Por pas vizitës në këto shtete do të nisnin vështirësitë e para. Ndalesa e tij e rradhës ish parashikuar të ishte shteti i Eritreas, vend prej nga James Berisha ka humbur çdo kontakt që prej datës 15 të këtij muaj. Në faqen zyrtare të flyingforkosovo.com shkruhet se hera e fundit që James ka kontaktuar ka qenë ditën e hënë, me datë 15 gusht nga Asmara, Eritrea. Plani i tij ka qenë që të takohet me zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Eritrea dhe të mërkurën, me datë 17 të rikthehet në Sudan. Deri tani ai nuk është kthyer dhe nuk ka asnjë informacion tjetër lidhur me të. Por, duke ditur genin e tij të fortë të mbijetesës, shpresat që do ta rishohim të rimarrë fluturimet për atdheun, janë të forta.
“Në fshatin ku unë u linda, një fshat i vogël me jo më shumës e 2mijë vetë, 60 prej tyre u vranë. Im atë ishte ndër ata që u vranë. Kjo është arsyeja e vërtetë pas misionit” rrëfen Berisha. “E bëj këtë për ata njerëz që kanë luftuar për aq shumë vite, si dhe për ata që vdiqën në atë luftë!”
Cessna 172 është një aeroplan katër-vendësh, me një motor. I krijuar për herë të parë në 1955, Cessna 172 është modeli më shumë i prodhuar në botë. Jetëgjatësia dhe popullariteti, e bëjnë Cessna 172 avionin e lehtë më të suksesshëm në histori. Modelet e parë që nga 1955 janë ende në prodhim. Më 2008, numëroheshin më shumë se 43.000 Cessna të ndërtuar.
Jeta ime
Mosha: 39 vjeç (22 janar 1972)
Vendlindja: Brestovc, Kosovë
Vendbanimi: El Paso, Teksas, Sh.B.A
Jeta: Lindi në një familje të thjeshtë kosovare me prindër fermerë. Fëmijëria e tij do të ishte mëse e zakonshme, e ndarë mes shkollës fillore dhe punëve në fshat. Që i vogël, teksa shihte helikopterët të çanin plot kenari ajrin e retë, ëndërronte të bëhej pilot, dëshirë kjo që e shtyu të shkonte drejt Zvicrës për të marrë formimin e shkollimin përkatës. Gjatë qëndrimit në Zvicër Xhejsmi veç diplomës së tij në Menaxhim Hoteli iu përkushtua pa dyshim studimit për të marrë çertifikatën e Pilotit Privat Zviceran (Swiss Private Pilot Certification). Në moshën 23 vjeçare ai do ta realizonte përfundimisht ëndrrën e tij të fëmijërisë duke u diplomuar si pilot dhe instruktor fluturimi në Akademinë e Fluturimit në Vero Beach, Florida. Që prej asaj dite jeta e tij lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me pilotimin. Me shpalljen e Pavarsisë në Kosovë (17.02.2008), Xhejmsit do t’i lindte në kokë një ide, jo vetëm brilante por edhe shumë e guximshme: të shëtiste botën duke lobuar për njohjen e Pavarësisë së Kosovës edhe aty ku diplomacia e kish të pamundur të arrinte. Pranverën e vitit 2009, pilotit profesionist iu desh vetëm pak shpirt aventurieri dhe shumë atdhetarizëm që të ndërmerrte një mision të cilin ai vetë do ta pagëzonte Flying for Kosovo (të fluturosh për Kosovën).