Zhdukja e dokumenteve flet nipi i sekretarit te Themistokli Germenjit

Zhdukja e dokumenteve, flet nipi i sekretarit te Themistokli Germenjit
Dje në media janë botuar informacione sipas të cilave janë zhdukur dokumentet origjinalë të ish-Qeverisë Autonome të Korçës. Këto informacione erdhën disa ditë pasi ndërtesa historike ku më 1916 Korça u shpall krahinë autonome u shemb. Policia e Korçës ende është duke hetuar për të hedhur dritë mbi ngjarjen: kush i dha goditjen përfundimtare ndërtesës historike. Por me sa duket duhet të shtojë në hetimet e saj edhe pyetjen se ku janë materialet dhe objektet historike që kanë qenë brenda kësaj ndërtese.

Kotheraj: Gjyshi ka një kopje

“Shekulli” kontaktoi dje në linjë telefonike z.Niko Kotheraj, nipi i ish-sekretarit personal të Themistokli Gërmenjit për ta pyetur lidhur me këtë. Z.Kotheraj u shpreh: “Gjyshi im ka ruajtur një nga kopjet e dokumenteve të shpalljes së Korçës krahinë autonome. Mund t'ua dorëzojmë për ndërtesën e re që do ngrihet”. Në shtëpinë e Themistolki Gërmenjit ka patur materiale dokumentare dhe objekte të ndryshme, por në vitin 1990 që është shkatërruar “Muzeu” këto objekte kanë humbur. Mediat lokale shkruajnë se këto materiale janë vjedhur dhe janë shitur në Greqi prej vitesh. Studiuesi Kotheraj thotë se “pyetjes nëse janë shitur në Greqi apo në vend tjetër nuk mund t’i përgjigjem” dhe sipas tij “për këtë duhen pyetur personat përgjegjës, më saktë ata që duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Përplasje Muzeu-Qendra ‘Mio’

 Kurse historiani Bashkim Jahollari, ish-përgjegjës i muzeve të Korçës, thotë se deri në vitin 1990 të gjitha materialet e muzeut historik janë depozituar në qendrën kulturore “Vangjush Mio”, përfshi dhe ato të krahinës autonome. Por nga ana tjetër, drejtuesit e qendrës kulturore “Vangjush Mio” thonë se në mjediset e kësaj qendre me përjashtim të materialeve të muzeut të luftës dhe atij të kulturës popullore, nuk ndodhen objekte apo sende të muzeve të tjerë të këtij qyteti.

 Ç’thonë Bashkia, IMK, Ministria

Niko Peleshi, kryetari i bashkisë së qytetit është shprehur se “shtëpinë muze askush nuk mund ta rikthejë më në gjendjen e mëparshme. Bashkia e Korçës lejen për ndërtimin nga e para, do ta jap vetëm për një objekt sa më afër origjinalit”.  Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, shprehet se “ndërtesa e Themistokli Gërmenjit pavarësisht vlerave historike, nuk ka asnjë vlerë monumentale”. Por tashmë as këto vlera s’kanë sesi vërtetohen nëse nuk ekzistojnë dokumentet përkatëse. Kurse zv.ministri i Kulturës Abaz Hodo, deklaroi për median “rindërtimin e saj nga e para” dhe hodhi poshtë se mund të ketë pasur një degradim të ngadaltë të shtëpisë së Themistolki Gërmenjit. Sipas tij ka shembje me dashje”. 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama