TIRANË, 14 Teto/ATSH/.- Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati priti të mërkurën Ambasadoren Audrey Glover, në cilësinë e kryesueses së Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 21 qershorit në Shqipëri.
Glover i dorëzoi Ministrit Bushati raportin përfundimtar mbi vëzhgimin e zgjedhjeve.
Gjatë takimit, palët diskutuan gjetjet dhe rekomandimet e raportit, vlerësuan arritjet e shënuara dhe theksuan rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit në funksion të përmirësimit dhe forcimit të demokracisë në vend.
Ministri Bushati e vlerësoi raportin si të balancuar, që fotografon arritjet dhe identifikon sfidat që mbeten për t'u adresuar nga aktorët politikë dhe institucionet e administratës zgjedhore.
Në emër të qeverisë shqiptare, ai shprehu angazhimin për të adresuar rekomandimet, me synim konsolidimin e procesit zgjedhor në Shqipëri mbështetur në praktikat më të mira dhe angazhimet e OSBE/ODIHR-it.
Znj. Glover vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin me qeverinë shqiptare për mbarëvajtjen e gjithë misionit vëzhgues nën drejtimin e saj, si dhe shprehu angazhimin e ODIHR-it për të vijuar më tej bashkëpunimin me Shqipërinë./a.s/ /a.g/