Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e kryeministrit Taip Erdogan, ka dalë fituese e fuqishme në zgjedhjet lokale. Televizioni i Turqisë tha se pasi janë numëruar 98% të votave, AKP-ja kishte më tepër se 45%. Partia opozitare, CHP, doli e dyta me 28% të votave. Rrjeti televiziv CNN turk ka raportuar se AKP-ja e kryeministrit, Recep Tayyip Erdogan, ka fituar në Stamboll dhe duket se ka arritur fitore me diferencë të vogël në kryeqytetin Ankara.
Kryeministri turk fitoi bindshëm zgjedhjet vendore, por menjëherë pas zgjedhjeve ai e bëri të qartë se tensionet politike në vend nuk do të marrin fund. Fjalimi i fitores pas zgjedhjeve vendore ishte një shpallje lufte ndaj kundërshtarëve politikë, përzier me vetëlavdërime të forta.
“Ne kemi demokracinë, të cilën Perëndimi e ëndërron”, tha Erdogan.
Votimet e së dielës janë konsideruar si referendum ndaj kryeministrit, Recep Tayyip Erdogan, meqë partia AKP ishte në krye të qeverisë që prej vitit 2002.
Erdogani shpotiti opozitën, duke thënë se ajo "gjithmonë dështon në zgjedhje".
"Në Turqinë e re kemi nevojë për një opozitë të re”, shtoi Erdogan, i cili i ka drejtuar sytë tek zgjedhjet presidenciale të gushtit, në të cilat mund të kandidojë.
Rezultati zgjedhor nuk flet vetëm për fuqinë e AKP-së, por edhe për dobësinë e opozitës. Nëse një parti mund të fitojë kaq qartë me gjithë një skandal korrupsioni dhe ndalimin e ‘Twitter’-it dhe të ‘Youtube’, atëherë diçka nuk është në rregull me konkurrencën politike, vëren Asli Aydintasbas nga gazeta “Milliyet”, në televizionin CNN-Turk.