Zhgenjimi dhe monotonia shkak per mungesen e besnikerise

Zhgenjimi dhe monotonia shkak per mungesen e besnikerise
Tradhtia mund të lindë edhe nga zhgënjimi, nëse nuk realizohen ato që priteshin nga martesa apo ato që ishin premtuar. Mund të lindë gjithashtu edhe nga refuzimi i vazhdueshëm apo injorimi i dëshirave të partnerit, nga qejf mbetjet që nuk diskutohen e zgjidhen por akumulohen, etj. Thellë-thellë mund të thuhet se thelbi i problemit nuk është tradhtia në vetvete, por mungesa e komunikimit mes partnerëve që i përgatit tradhtisë terrenin. Është e këshillueshme të pranohet se krizat në jetën e një çifti duhen “jetuar” e jo “evituar”. Çfarëdo që të ndodhë, duhen lënë hapur kanalet e komunikimit.

Vetëm nëpërmjet tyre mund të përballohen konfliktet, ndryshe ato janë shkatërruese. Nuk ka dyshim që tradhtitë janë një realitet i vështirë për t‘u gëlltitur. Ato provokojnë plagë të rënda shpirtërore. Fatkeqësisht nuk ka rregulla që vlejnë për të gjithë. Ka raste që tradhtia tejkalohet falë sinqeritetit, ka raste kur pikërisht ky i fundit shkatërron gjithçka. I takon vetë “tradhtarit” të vendosë nëse për jetën e tij të përbashkët është më e mirë heshtja apo e vërteta.

Kjo situatë, që tenton në mënyrë progresive të dobësojë raportin, mund të favorizojë tradhtinë. Një prej të dyve mund të marrë arratinë nga gjendja statike, duke kërkuar stimuj dhe “jetë” në një dashuri tjetër që është në gjendje t’i japë emocione tashmë të harruara në lidhjen me partnerin e tij; kërkohet tjetërkund ajo që mungon; bashkëpunimi, intimiteti, konfirmimi i të qenit ende joshës, mbështetja afektive. Ka raste që edhe kur monotonia e shkakton këtë tendencë tradhtie. Edhe kur kjo tradhti konsumohet, lidhja aktuale, edhe pse me problemet që përshkuam më lart, nuk vihet në diskutim. Shpesh nuk ekziston as forca, as dëshira për divorc. Dihet pesha e madhe psikologjike dhe problematika e dhimbshme që shkakton ky veprim në jetën e një njeriu. Pra ai që tradhton, për arsyet që thamë më lart, zgjedh të jetojë në një kompromis mes dëshirës për t’i ikur mërzisë së rutinës dhe nevojës që ende ka për dashurinë e bashkëshortit apo bashkëshortes.

Pas tradhtisë, sinqeritet

Varet nga “rregullat e çiftit”, të vendosura në mënyrë të pavetëdijshme ose jo, varet edhe nga fakti se si ka ndodhur tradhtia. Siç është thënë gjithmonë, ka tradhti që bëhen kundër tjetrit pa tjetrin dhe për tjetrin. Tradhtia kundër tjetrit mund të ndodhë në mënyrë të pacipë me miqtë e çiftit, pikërisht për t’u zbuluar më vonë. Është veprimi më i keq që mund të bëhet, i shtyrë nga hakmarrja, jo nga dashuria. Ndonjëherë janë histori që mbeten të fshehura, sepse tradhtari e jeton “brenda” hakmarrjen që e qetëson inatin e tij apo e saj. Pastaj ekzistojnë tradhtitë për tjetrin. Nuk është e rrallë në fakt që disa çifte “autorizojnë” njëri-tjetrin për lirinë seksuale kur janë jashtë territorit seksual. Kjo tradhti ekstraterritoriale (jashtë territorit) nuk duhet të zbulohet para bashkëshortit (që ndoshta e përfytyron) por para së gjithash nuk duhet të përhapet në ambientin e punës e mes miqsh, përndryshe partneri i tradhtuar do të jetë i detyruar të reagojë, të shfaqë xhelozinë siç i kërkon imazhi i tij publik.

Burrat s’duhet t’i tregojnë tradhtitë

Le të ndalemi te dilema: ta thuash apo mos ta thuash kur tradhton? Në këtë pikë këshillohet që kur është mundësia të heshtin. Një prift, Don Zilli, duke iu përgjigjur disa letrave në një revistë, përkrah idenë se burrat nuk rrëfehen, prandaj nuk duhet kurrë t’i tregojnë tradhtitë. Jo për arsye morale por sepse burrat e lidhin virilitetin shoqëror me atë seksual. Gratë sot shprehin anën e tyre femërore gjithmonë e më pak nëpërmjet mekanizmave biologjikisht “tradicionalë” si menstruacionet, apo shtatzënia duke e bazuar mbivlerësimin e tyre në atë që bëjnë me sukseset profesionale apo sentimentale. Ndërsa gratë, pra, po “shkëputen” lehtësisht nga biologjia, burrat, përkundrazi, po mbeten akoma aty. Ata e lidhin virilitetin e tyre shoqëror me virilitetin seksual. Duke parë që burrat janë kaq të lidhur me trupin e tyre është fatale kur ata futen më shumë në krizë për shkak të një tradhtie.

Zënkat dhe konfliktet në çift

Pothuajse në çdo marrëdhënie, qoftë martesë, bashkëjetesë apo lidhje në çift, ka konflikte, zënka të çastit apo edhe grindje e debate ku partnerët fillojnë të njohin anët e tjera të personit që kanë përballë. Dhe secili ka mënyrat e veta të reagimit ndaj këtyre situatave. Ka prej tyre që do të shmangeshin menjëherë, por ka dhe shumë njerëz që do të mundoheshin ta mbanin një lidhej edhe në ato raste ku ajo është e destinuar të përfundojë. Nëse lidhja e juaj është në krizë, kurse dëshironi që atë ta ruani, atëherë tentoni që t’i dëgjoni disa këshilla të psikologut, para se të vendosni që të ndaheni përfundimisht. Nëse nervozoheni dilni në ajër të pastër, sepse është e pamundur të zhvillohet dialog normal nëse jeni të revoltuar. Ka raste kur dikush ndjehet i rrezikuar të përgjigjet me sulm dhe në këto raste më së miri është që të mendohet në stilin se “jam i revoltuar, por më mirë të bisedojmë rreth problemit.

Xhelozia dhe tradhtia në martesë

Për xhelozinë thuhet se është efekt përcjellës në martesë. E ashtuquajtura xhelozi minimale duhet patjetër të ekzistojë. Vetë tradhtia nuk do të thotë automatikisht edhe përfundim të lidhjes. Sipas disa hulumtimeve të bëra në Amerikë më se 60 % e femrave i tradhtojnë burrat, kurse 40 % të meshkujve i tradhtojnë gratë. Shikuar në tërësi edhe në rastin e tradhtive lidhja mund të mbijetojë. Nëse edhe më tej, ekziston harmonia në një sistem martesor, ai do të vazhdoj së ekzistuari. Mashtrimi paraqet një formë të gjetjes së kënaqësisë të disa nevojave të caktuara, që partnerët zakonisht i fshehin prej njëri tjetrit. Nëse dëshirohet dhe ekziston vullneti, lidhja mund të shpëtohet, që do të ishte një fitore nëse ekzistojnë fëmijë, por njëherësh martesa nuk do të thotë edhe lidhje për tërë jetën, dhe në rastet kur gjithçka duket se është e rrënuar, më së miri është që secili të shkojë në rrugë të vet.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama