Thashethemet e përhapura me këtë rast kishin të bënin me një konvertim të djaloshit në fenë hebraike, para martesës me vajzën e pasur. Këto lajme u hodhën krejtësisht poshtë nga shtypi, pra Presidentit. Ndërkohë, mbi bazën e këtyre thashethemeve, një editorialist i revistës "Charlie Hebdo" shkroi me ironi se i biri i Presidentit do të bënte "shumë përpara në jetë". Familja e Sarkozisë dhe ajo e së fejuarës së tij kërcënoi se do ta hidhte në gjyq revistën për tentativë antisemite. Botuesi i revistës, për të shmangur një histori që nuk do të vazhdonte aspak në favor të tij, i kërkoi editorialistit që të përgënjeshtronte se çfarë kishte thënë, duke kërkuar ndjesë. Por editorialisti ia ktheu botuesit me qesëndi, se më mirë të priste krahët se sa ta bënte një gjë të tillë. Pas kësaj përgjigjeje, shumë të guximshme, editorialisti 79-vjeçar u pushua nga puna dhe ai menjëherë ngriti një çështje gjyqësore ndaj revistës në të cilën ishte punësuar. Pas kësaj ngjarjeje, stafi i revistës është ndarë në dy grupe. Një grup mbështet botuesin, ndërsa një tjetër mbështesin editorialistin dhe të drejtën e tij për t‘u shprehur. Në mesin e kësaj zallamahie, djali i Sarkozisë gjen mënyrën për të bërë sërish lajm. Një muaj më parë, ai u shfaq në gjykatë, pas akuzave se e kishte ngarë motorin e tij me shpejtësi dhe se nuk kishte ndaluar kur ia kishin kërkuar. Kjo çështje ka gjasa që të mbyllet për shkak të mungesës së provave. Ndërkohë, djali i dytë i Sarkozisë e gjeti veten këtë javë në mesin e një ndërmjetësie në një çështje shpërthyese mes dy klaneve të të atit në lagjen e pasur të Haute de-Siene, në perëndim të Parisit. Bëhet fjalë për një departament në të cilin ka punuar edhe vetë Sarkozi para se të bëhej ministër. Duke qenë se bëhet fjalë për një bashki shumë të pasur edhe zënkat në lidhje me të kanë qenë të vazhdueshme për sa i përket fondeve. Zhan Sarkozi, i cili u zgjodh këshilltar lokal për herë të parë në zgjedhjet lokale në muajin mars, u gjet muajin e kaluar edhe në krye të lidershipit të grupit të qendrës së djathtë të Këshillit të Hauts-de-Seine. Disa politikanë lokalë thonë se për promovimin e të birit ka dorë vetë Sarkozi, ndërsa të tjerë thonë se Presidenti mbeti i habitur personalisht kur mori vesh për këtë hap të djalit të tij, për këtë lëvizje kaq të shpejtë dhe kaq energjike. Shumë i çuditur ka mbetur edhe presidenti i Këshillit të Hauts-de-Seine, Patrick Devedjian, një aleat i vjetër i Presidentit Sarkozi. Kandidati i propozuar prej tij e humbi betejën ndaj djaloshit Sarkozi, që është vetëm 21 vjeç.
Në dukje, në kërkim të hakmarrjes për sa ngjau, Devedjian deklaroi javën e kaluar se kishte në plan që të merrej me rastet korruptive të politikanëve të këshillit dhe atyre të partisë së Presidentit, Sarkozi. Me sa duket, fitorja e Sarkozisë së ri i ka shndërruar të dy miqtë në armiq. Pas këtyre deklaratave, politikanët e partisë së djathtë qeverisëse UMP protestuan të egërsuar, por e veçanta është se ata nuk i kërkuan ndihmë Presidenti, por djalit të tij të ri. Ky i fundit la të kuptohej përmes disa deklaratave që ishte shumë i zemëruar me Devedjianin 63-vjeçar, dikur mik i të atit. Për hir të së vërtetës, politika e lagjes së pasur pariziane ka qenë shpesh surreale. I tillë ishte edhe rasti i ngritjes së Nikolas Sarkozisë në postin e rëndësishëm në moshën 28-vjeçare në vitin 1983. Por ajo që ka ndodhur me të birin e tij 21-vjeçar i ka lënë shumë pas ambiciet dhe arritjet e të atit. Thuhet se vetë Sarkozi po përjeton shumë mëdyshje pas ngjarjeve të tilla. Nga njëra anë, ai nuk mund të mos e admirojë të birin për suksesin e tij të jashtëzakonshëm dhe të shpejtë, nga ana tjetër ai pyet veten se cili është shkaku i vërtetë i këtij suksesi. Sipas një miku të afërt të djaloshit Sarkozi, ky i fundit është me të vërtetë magjepsës: "Brenda tij ndodhet Bruti, ose edhe Caligula. Ai ka manierizimin e të atit dhe zërin e tij, veçse është shumë më shtatlartë, më i formuar fizikisht dhe ka një pamje engjëllore". ZhanSarkozi është djali i Presidentit Sarkozi dhe gruas së tij të parë me origjinë korsikane, Marie-Dominique Culioli. Ai ka një vëlla më të madh në moshën 23-vjeçare, që është një producent i muzikës pop. Të dy djemtë ishin fare të vegjël kur i ati i tyre ishte kryetar i Bashkisë së Neuilly. Gjatë kësaj kohe ai braktisi familjen, për t‘u martuar me gruan e dytë, Sesilian. Pas ikjes së të atit, djemtë e Sarkozisë u rritën në pjesën më të madhe të kohës nga e ëma, por vazhduan që të jetonin në shtëpinë e tyre dhe herë pas here të kalonin kohë edhe me të atin. Shpesh ata organizonin pasdite lojërash, veçanërisht lojërash futbolli me miqtë e tyre të përbashkët.
Për sa i përket Zhan, pas një karriere jo fort të shkëlqyer shkollore, ai vendosi që të studionte për ligje dy vjet më parë, por një nga pasionet e tij më të mëdha ishte edhe teatri. Vitin e kaluar atij madje iu ofrua edhe një rol drejtues në një shfaqje që u vu në Paris. Drejtori i teatrit u shpreh i çuditur që djaloshi i talentuar ishte i biri i Presidentit, Sarkozi, pasi Zhanishte regjistruar në emrin e së ëmës. Sipas drejtorit, ai ishte një person me një karizëm të jashtëzakonshëm, me një diksion shumë të mirë dhe mbi të gjitha me dëshirën për të mësuar dhe për t‘u përmirësuar. Sapo Presidenti Sarkozi e mori vesh që i biri kishte për qëllim që të merrte pjesë në shfaqje, ia ndaloi rreptësisht pjesëmarrjen, e cila mund të shënonte edhe zanafillën e një karriere të shkëlqyer në aktrim. E ndërsa humbi mundësinë e një loje në skenë, në marsin e këtij vitit, Zhanit iu dha një tjetër rol, por këtë herë në skenën e politikës dhe nga ana e të atit. Ai duhet të shoqëronte zyrtarin e shtypit të Pallatit Elize, një i ri i shkëlqyer në profesionin e tij me emrin David Martinon, në zgjedhjet lokale për marrjen e Këshillit të Neuilli-sur-Seine. Edhe pse Martinon nuk kishte lidhje me vendin dhe nuk kishte një përvojë të duhur politike, Presidenti Sarkozi e kishte piketuar si një kandidat të suksesshëm dhe kishte vendosur që ai duhet të ishte kryebashkiaku i ri i lagjes. Votuesit, 80 për qind e të cilëve i përkasin elektoratit të qendrës së djathtë, duhet vetëm të mbështesnin kandidatin e Presidencës. Në vend të kësaj, ata u revoltuan, sepse kandidati doli që nuk ishte ai që prisnin dhe mbi të gjitha ishte shumë i zymtë. Në këto e sipër, një sesion i partisë vendosi që të mbështete një kandidat tjetër. Ndër ata që u revoltuan ndaj kandidatit të Sarkozisë ishte edhe i biri, Zhan. Ky është edhe momenti kur i ati nisi që ta marrë seriozisht të birin, pra ta admironte nga njëra anë dhe nga ana tjetër të shqetësohej për të. Sipas njerëzve që e njohin Sarkozinë që të ri Zhan është një kopje shumë më e përmirësuar e të atit, që ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme sidomos nga zëri. Persona të tjerë që e njohin Zhan thonë se ai është shumë më i matur dhe më i qetë se i ati në moshën e tij. Ai është një person të cilit i pëlqen të ndërtojë, të arrijë konsensuse dhe për këtë e ndihmon shumë trashëgimia e së ëmës, e cila është një grua me shumë finesë dhe xhentile. Në shtator, teorikisht, Zhan do t‘i rikthehet studimeve dhe sipas thashetheme, ai nuk është ndonjë student i mirë. Sikurse edhe i ati para tij, ai nuk duket i prerë për rrugën akademike dhe se nëse do të merret me politikë duhet ta bëjë shumë shpejt. Për sa i përket marrëdhënies së tij me vajzën e sipërpërmendur, ajo nuk është një marrëdhënie e kohëve të fundit. Të dy të rinjtë janë banorë të së njëjtës lagje, bëjnë pjesë në të njëjtin rreth shoqëror. Për sa i përket asaj që u shkrua në revistë, thuhet se Zhan është lënduar shumë, por me siguri ky lëndim i parë nuk do ta ndalojë që të heqë dorë nga përfshirja në politikë, rrugëtim që sapo ka nisur për të.
Nga : Gazeta Shqip