Zgjedhjet- KQZ 17 parti politike te kthejne fondet e buxhetit te shtetit

- Kanë marrë më pak se 0.5% të votave -

TIRANË, 21 tetor/ATSH- Anila Struga/.- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri sot apel 17 partive politike, që kanë marrë më pak se 0.5% të votave në zgjedhjet e fundit vendore, që brenda datës 10 nëntor të kthejnë fondet e buxhetit të shtetit, pasi në të kundërt do të humbasin të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike, për një periudhë pesëvjeçare.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, tha se me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 21 Qershorit, KQZ vendosi rishpërndarjen e fondeve buxhetore për partitë politike, pjesëmarrëse në këto zgjedhje, bazuar në numrin e votave të fituara nga secila parti.

Në zbatim të kodit zgjedhor, sqaroi zëdhënësja, partitë politike që kanë fituar jo më pak se 0.5 % të votave të vlefshme në shkallë vendi, dhe që kanë marrë paradhënie më shumë fonde se llogaritja përfundimtare e bërë nga KQZ, sipas vendimit të këtij institucioni duhet të kthejnë fondet në buxhet.

Deri tani janë 17 parti politike të cilat ende nuk i kanë kthyer paratë edhe pasi KQZ ka përdorur të gjitha rrugët e komunkimit zyrtar për t'i njoftuar ato për detyrimin që ju ngarkon ligji zgjedhor.

Më poshtë vijon lista e partive dhe shuma që ato duhet të kthejnë:
1.Partia Demokracia Sociale 1.321.336 lekë
2.Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë 685.437 lekë
3.Partia Republikane 661.159 lekë
4.Partia Bashkimi Liberal Demokrat 538.424 lekë
5.Partia Lidhja Demokristiane e Shqipërisë 458,261 lekë
6.Partia Balli Kombëtar 237.515 lekë
7.Aleanca Popullore 83.333 lekë
8. Partia e Punës e Shqipërisë 83.333 lekë
9. Partia e Pajtimit Kombëtar 83.333 lekë
10.Partia e Reformave Demokratike Shqiptare 83.333 lekë
11.Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve 83.333 lekë
12. Partia Ardhmëria Shqiptare 83.333 lekë
13. Partia Demokracia e Re Europiane 83.333 lekë
14. Partia e të Drejtave të Mohuara 83.333 lekë
15. Partia e të Drejtave të Mohuara e Re 83.333 lekë
16. Partia Konservatore Shqiptare 83.333 lekë
17. Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 2.643 lekë

/m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama