Zhang mesuesja e tiranit

Zhang, mësuesja e tiranit

Ishte sërish aty edhe gjatë takimit që Kryeministri Çu Enlai kërkonte të bënte humor e t‘i tregonte Niksonit barsoleta për të "trashur" me të miqësinë. Zhang Hanzhi ishte gjithmonë aty, si dëshmitare e historisë. Ajo kishte një jetë të jashtëzakonshme, që e nisi në pozicionin e një fëmije të braktisur në rrugët e Shangait e shkoi në rolin e diplomates në korridoret e pushtetit të estabilishmentit kinez për të arritur pikën më të lartë në pozicionin e njeriut që i mësonte Maos anglisht. Zhang vdiq të shtunën e kaluar dhe jetoi një jetë që përbënte në vetvete një kronikë tronditëse e të turbullt të Kinës së shekullit XX. Lindi në Shangai në vitin 1935 dhe ishte fëmija i jashtëligjshëm i një shitëseje dhe një biznesmeni të fuqishëm.

Në këto kushte shanset e saj ishin të këqija që në zanafillë. E ëma ishte aq e dëshpëruar nga lindja e fëmijës së paligjshëm sa do të ishte e lumtur t‘ia jepte foshnjën njeriut të parë që do t‘ia kishte kërkuar. Qëlloi që dëshira e babait të vajzës ishte që ajo të adoptohej nga familja e një zyrtari të qeverisë nacionaliste të Kuominangut, një prej personave që shërbeu si këshilltar i zyrtarëve të lartë në periudhën postrevolucionare. Pikërisht ky ishte ndryshimi i jetës për Zhangun, e cila nga rrugët e Shangait zhvendoset në Pekin. Ajo lëvizi me familjen e saj adoptive menjëherë pas revolucionit. Në të ri lexoi shumë. Mes autorëve që preferonte ishte Sharlotë Brontë. Pikërisht atëherë ëndërronte që të bëhej romanciere ose aktore dhe kjo ishte shtysa kryesore që e bëri të regjistrohej në Universitetin e Pekinit në degën e gjuhëve të huaja.

Elegante dhe e bukur, ajo pati shans që të bëhej aktore në kolegj, duke luajtur rolin e Ofelisë së Shekspirit dhe në "Rëndësia e të qenit Ernest" e Oskar Uaildit. Ishin pikërisht ato vite gjatë të cilave perfeksionoi anglishten, atë anglishte që më vonë do t‘i hapte dyert kudo. Në vitet në vijim do të vazhdonte të luante në pjesë që trajtonin temat tabu të marrëdhënieve mes sekseve dhe moralit në vendin komunist menjëherë pas revolucionit. Pasi përfundoi studimet për master, Zhang nisi të japë mësim në universitet. Në fund të vitit 1963 shoqëroi të atin, kuratorin e një instituti kërkimesh, në një mbrëmje të organizuar për nder të datëlindjes së liderit të revolucionit, Mao, i cili në atë periudhë, nderohej si perëndi. Pikërisht gjatë darkës, Maoja i kërkoi vajzës që t‘i mësonte anglisht dhe kështu brenda pak ditësh, ata nisën të studimin së bashku. "U befasova jashtë masa kur Maoja më kërkoi që t‘i mësoja anglishten. Befas mbi shpatullat e mia ra barra që të bëja diçka të rëndësishme për një person që adhurohej nga mbi 1 miliard vetë dhe kjo nuk ishte pak", rrëfente Zhang në një intervistë në revistën "Time" në vitin 1999. Mësimi nisi me një libër esesh politike, i cili fliste për rreziqet që paraqiste për revolucionin dhe masat punonjëse revizionizmi sovjetik.

