Zgjidhet problemi i varrezave qeveria shproneson pronaret e tokes

Zgjidhet problemi i varrezave, qeveria shproneson pronaret e tokes

Qeveria i ka dhënë zgjidhje problemit të varrezave në Tiranë. Sot është miratuar vendimi për shpronësimin e banorëve, të cilët preken nga rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave në Sharrë dhe Tufinë. Në total do të shpronësohen 10 mijë metra katrorë në Sharrë dhe 26 mijë metra katrorë në Tufinë. Ky lajm u bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili fajësoi bashkinë e Tiranës se ka zvarritur procesin e shpronësimit deri më tani.

“Sot përfundojmë një debat plotësisht të panevojshëm, aspak të shëndoshë dhe mbi të gjitha një debat që ndikoi padrejtësisht mbi sigurinë e qytetarëve. Ne gjykojmë se kjo ishte një papërgjegjshmëri dhe zvarritje e panevojshme nga ana e bashkisë së Tiranës dhe pushtetit vendor. Ishte papërgjegjshmëri e pushtetit vendor, pasi dosja për shpronësim është dorëzuar në qershor të 2013-ës, në kohën kur Ministria e Punëve të Brendshme drejtohej nga qeveria e kaluar. Fondi për kompensimin e pronarëve do të përballohet nga buxheti i miratuar nga bashkia e Tiranës. Miratimi i këtij projektvendimi mundëson zgjidhjen njëherë e mirë të situatës, dhe për të zhbllokuar ngërçin e krijuar nga bashkia e Tiranës,  mundëson likuidimin e pronarëve, si dhe mundëson realizimin e investimit të kërkuar në të dy varrezat”, -tha Tahiri.

Po sot, ministri Tahiri bëri njoftoi edhe vendimin e qeverisë se fëmijët e punonjësve të vrarë në krye të detyrës do të hyjnë në Akademinë e Policisë pa konkurs.

“Qeveria vendosi sot që fëmijët e punonjësve të vrarë në krye të detyrës, do hyjnë në Akademinë e Policisë pa kaluar në procedurat standarte”, -deklaroi Tahiri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama