Zeri iken nga bobinat

Zëri ikën nga bobinat

"Një zjarr i vogël djeg një pyll të tërë", citon popullin një i ri, kur shikon Dr. vjenez, i cili po dëgjon tani, prapë entuziast, një këngë vaji të grave të jugut. Ai puth majat e gishtave si të kishte kapur mes tyre vajin e jugoreve, si të shijonte diçka të ngrënshme.

Dietrich Schüller ka mbi tridhjetë vjet që drejton Fonogramarkivin e Akademisë së Shkencave të Austrisë dhe së fundi i ka prirë një projekti të rëndësishëm për arkivin audio të ish Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë.

Dje ai prezantoi bashkë me kolegët shqiptarë në Qendrën e Studimeve Albanologjike sistemin dixhital të zërave të kulturës folklorike shqiptare, të cilat janë tashmë në shërbim të të interesuarave.

Dr. Schüller erdhi për herë të parë në Shqipëri në vitin 1973, i ftuar në Festivalin e Gjirokastrës.

"Atë kohë vizitova arkivat dhe pashë thesaret tuaja aq mirë të mbajtura. Vendosëm kontakte qysh atëherë dhe së fundi u bë e mundur që të gjenim para nga Ministria jonë e punëve të jashtme dhe nga Agjencia Austriake për Zhvillim për digjitalizimin. Kjo ndodhi më 2005, u krye më 2009. Jemi krenarë që u bë në kohë dhe kaq mirë", thotë për "Shekullin" Dietrich Schüller i cili ka qenë edhe drejtues i projektit.

"Trashëgimia shqiptare ashtu si edhe trashëgimi të tjera në rajon është një traditë shumë e lashtë. Ne austriakët kemi Moxartin, Bethovenin, Hajdnin kurse ju keni këngëtarët tuaj nga Tepelena, Gjirokastra, Himara apo Shkodra dhe vende të tjera që përcjellin një larmi dhe pasuri muzikore e cila është tipike për këtë pjesë të botës. Ju keni bërë shumë për ta dokumentuar këtë pasuri dhe për ta regjistruar. Këto regjistrime janë dixhitalizuar dhe është krijuar ky arkiv."

Puna që mbetet për t'u bërë në vazhdim është digjitalizimi i arkivave të Institutit të Gjuhësisë dhe administrimi i kësaj forme të re të dokumenteve të pashkruara në një mjedis të ri dhe me një politikë të re për përhapjen e lajmit që kjo pasuri ekziston, duhet njohur se sa e çmuar është.

Çfarë përmban ky arkiv, kur janë bërë regjistrimet e para, çfarë ndryshimi ka folklori i para Luftës nga ai "i trajtuari" dhe "i kultivuari" gjatë regjimit social-komunist? Për këto përgjigjet në një intervistë, Bledar Kondi, etnomuzikolog, koordinator i projektit për dixhitalizimin e pasurisë folklorike zanore.

Çfarë periudhe përfshin trashëgimia e regjistruar në formatin dixhital?

Regjistrimet e para janë trashëguar nga Radio Tirana. 200 bobinat e para, është trashëgimia e Radio Tiranës që gjendet në të dy arkivat. Ndërsa ekspeditat e para kërkimore i referohen projektit të bashkëpunimit shqiptaro-gjermano lindor, me Doris dhe Erich Schtokman, Ëilfried Ëidler nga Akademia e Shkencave të Berlinit në vitin 57 dhe nga pala shqiptare, Ramadan Sokoli dhe Albert Paparisto. Ata kanë regjistruar 700 njësi nga veriu deri në jug, por studimin e tyre e kanë bërë për këndimin çam, me të cilin kanë mbrojtur doktoraturën në vitet 64-65.

A ka regjistrime të para luftës?

Ka edhe riprodhime të disqeve "Columbia" në vitet '20-'40, nga shtëpitë diskografike shqiptare të kësaj kohe, dhe të ansambleve si ai i Hafize Leskovikut, themeluesja e traditës së sazeve nga vjen edhe shkolla e Lulushit apo e Laver Bariut. Ka regjistrime nga vitet '20-'30 të cilat nuk e di nëse ndodhen në Arkivën e Shtetit apo në koleksione private. Në Shkodër sidomos, ka koleksione private me vlerë si për shembull koleksioni i Kol Kakarriqit.

Cili është regjistrimi më i vjetër zanor shqiptar?

Ndodhet në Fonogramarkivën e Berlinit, i vitit 1903. Duhet të jetë një melodi me çifteli dhe një këngë djepi, regjistruar nga një etnolog gjerman, Paul Treger.

Pas vitit gjashtëdhjetë si vazhdoi regjistrimi në terren?

Janë etnomuzikologët që kanë bërë regjistrime, kërkime në terren. Sistemi i centralizuar në atë kohë mbështeste 9-10 muaj ekspedita kërkimore. Kështu që kanë bredhur në çdo fshat, kanë qenë në Kosovë dhe pjesërisht tek arbëreshët e Italisë. Ka edhe regjistrime, kopje të Discoteca di Stato në Romë, regjistrime historike të vitit 54 realizuar nga Diego Carpitella dhe Ernesto de Martino, dy përfaqësues të mëdhenj të kulturës italiane.