Më pas vazhdoi edhe me dreka dhe darka e me biseda të gjata, në të cilat herë pas here përmendej edhe ndonjë fjalë në anglisht. Nga sa rrëfen mësuesja dukej se Maos i pëlqenin shumë diskutimet me të, aq sa së bashku kalonin orë e orë të tëra duke biseduar. "Më bënte shumë përshtypje forca e personalitetit të tij. Ishte jashtëzakonisht inteligjent, i ditur, i arsyeshëm dhe tolerant", thotë ajo. Sigurisht që ai nuk ishte një student i rregullt, për shkak të impenjimeve të shumta në ato kohë intensive dhe plot ndryshime të historisë kineze kur kishte në duar frenat e pushtetit. Pas disa muaj takimesh, Mao i ndërpreu në mënyrë të beftë mësimet dhe Zhang pati shumë pak kontakte, por edhe ato ishin përmes ndërmjetësve. Në vitin 1976, Mao shpalli famëkeqin e mizorin Revolucion Kulturor prej të cilit mësuesja e pësoi keq. Si edhe shumë intelektualë të tjerë, ajo u akuzua padrejtësisht për spiunazh ndaj agjencive të huaja. Por me gjithë akuzat ia doli që t‘i shmangej një dënimi të rëndë, ndonjë internimi, apo edhe burgimi, të cilët nuk iu kursyen miliona intelektualëve të tjerë, përfshi edhe ekzekutimin. "Engjëlli mbrojtës" i Zhang ishte si gjithmonë Maoja, i cili ndërhynte në emër të respektit që kishte për ish-mësuesen e tij të re dhe për hir të bisedave e kohëve të kaluara së bashku. Zhang, si pjesa më e madhe e personave të arsimuar, u dërgua në "gjirin e klasës punëtore" për t‘u marrë me punë dore në një fabrikë tekstilesh, por ishte pikërisht ndërhyrja e Maos ajo që e nxori nga "ferri" dhe e rivendosi sërish në pozicionin e pedagoges së anglishtes në Institutin e Gjuhëve të Huaja në Pekin.

Por Mao nuk ndali këtu. Ai donte që vajza simpatike dhe me një anglishte të përkryer të bëhej diplomate. I famshëm për thënien e tij se "gratë mbajnë mbi supe gjysmën e qiellit", lideri i revolucionit e ndau mendjen se pikërisht femrat në diplomaci do të ishin një nga mënyrat e reja për të ecur përpara. Kështu nga bankat e universitetit, Zhang shkoi në zyrat e Ministrisë së Jashtme pikërisht në Departamentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat Mao po kërkonte të vendoste lidhje e marrëdhënie më të ngrohta. Zhang nisi një karrierë që i dha mundësinë të bëhej një nga dëshmitaret më interesante të periudhës pasrevolucionare kur Kina po tentonte që t‘i hapej botës. Ajo u bë një lojtare kyç në periudhën e themelimit të diplomacisë së re pasrevolucionare dhe njëherazi me këtë ngritje erdhi edhe martesa me njërin prej personave më të pushtetshëm të vendit. Kur ish-sekretari Amerikan i Shtetit, Henri Kisinger bëri një vizitë të fshehtë në Pekin në vitin 1971, Zhang ishte një nga dy personat që u caktuan të merrte pjesë gjatë bisedimeve dhe takimeve të rëndësishme. Zhang e përshkruan takimin si shumë interesant. Në një libër të historianes Margaret Mekmilan ajo shprehet: "Kur Niksoni takoi Maon ishte si të kishte plasur një bombë në Ministrinë e Jashtme". Ndërsa në një biografi të fundit të Maos në lidhje me Zahangun thuhet: "Ajo ishte një nga gratë e pakta që Mao vlerësonte dhe i dëgjonte fjalën". Në të njëjtin libër rrëfehet edhe kjo copëz dialogu mes Maos dhe Zhangut, pas përfundimit të një përkthimi.

Lideri i madh i zuri "pusi" në cepin e një dhome dhe i tha: "Zhang, ti nuk më ke për zemër mua!". Zhang iu përgjigj: "Si mund ta thoni këtë shoku Mao. Ju jeni në Zemrat e gjithë Kinës". Kjo ishte një përgjigje e zgjuar, ndaj së cilës Mao nuk reagoi dhe që i shpëtoi Zhangut karrierën, madje jetën. Dëshmitë e saj për kohën kur ishte një nga njerëzit më të afërt me Maon dhe liderë të tjerë të rëndësishëm, kanë ofruar të dhëna shumë interesante në lidhje me një periudhë të errët të Kinës dhe mbi të gjitha në lidhje me një periudhë që ishte shumë hermetike. Për bisedat, vendimet e pëlqimet e liderëve të rëndësishëm edhe sot dihet shumë pak në Kinë dhe vetëm historianët perëndimorë tentojnë që përmes dëshmitarëve të pa rënë si Zhang të marrin ndonjë informacion, apo të mundohen të zbërthejnë një periudhë të caktuar. Në fillim të viteve ‘70 krahu radikal i Partisë Komuniste ishte ende në pushtet. Në një incident, radikalët vendas në Shangai i bënë një pritje jo të mirë Aleksandër Haigut, ish-zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit të asaj periudhe, i cili kishte ardhur në Kinë për të përgatitur situatën për takimin e rëndësishëm ndërmjet Maos dhe Niksonit. Pikërisht raporti i Zhangut në Parti në lidhje me pritjen jo të mirë që iu bë zyrtarit të lartë amerikan, u kushtoi disa partiakëve të Shangait vendin e punës dhe madje disa edhe u burgosën.

Më vonë Zhang shkroi shumë materiale në lidhje me takimet e shumta të Maos me Kisingerin, në të cilat Mao del një lider me një karizëm të jashtëzakonshme. "Të gjitha bisedimet Mao preferonte që t‘i shoqëronte me shakara dhe barsoleta,. Një nga shakatë që fillimisht u mor për e vërtetë nga Kisingeri ishte kur Mao i propozoi që Kina të eksportonte në Shtetet e Bashkuara 10 milionë kineze, duke qenë se numri i femrave në Kinë ishte më i madh, ndërkohë që në Amerikë situata ishte e kundërt. Kur dëgjoi këtë propozim të bërë shumë seriozisht nga Mao, Kisinger u befasua, por kur pa buzëqeshjen në fytyrën e Maos, u bashkua në gazmend me të". Zhang ishte e aftë edhe të skandalizonte njerëzit si në rastin kur divorcoi bashkëshortin e 16 viteve, në vitin 1973, Burri i saj i parë ishte profesor ekonomie në Universitetin e Pekinit. Por ajo çka vërtetë i befasoi të gjithë ishte martesa e saj thuajse e menjëhershme me Qiao Guanhuan, shefi i delegacionit kinez në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe ministër i Jashtëm gjatë periudhës 1974-1976. Ai ishte një nga ministrat më me potencë kinezë të të gjitha kohërave. Vetë Qiao ishte 22 vjet më i madh se Zhang dhe i ve. Zhang fliste shumë mirë gjithmonë për bashkëshortin e dytë. Madje njëherë ajo tha se po të kishin qenë një çift i zakonshëm e jo dy persona të lidhur ngushtë me politikën, marrëdhënia e tyre do të kishte qenë shumë më e mirë dhe ata do të kishin pasur shumë më tepër kohë për të qëndruar bashkë. Rrëfimet e saj në lidhje me mënyrën se si funksiononte Ministria e Jashtme kineze në kohën e izolimit të madh janë interesante nga këndvështrimi historik për të kuptuar se sa shumë ka ndryshuar gjithçka tani në një vend që po modernizohet nga dita në ditë.

Një nga meritat e "mësuese së anglishtes" është edhe kontributi që dha për hapjen e vendit të saj dhe lidhjen e marrëveshjeve diplomatike me shumë vende të botës, kryesisht perëndimore. Pas përfundimit të Revolucionit Kulturor në vitin 1976, kur Lideri i Madh kishte vdekur dhe "Banda e të Katërve" e udhëhequr nga e veja e Maos, Jiang Qing, ishte vënë në pranga, Zhang u vu në arrest shtëpie dhe ishte në rrezik të madh për t‘u ekzekutuar me akuzën si ultra-leftiste. Megjithatë ajo ia doli mbanë që t‘i mbijetonte edhe asaj stuhie gjallë. Së bashku me të shoqin, i akuzuar se ishte një aktivist i djathtë i Gardave të Kuqe, bashkëshorti i Zhang pësoi një depresion të madh, pasi ata qëndruan në kushtet e arrestit të shtëpisë për dy vjet rresht dhe mbi të gjitha nën frikën e ekzekutimit që i qëndronte mbi krye si shpata e Demokleut. Për të shoqin e Zhang, goditja ishte e madhe dhe ai vdiq në vitin 1983, pak pasi akuzat e ngritura ndaj tij ranë plotësisht. Për sa i përket vejushës ajo iu përkushtua shkrimit të kujtimeve për vitet në korridoret dhe mbledhjet sekrete të Ministrisë së Jashtme.

Një nga librat e saj, ndër më të shiturit, quhet: "Dhjetë vjet në më pas ajo u bë presidente e Shoqatës Kineze për Zhvillimin Rural dhe ngriti një universitet për menaxhimin e hotelerisë në Shangai. Pas një jete shumë interesante, mes misterit e të fshehtave të një regjimi për të cilin ende dihet pak, Zhang vdiq një javë më parë, në moshën 73-vjeçare dhe bashkë me të u varrosën edhe kujtimet e një periudhe të tërë historike, pjesën më interesante të të cilave Zhang nuk e rrëfeu kurrë në librat e saj.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama