Zgjedhjet ne universitet ngrihet komisioni monitorues

Zgjedhjet ne universitet, ngrihet komisioni monitorues
Është ngritur komisioni monitorues për zgjedhjet në universitetet publike. Ky komision do të drejtohet nga zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, dhe ka në përbërje 8 anëtarë. Detyra e komisionit është kontrolli i procedurave dhe afatet e parashikuara në rregulloren e zgjedhjeve. Ai do të monitorojë hap pas hapi procesin, si dhe do të shqyrtojë ankesat e depozituara në ministri për procesin zgjedhor.

Ndërkohë bëhet e ditur se duke filluar nga dita e martë e deri ditën e diel, të gjithë ata që duan të kandidojnë për rektor, dekan, shef departamenti apo dhe poste të tjera në Universitetin e Tiranës, mund të dorëzojnë zyrtarisht dosjet e tyre, pranë Komisionit Qendror Zgjedhor të këtij institucioni. “Duke filluar nga dita e sotme (dje) kanë të drejtë të dorëzojnë aplikimet e tyre. Në rregullore është parashikuar që nga dita kur konstituohen të gjitha komisionet që do të merren me procesin zgjedhor, të gjithë kandidatët kanë kohë 6 ditë për të dorëzuar aplikimet e tyre. Kësaj radhe është vendosur se për çdo një mijë studentë do të ketë një qendër votimi. Senati i Universitetit të Tiranës ka vendosur që shumë nga ato barriera nuk duhet të ekzistojnë më.

Këtu duke marrë parasysh qoftë edhe në thonjëza, problemin e moshës që ka qenë përpara 4 vjetësh”, tha për mediat Ervin Demo, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në UT. Mes emrave të vjetër që pritet të marrin pjesë në zgjedhje do të ketë dhe shumë emra të rinj. Kjo, në veçanti për postet e dekanëve e shefave të departamenteve.

“Do të ketë kandidatura që më parë nuk kanë qenë. Kjo është krejt normale dhe është diçka e shëndetshme për vetë institucionin. Ajo çfarë duhet pasur parasysh është që nga procesi zgjedhor nëpër universitete nuk ka të humbur, që do të thotë se kjo nuk perceptohet si një fushatë elektorale që ne shpeshherë shikojmë që ka tensione të larta e të tjera me radhë dhe pas përfundimit të procesit zgjedhor ai që del fitues, fiton gjithçka dhe ai që del humbës, humbet gjithçka. Nuk funksionon kështu nëpër universitete”, tha Demo. Në Universitetin e Tiranës pritet të votojnë rreth 1 mijë persona që i përkasin stafit akademik, 400 personel administrate dhe 28 mijë studentë. Zgjedhjet në universitete pritet të mbahen në datën 20 Shkurt.

Disa nga kandidatët në Universitetin e Tiranës

Universiteti i Tiranës

Mimoza Hafizi

Dhori Kule

Fakulteti i Mjekësisë

Pëllumb Pipero

Bajram Hysa

Genc Sulçebe

Fakulteti i Ekonomisë

Omer Stringa

Andri Hoxhaj

Sulo Hadëri

Fakulteti i Drejtësisë

Skënder Kaçupi

Fakulteti i Histori-Filologjisë

Shezai Rrokaj

Valentina Duka

Fakulteti i Shkencave të Natyrës

Ilir Manollari

Mënyr Koni

Fakulteti i Infermierisë

Petrit Bare

Fakulteti i Shkencave sociale

Theodhori Karaj

Edmond Dragoti

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja

Kloteda Dibra

Nonda Varfi

Universiteti Politeknik

Jorgaq Kaçani

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama