TIRANË, 19 Shtator /ATSH- I. Vata/- Partia Demokratike përshëndet zgjedhjet politike që do të zhvillohen të dielën në Greqi dhe akuzon politikën e të majtës radikale që nxorri vendin nga proceset stabilizuese të filluara prej Nea Demokracisë.
Në emër të Partisë Demokratike, ish-kryetari i PD-së dhe kryetari i komisionit të Shëndetësise, Tritan Shehu, doli në një deklaratë për mediat sot paradite në selinë e PD-së, ku u shprehet se "Greqia nesër do të votojë përsëri në zgjedhjet e saj politike. Ishte politika populiste, radikale e majtë e Syrisa-s, që e nxorri atë vend nga proceset stabilizuese të filluara prej Nea Demokracisë. Dhe ashtu siç pritej, një rrugë e tillë e rrezikshme anti-europeiste u ndesh me aspiratat e atij vendi, çoi në destabilitet politik, konfliktualitet me partnerët dhe në kolaps qeverisës. Ishin votat e partive europeiste në Parlament, në radhë të parë të ND, që e shpëtuan Greqinë nga më e keqja fatale".
"Tashmë Nea Demokracisë dhe Meimarakis janë shumë afër fitores, fitore që do ta rifusë Greqinë e rrugën e normalitetit, europeizmit e stabilitetit, edhe në qoftëse do të jetë i domosdoshëm një koalicion i gjerë. Kjo është në interes të Greqisë, Shqipërisë, rajonit, vete BE, si dhe të emigrantëve tanë aty. Prandaj strukturat e PD në Greqi, simpatizantët tanë aty, po bashkëpunojnë ngushtë me ato të partisë sonë simotër në grupin e PPE, me ND, në këtë proces zgjedhor. Urimet më të mira Nea Demokracisë dhe të gjitha forcave të tjera te moderuara, shpirtit europian të Greqisë në votimin e nesërm", u shpreh Shehu. /a.ke/