Kur themi kërkim në terren d.m.th që shkohet në shtëpinë e një fshatari dhe e regjistron atë. Por në qoftë se kemi një ceremoni vdekje, jo kushdo mund të futet me mikrofon dhe ta regjistrojë atë. Shpesh pyetet një person se si ka vajtuar për personat e tjerë dhe në këtë rast kemi të bëjmë me një riprodhim të një ngjarje të jetuar. Ngjarje direkte rituale është e vështirë të regjistrosh, duke përjashtuar dasmat.

Unë merrem me studimin e vajeve dhe të futesh me një mikrofon në mes të grave që qajnë, je totalisht i padëshiruar. Por ekzistojnë dy forma: bashkëpunimi me informatorin dhe mikrofoni i fshehtë. Mikrofoni i fshehtë quhet shkelje e etikës dhe ndalohet në shkencë, paçka se unë e ruaj kulturën edhe duke e vjedhur në këtë formë.

Një arkiv i pasur parashikon jo vetëm sasinë po edhe larminë e regjistrimeve dhe zërave?

Aty përshihet muzika tradicionale. Ekziston një dallim esencial midis muzikës fshatare dhe muzikës qytetare. Kjo e fundit tek ne ka burime fshatarët e qytetit, trashëgiminë muzikore otomane dhe muzikën popullore të periudhës së regjimit socialist, periudhë kur ndodhi strukturimi i kulturës sipas modelit sovjetik dhe krijimi i ansambleve popullore, një model i përhapur në gjithë Evropën Lindore. Ky lloj centralizimi i ansambleve e ngriti folklorin nga fshatarja tek qytetarja dhe nga e pashkruara tek e shkruara.

E dëmtoi kultivimi folklorin?

Ky është një lloj zhvillimi të cilin disa e quajnë me termin filarmonia folklorike. Një fshatar kur i binte çiftelisë, maksimumi loste vetëm apo dy vetë, kurse ne kemi parë 20 instrumentistë, deri në 80 ka krijuar Ndue Shyti. Këto megaformacione gjigante janë produkt i kulturës dhe nuk mund të quhen më folklor.

Tashmë jemi në fazën ndërmjet muzikës artistike dhe muzikës popullore. Ka qenë maksima e Stalinit: të krijojmë një art etnik në formë dhe socialist në përmbajtje dhe ky ishte i ashtuquajtur folklori i ri, pra folklori në shërbim të sistemit që manifestonte jetën e re, njeriun e ri, që i këndonte partisë.

A ka pasur humbje arkivi?

Humbje jo, por ka një paradoks: regjistrimet më të vjetra që janë ruajtur në shirit të mirë, janë në gjendje shumë herë më të mirë se sa regjistrimet e mëvonshme, të ruajtura në shirita të dobët amatoresk.

Si do të administrohet kjo trashëgimi?

I kam bërë një propozim drejtorit të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Është më mirë që të kemi një arkiv të madh në kushte të mira, se sa shumë arkiva të vegjël në kushte të degraduara. Do të krijohet gradualisht një mediatekë. Infrastruktura u krijua nga pala austriake dhe ai është një model si në Fonogramarkivin e Vjenës dhe ajo do të jetë baza për të ndërtuar një mediatekë të kulturës shqiptare.

Në qoftëse do t'ia prezantoje dikujt pasurinë e këtij koleksion, me çfarë do ta joshje?

Si një zë që vjen nga thellësitë e kohërave, do të kisha zgjedhur gjamën e burrave të veriut, ose gjëma e burrave, nga Malësia e Dukagjinit, Malësia e Kelmendit, pjesët më të izoluara dhe ku komunitetet kanë qenë me homogjene. Ata arkivojnë tipet më arkaike.

Kur është regjistruar një e tillë dhe a ka variacione?

Është një nga modelet që është luhatur më pak, ka një qëndrueshmëri. Komuniteti di t'i ruajë shumë mirë këto rituale sepse ka qenë totalisht i izoluar dhe modeli është i tipit thirror. Tre janë modelet e muzikës: thirrja, e folura dhe e kënduara. Tipi thirror buron nga emocioni dhe quhet pathogjen, i lindur nga pathosi. Ai është modeli më arkaik.

Cili është regjistrimi më i vjetër i kësaj gjëme?

Është i vitit 1935, i regjistruar nga studiuesi i njohur amerikan Milman Parry dhe gjendet në Muzeun e Londrës. Kurse ne regjistrimin më të vjetër e kemi nga Osman Xhatufa, i vitit 1972 që është mbledhur në terren, por nuk është regjistruar në ceremoni mortore, është riprodhuar.

Së fundi dua të shtoj se mesazhi më i rëndësishëm që ne morën nën drejtimin e këtyre ekspertëve dhe gjatë bashkëpunimit me ta, që fshehur në zemër të punës së përditshme: bëj atë që mundesh, që të jesh ai që duhet!

Një projekt i tillë model me një institucion prestigjioz e me reputacion ndërkombëtar në sferën e shkencës & teknikës arkivale dhe menaxhimit të koleksioneve pa dyshim që duhet konsideruar si një ndër bashkëpunimet emblematike në historinë e Institutit të Antropologjisë Kulturore, dhe pse jo, ai mund të përdoret tash e tutje si një kartvizitë gjatë prezantimit të vetvetes, ndaj arkivave homologë dhe fondacioneve kulturore.

 

 

 

Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama