Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, pretendon se është keqkuptuar kur ka shpjeguar momentin e zëvendësimit të tij në ndeshjen ndaj Francës. Futbollisti deklaroi të dielën në darkë para kamerave të "Klan Kosova" se nuk e kishte kërkuar zëvendësimin dhe përkundrejt vendimit të De Biazit, kishte qenë gati të çonte deri në fund ndeshjen.
Por gjatë ditës së sotme, ai ka ndryshuar versionin e tij rreth kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar gjithçka një keqkuptim. "Mbasi më pyeti trajneri për me u ndërru, unë ia bëra me gishtin që nënkupton 'OK', dmth. për mos me u ndërru, se kisha dëshirë ta mbyllja ndeshjen deri në fund.
Ama, mbasi rashë në tokë, e pa trajneri që nuk po mundesha me dhënë më 100 për qind. Me gjithë dëshira kasha luajtur deri në fund, por nuk mundesha të ecja më", shpjegoi futbollisti për telesport.al.
Në fakt, menjëherë pas ndeshjes, futbollisti deklaroi për mediat se kishte qenë i dëmtuar e prandaj i kishte lënë vendin Veselit në fushën e lojës. "Po, pata probleme dhe u zëvendësova", tha ai kur u pyet për ndërrimin që pati bërë De Biazi.
Ja deklarata e tij pas ndeshjes me Francën: "Pata një dëmtim në pulpë dhe nuk mund ta vazhdoja më lojën. Nuk mendoj se dalja ime ndikoi në rezultat sepse të gjithë luftuam dhe dhamë maksimumin. Jam shumë i mërzitur që nuk e ndihmova dot skuadrën deri në fund, por i tillë është futbolli", tha Ajeti për "SuperSport".