Gjithçka është përgatitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë (KQZI). Për të siguruar një proces sa më transparent është bërë dhe printimi e shumëfishimi i fletëve të votimit gjatë ditës së djeshme, nën masa të rrepta sigurie. Më pas është bërë e mundur dhe vulosja e tyre pranë komisionit zgjedhor, ndërsa vulat janë siguruar nga Ministria e Brendshme. Kjo, në mënyrë të tillë që të shmangin çdo abuzim apo problem që mund të dalë gjatë ditës së zgjedhjeve, është shprehur Enver Roshi, kryetari i KQZI-së. Votuesit duhet medoemos të kenë me vete pasaportë ose certifikatë me fotografi për t’u identifikuar.
Procedurat
Vetëm në Universitetin e Tiranës pritet që të votojnë rreth 21 mijë studentë në të gjitha fakultetet përkatëse, e drejtë që u jepet studentëve për herë të parë këtë vit, pas miratimit të ligjit të ri për arsimin e lartë në vend. Gjithashtu, në garë përfshihen stafi i 770 pedagogëve dhe 300 të tjerë që i përkasin administratës akademike. Sipas rregullores së zgjedhjeve, përcaktuar nga Ministria e Arsimit, thuhet se të drejtën e zgjedhjes autoritetet drejtuese do ta gëzojnë vetëm për një mandat. Çka do t’u japë mundësi stafeve dhe drejtuesve të rinj të përzgjidhen vazhdimisht, duke sjellë dhe reformim të herëpashershme të këtyre strukturave universitare, në ndryshim nga procedurat e viteve të kaluara, të cilat kanë qenë për më shumë. Tri janë kategoritë që do të përfshihen në zgjedhje gjatë ditës së sotme: studentët, pedagogët dhe personeli i administratës, duke siguruar kështu një mbështetje nga të gjitha palët përkatëse për drejtuesit. Votimet do të kryhen pranë çdo fakulteti. Ndërsa procesi i zgjedhjeve për autoritetet drejtuese do të bazohet në listat e votimit, ku ndodhen të rreshtuar të gjithë emrat e kandidatëve përkatës si për dekanë, ashtu dhe për rektor. “Në çdo universitet vihet re një interes për zgjedhjet, sidomos nga stafet akademike. Konkurrenca dhe ‘lufta’ parazgjedhore është bërë në një mënyrë të kulturuar dhe përmes alternativave të kandidatëve, gjë që tregon kulturën e mbarë profesorateve dhe universiteteve në tërësi, duke qenë në garën e kandidimit për autoritetet dhe organet drejtuese më të përkushtuarit dhe më të mirët”, është cituar nga Drejtoria e Arsimit të Lartë. Lidhur me procedurën e zgjedhjeve është cilësuar se do të quhen të pavlefshme të gjitha fletët që nuk do të plotësohen në bazë të rregullores.
Vendimmarrja
Gjithashtu, po në të njëjtën ditë me zgjedhjet për dekanë dhe rektorë do të zhvillohet dhe procedura e përzgjedhjes së qeverive studentore. Nga ana tjetër, roli në zgjedhje i grupeve përkatëse do të jetë i ndryshëm për sa i përket të drejtës së vendimmarrjes.
Kështu, studentët me votën e tyre do të kenë rreth 20 për qind të totalit të përgjithshëm për përzgjedhjen e drejtuesve. Ndërsa personeli i stafit ndihmës do të ketë rreth 5 për qind të së drejtës së vendimmarrjes. Pjesa tjetër e mbetur është në duart e pedagogëve në lidhje me votën se kë do të duan në krye të këtyre institucioneve. Gjithashtu, Ministria e Arsimit ka ngritur grupet e posaçme që do të merren me monitorimin e procedurës së zgjedhjeve në fakultete, në mënyrë që të shmangen problemet që mund të lindin. Grupet e vëzhgimit janë dërguar në të gjitha këto struktura, si dhe do të monitorojnë zbatimin e rregullores së publikuar nga MASH-i në lidhje me procedurën që do të ndiqet gjatë ditës së zgjedhjeve. Nxjerrja e rezultatit do të bëhet publik pas numërimit të fletëve dhe votave nga komisioni zgjedhor dhe komisionet përkatëse të ngritura në të gjitha fakultetet. Gara më e ashpër pritet të zhvillohet për postin e rektorit të UT-së, ku janë në garë katër nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të stafeve akademike në tërë vendin.
Dhori Kule
Ndryshime rrënjësore për fakultetet
Në garë për kreun e Rektoratit të Universitetit të Tiranës është dhe ish-dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule. Në qendër të platformës së parashikuar nga Kule do të jetë përmirësimi i cilësisë mësimore dhe ambienteve në universitete. Kjo, në mënyrë të tillë që të ofrohen kushte cilësore për studentët. Gjithashtu, një pikë tjetër e rëndësishme e mbështetjes do të jetë dhe stafi akademik, i cili jo vetëm do të shtohet në përputhje me rritjen e pranimeve të studentëve, por do të mbahen parasysh dhe shpërblimi dhe mbështetja që do të sigurohet për këtë kategori. Prioritet, sipas platformës së profesorit Kule, do t’i jepet dhe shtimit e informatizimit të ambienteve në të cilat do të rrinë studentët. Parashikohet të vihen më shumë laboratorë në ndihmë të procesit akademik, si dhe literaturë më e përzgjedhur për ta. Nga ana tjetër, paralelisht do të thellohet puna për kërkimin shkencor, ku është deklaruar se kjo do të kthehet në një ndër pjesët më të rëndësishme të çdo fakulteti dhe universiteti. Pra, nga të gjitha ndryshimet që ai paraqet kërkon që arsimi i lartë në vend të jetë në ndryshim të vazhdueshëm. Parashikohen jo vetëm rritje të fondit të ekselencës, shtime të stafeve akademike, por dhe thellimi i punës për kërkimin shkencor, si pjesë integrale të çdo fakulteti. Rëndësi sipas kësaj platforme do t’i kushtohet dhe bashkëpunimit me strukturat e biznesit, në mënyrë të tillë që të afrohen sa më shumë studentët me kërkesat e tregut të punës. “Kjo pritet të ndryshojë trajektoren e proceseve dhe të përmirësojë eficiencën dhe konkurrueshmërinë në universitete, duke siguruar kështu jo vetëm kushte më komode për studentët, por dhe duke u ofruar atyre punësim të menjëhershëm pas mbarimit të studimeve. Gjithashtu, rektorati do të jetë i vëmendshëm edhe ndaj shpërblimit të stafeve akademike për punën që do të bëjnë”, është shprehur Kule.
Valentina Duka
“Siguroj studentët, pedagogët dhe punonjësit e administratës se duke dhënë votën e tyre në favor të kandidaturës time, ata do të kontribuojnë për realizimin e aspiratës së tyre për një universitet modern, demokratik dhe të hapur. Praktikisht, kjo fazë do të përcaktojë pozicionin e tij në shoqërinë shqiptare të së ardhmes”, është shprehur kandidatja Duka.
Llukan Puka
Një ndër pikat kryesore të këtij kandidati është ideja për rritjen e autonomisë universitare, kjo në përputhje me Kartën e Bolonjës. Çka do të sillte afrimin e strukturave shqiptare universitare drejt standardeve që ofrojnë vendet evropiane. Ndërkohë që deri më sot, këto struktura në vendin tonë kanë vuajtur mungesën e zhvillimeve përparuese dhe integruese.
Bardhyl Çeku
“Misioni i një universiteti është ofrimi i një standardi të lartë në arsim, studime të cilësisë së lartë, në mënyrë që studentët që arsimohen në sistemin shqiptar ta gjejnë veten kompatibël kudo që të shkojnë. Ndaj dhe orientimet e platformës fokusohen në përmirësimin dhe ofrimin e kushteve të duhura për arritjen e këtij synimi”, është shprehur Çeku.
PRANVERA KOLA : Gazeta Metropol