Zera te pavdekshem

Zëra të pavdekshëm

Madonna

Le ta nisim me një provokim: A është vërtet e nevojshme të flasim edhe një herë për femrat në botën e muzikës? Përgjigjja është: Absolutisht po, sepse pas maskës së suksesit dhe tolerancës fshihet një botë ambicioze, ku femrat kanë një rol krejt të parëndësishëm; sidomos kur lloji i muzikës del nga ato parametra që u përshtaten artisteve. Çuditërisht, muzika rok, krahasuar me atë pop, është më shumë për meshkujt. Por fakti që numri i artisteve pop është më i madh krahasuar me ato rok, nuk është pozitiv. Në vitet ‘80-‘90 artistet pop si Mariah Carey, Christina Aguilera ose Britney Spears interpretonin në mënyrë perfekte figurën e femrës seksi, duke mishëruar stereotipin e ëndrrës erotike mashkullore. Për shembull, në fillim Britney Spears shihej nga të gjithë si një "Lolitë", e cila pavarësisht se u martua "aksidentalisht", kishte disa parime të forta në vetvete, si ai për të ruajtur virgjërinë. Vite më vonë, së bashku me grupin e famshëm "t.A.T.u.", preku fundin.

Por, në këtë fushë revolucioni i vërtetë ka qenë Madonna. Ishte e para që ndryshoi imazh në muzikën pop, me albumin "Erotica", në 1992-shin. Nuk ishte më objekt i dëshirës mashkullore, si në kohërat e këngës "Like a Virgin", por subjekt femëror i dëshiruar. Që nga ai moment, Madonna ishte më shumë se një personazh i thjeshtë spektakli: u bë ikona e parë gay dhe një simbol femëror që ka bërë të reflektojnë sociologë të famshëm e artistë "intelektualë" si "Sonic Youth". Këta të fundit i kanë kushtuar një album të titulluar "Whitey Album", i cili u bë mjaft i famshëm.

Billie Holiday

Nëse bëjmë një analizë të kujdesshme që nga fillimi, jeta e femrave në botën e muzikës ka qenë tepër e vështirë. Billie Holiday, një nga zërat më të mrekullueshëm të historisë, vinte nga një situatë e tmerrshme. I ati ishte muzikant xhazi dhe qe larguar nga shtëpia kur ajo ishte ende një vajzë e vogël. Kur Billie mbushi 10 vjeçe, nëna e regjistroi në një kolegj katolik, në të cilin do të jetonte për një kohë të gjatë dhe do të dhunohej shumë herë. Për fat të mirë, një mik i familjes arriti ta nxirrte nga ai ferr pas dy vitesh dhe në 1927-ën ajo u kthye me të ëmën në Bruklin. E detyruar nga skamja dhe për të mbijetuar filloi të prostituonte. Edhe pas sukseseve të para, kur u bë këngëtarja e një grupi muzikor të bardhësh, diskriminohej. Shumë menaxherë refuzonin të bashkëpunonin me grupin, për shkak se ajo ishte zezake dhe nuk u pëlqente mënyra se si këndonte. Ishte shumë pasiononte. Kështu, u detyrua ta braktiste përgjithmonë grupin. Fitorja erdhi pasi regjistroi një nga sukseset e saj më të mëdha, "Strange Fruit". Kjo këngë u bë himn kundër racizmit. Pikërisht gjatë kohës që suksesi i saj rritej, Billie filloi të kishte probleme me alkoolin dhe drogën, derisa në vitin 1947 u dënua me 8 muaj heqje lirie. Varësia ndaj drogës vazhdoi deri në momentin kur mbylli sytë përgjithmonë, por kulti i saj - i cili vazhdon të mbetet i gjallë - e bën të pavdekshme.


Ella Fitzgerald


Edhe për Ella Fitzgerald, që sipas disa opinioneve është zëri më i madhërishëm i të gjitha kohërave, jeta nuk ka qenë e lehtë. Është rritur në një varfëri aq ekstreme, saqë nuk kishte as shtëpi deri ditën kur fitoi një konkurs këndimi. Gjatë viteve të para të jetës nuk u vu re nga asnjë menaxher dhe karriera e saj zhvillohej me ngadalë. Por gjërat ndryshuan totalisht kur takoi Dizzy Gillespie. Prej tij mësoi atë mënyrë të kënduari që e bëri të famshme.

Aretha Franklin

Edhe Aretha Franklin-it, duke qenë se ishte rritur në një familje më të bashkuar (filloi të këndonte në kishën e Detroid së bashku me dy motrat), iu desh që në fillim të karrierës të luftonte, sepse shihej me shumë dyshim nga kritikët. Nuk iu përkushtua botës së xhazit, por veten e gjeti te muzika "soul" dhe pop, duke mishëruar simbolin e krenarisë së Amerikës zezake në vitet e luftës për të drejtat civile. E paharrueshme mbetet shfaqja e saj në filmin kult, "The Blues Brothers" ("Vëllezërit Bluz"), ku këndonte këngën "Think", për të bindur të shoqin që të mos shkonte me "miqtë e tij të bardhë".

Janis Joplin

Të bardhë si Janis Joplin, gruaja e parë që u afirmua në muzikën rok. Ajo arriti menjëherë majat e suksesit, falë talentit dhe aftësisë së interpretimit. Por, fatkeqësisht, ky sukses nuk e ndihmoi të kuronte plagët e shpirtit, si për shembull të ndihej e bukur dhe të kishte vëmendjen e meshkujve, të cilët preferonin femra si Patty Bravo.

Missy Elliott

Nuk është vetëm një këngëtare e zonja, por gjithashtu edhe producente. Së bashku me Queen Latifah, ka qenë gruaja e parë që arriti të thyente portretin tipik të rrymës hip-hop me pistoleta, para dhe drogë, duke krijuar një vizion më etik e duke folur për emancipim.

Björk

Këngëtarja e famshme islandeze, Björk, një figurë tepër origjinale, është ndër të vetmet ikona që ka krijuar një mënyrë të re këndimi e që shumë këngëtarë janë munduar ta imitojnë.


Gazeta: Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama