Zbardhet rregullorja: Si do të votohet për dekanët e rektorët e rinj
Zgjedhjet në universitete shtyjnë sezonin e provimeve për studentët. Çdo vit, për semestrin e parë, ato kanë përfunduar në shkurt, por këtë vit do të nisin në fund të tij dhe do të vijojnë gjatë marsit. “Procesi mësimor për programet e semestrit të parë dhe të dytë do të vijojnë rregullisht deri në datën 24 shkurt 2012. Sezoni i provimeve të semestrit të parë do të fillojë në datën 27 shkurt 2012”, thuhet në rregulloren e zgjedhjeve, të miratuar nga Senati Akademik i UT-së. Më 20 shkurt studentët do t’u drejtohen kutive të votuesve për zgjedhjen e akademikëve që do të jenë në krye të departamenteve, fakulteteve e universiteteve. Vota e tyre ka peshë në masën 20%, sipas formulës që përcakton ligji për shpalljen e fituesve. Në masën 75% vlerësohet vota e personelit akademik të institucionit, ndërsa stafi joakademik ka peshë në masën 5%. Rregullorja ka pësuar ndryshime. Dekanët dhe rektorët mund të rikandidojnë dhe të shpallen fitues nëse kanë një platformë bindëse.
Dje, gjatë një konference për shtyp, rektori i universitetit më të madh në vend, Dhori Kule, u bëri thirrje kandidatëve për zgjedhje të ndershme, duke kujtuar se zgjedhjet në universitet nuk do të jenë si ato politike, ku ka të humbur. Ai konfirmoi rikandidimin e tij për një mandat të dytë, çka e lejon edhe ligji i ri për arsimin e lartë pas ndryshimeve të fundit që i janë bërë. “Të gjithë do të kandidojmë dhe unë si rektor u kam bërë thirrje që të kandidojnë, sepse duhet të rikonfirmojnë nëpërmjet garës nëse kanë punuar mirë apo jo këto katër vjet në institucionin që kanë drejtuar, departament, fakultet, universitet. Kjo është në vullnetin e tyre. Unë e kam konfirmuar edhe më parë për të rikandiduar në postin e rektorit të Universitetit të Tiranës”, deklaroi rektori Kule. Brenda kësaj jave do të zgjidhen anëtarët e KQZI-së dhe anëtarët e komisionit. Përballë rektorit të Universitetit të Tiranës deri tani nuk ka një kandidaturë zyrtare. Sipas rregullores, konsiderohet fitues në postin e autoriteteve drejtues rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, kandidati që është renditur i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%. Nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short. Në rastin e një kandidature të vetme për postin e autoriteteve drejtues rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, konsiderohet fitues nëse rezultati i tij në përqindje është mbi 50%.
Kush konkurron:
Kandidati për postin e një autoriteti drejtues, duhet të plotësojë kriteret e përcaktuara në këtë rregullore dhe në ligjin “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Mund të konkurrojnë për postin e një autoriteti drejtues edhe kandidatë nga jashtë institucionit, që plotësojnë kriteret e mësipërme dhe formimi i tyre akademik përkon me ato të institucionit. Nëse kandidatë të tillë rezultojnë fitues për postin e një autoriteti drejtues, ata punësohen me kohë të plotë në postin përkatës brenda institucionit.
Kandidati për postin e autoritetit drejtues Rektor/dekan duhet të ketë së paku titullin “Profesor i asociuar”, apo të ketë gradën shkencore “Doktor” (PHD) të fituar pranë universiteteve perëndimore dhe me përvojë akademike në këto universitete.
Kandidati për postin e autoritetit drejtues – përgjegjës i njësisë bazë, duhet të ketë së paku gradën shkencore “Doktor”.
Kandidati për autoritet drejtues në UT, nuk mund të kandidojë për më shumë se një post autoriteti drejtues në të njëjtën kohë.
Nuk mund të kandidojnë për post autoriteti drejtues apo anëtar në organet drejtuese te institucionit, persona që janë duke vuajtur dënim me vendim gjyqësor të formës së prerë per vepra penale apo kundërvajtje penale ose që janë dënuar më parë për vepra penale a kundërvajtje penale.
. Kanë të drejtë të kandidojnë për post autoriteti drejtues dhe për anëtarë në organet drejtuese, persona që brenda kohëzgjatjes së mandatit të autoritetit/organit drejtues, mbushin moshën e daljes në pension. Nëse shpallen fitues, mandati i tyre ndërpritet me mbushjen e moshës së daljes në pension. Plotësimi i vendit të tij bëhet sipas përcaktimeve në pikën 3.4 të kësaj Rregulloreje.
TRUPAT ZGJEDHËSE
Trupa zgjedhëse për Rektorin e një Institucioni publik të Arsimit të Lartë përbëhet nga:
a) personeli akademik i institucionit, i cili është i punësuar me kohë të plotë.
b) personeli joakademik i institucionit i punësuar me kohë të plotë.
c) studentët të cilët ndjekin studimet me kohë të plotë në atë institucion, përfshirë edhe studentët e programeve të specializimeve afatgjata në FM.
Trupa zgjedhëse për dekanin përbëhet nga:
a) personeli akademik i fakultetit, i cili është i punësuar me kohë të plotë.
b) personeli joakademik i fakultetit, i cili është i punësuar me kohë të plotë.
c) studentët të cilit ndjekin studimet me kohë të plotë në atë fakultet, përfshirë edhe studentët e programeve të specializimeve afatgjata në FM.
Si shpallet fituesi
- Konsiderohet fitues në postin e autoriteteve drejtues Rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, kandidati i cili është renditur i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%. Nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short.
- Në rastin e një kandidature të vetme për postin e autoriteteve drejtues Rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, konsiderohet fitues nëse rezultati i tij në përqindje është mbi 50%.
- Kur asnjë kandidat nuk rezulton fitues sipas përcaktimeve të kësaj rregulloreje, brenda dy javëve nga dita e votimit, zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve midis dy kandidatëve me rezultatin më të lartë. Në raundin e dytë shpallet fitues kandidati që arrin rezultatin më të lartë. Data e zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve caktohet nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës.
- Në rastet kur në listat e kandidatëve për anëtarë të Senatit Akademik, Këshillit të Administrimit dhe këshillit të fakultetit kandidatët e renditur brenda numrit të parashikuar të anëtarëve kanë numër të barabartë votash, kandidati fitues zgjidhet me short.
- Në rast se nuk paraqitet asnjë kandidat për një post të caktuar autoriteti drejtues, zgjedhjet për këtë pozicion përsëriten pas një periudhe një vjeçare. Këto zgjedhje organizohen sipas procedurave dhe rregullave të përcaktuara në këtë rregullore.
Ankimimi
Rregullorja e zgjedhjeve për UT njeh të drejtën për ankimim lidhur me zbatimin dhe respektimin e procedurave, kritereve dhe llogaritjen e rezultateve të zgjedhjeve. “Ankimet që kanë të bëjnë me respektimin e procedurave dhe zhvillimin e fushatës së zgjedhjeve, si dhe organizimin e votimeve për të gjitha nivelet, deri ditën e votimit (përfshirë edhe këtë ditë) i drejtohen me shkrim KQZI-së, i cili, pasi e shqyrton, merr masat përkatëse”, thuhet në rregullore.
Rektori i UT: Niveli që kërkohet, i vështirë për doktoraturën
Studentët, protestë për anglishten. Kule: MASH ka shkelur ligjin
Studentët e universiteteve publike kërkojnë ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë. Ai detyron çdo student të ciklit master që para përfundimit të studimeve dyvjeçare, të mbrojë gjuhën angleze sipas standardeve ndërkombëtare. Protestat e të rinjve në këtë periudhë zgjedhjesh për drejtuesit e rinj të shkollave të larta ka ndarë më dysh edhe qëndrimet e stafeve të pedagogëve. Drejtues të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe pedagogë e cilësojnë të parakohshëm ligjin, pasi, sipas tyre, studentët shqiptarë sot kanë mangësi të theksuara me shqipen. Kreu aktual i Universitetit të Tiranës mbështet ligjin, ndërsa akuzon Ministrinë për ndërhyrje në përcaktimin e shkallës së vështirësisë së njohjes se anglishtes. Sipas Kules, niveli i kërkuar i anglishtes është i vështirë për studentët. Jo më larg se dje, studentët e Fakultetit të Shkencave të Edukimit në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, për të dytën ditë radhazi kanë zhvilluar një tubim paqësor ku motiv ka qenë ndryshimi i ligjit të arsimit të lartë, pika ku flitet për mbrojtjen dhe certifikimin e gjuhës së huaj. Studentët deklarojnë se kjo pikë e këtij ligji për mbrojtjen e gjuhës angleze rrezikon diplomimin e tyre sepse nuk janë të përgatitur për t’u testuar. Një përfaqësi studentësh ka zhvilluar një takim edhe me dekanin e këtij fakulteti, Vilson Kuri, ku ky i fundit ka deklaruar se vendimi nga qeveria tashmë është marrë, pavarësisht se ka ngërç ligjor, ndërsa ka kërkuar që të rishikohet ligji pasi vërtet studentët ndihen të rrezikuar për diplomim. “Ministria e linjës duhet të ndryshojë metodën e certifikimit të gjuhës angleze, pasi u heq të drejtën studentëve që të licencohen për ushtrimin e profesionit”, është shprehur kreu aktual i Fakultetit, Vilson Kuri. Studentët kërcënojnë me protesta masive dhe kërkojnë zgjidhjen e problemit. Ata shprehen të indinjuar se nuk do të ndalen deri ne rishqyrtim të çështjes.