiptare, që të përballohen me forca e përpjekje të bashkuara problemet aktuale të zhvillimit të gjuhës, që janë kryesisht probleme të fjalorit e terminologjisë dhe të përshtatjes (kompatibilitetit) me anglishten e me gjuhë të tjera të mëdha, me të cilat ballafaqohet shqipja e do të ballafaqohet edhe më shumë në të ardhmen”.