TIRANË, 23 Tetor/ATSH/.- 39 vëzhgues nga Shqipëria do të monitorojnë zgjedhjet lokale në Ukraninë, që do të mbahen të dielën. Pjesë e këtij misioni, i inicuar nga Rrjeti Europian i Organizatave Vëzhguese të Zgjedhjeve (ENEMO), janë dy organizata shqiptare, KRIIK Albania dhe Shoqata për Kulturë Demokratike, që veprojnë në kuadër të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë (KVV).
Zgjedhjet e 25 Tetorit në Ukrainë, që përmbyllin mandatin 5-vjeçar të të zgjedhurve lokale atje, po zhvillohen me një kuadër ligjor të ndryshuar, i cili përcakton një strukturë të bazuar në tre sisteme elektorale. Përmes saj, do të bëhet dhe zgjedhja e drejtuesve të rinj vendorë në pjesën më të madhe të Ukrainës, përjashtuar rajonin e Luganskut dhe Donjeckut.
Zgjedhjet lokale të së dielës do të jenë nën vëzhgimin e 1554 vëzhguesve ndërkombëtarë, të akredituar nga 14 shtete të huaja dhe 14 organizata ndërkombëtare, në veçanti nga ODIHR, Këshilli i Europës, Parlamenti Europian, Asambleja Parlamentare e KiE-së, Asambleja Parlamentare e NATO-s, si dhe nga Misioni ENEMO./a.s/ /a.ke/