Armando Sadiku ka luajtur gjatë gjithë ndeshjes i vetëm në sulmin kuqezi dhe ka dhënë maksimumin për të vënë në vështirësi Francën, por edhe për të mbrojtur kur Shqipëria ishte në vështirësi. Por kjo nuk mjaftoi për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Francës, ndaj sulmuesi nuk gjente ngushëllim në përfundim të ndeshjes, duke folur për "Top Channel".
"Pësuam gol në fund. Nëse do të kishim pësuar më shpejt, edhe mund ndryshonim skema, të ishim më ofensivë. Por ta pësosh kështu, na bën të ndjehemi shumë të hidhëruar.
Ishte pak e vështirë, kemi luajtur shumë në mbrojtje. Edhe unë u mundova të jap më të mirën, me aq sa kisha mundësi. I kishim rastet tona, si në pjesën e parë në skemën në goditje këndi, ashtu edhe në pjesën e dytë kur prekëm shtyllën. Fati na la sot.
Trajneri më kërkonte që të mos kthehem shumë në mbrojtje, por duhej të ndihmoja ekipin dhe në raste të veçanta duhej të kthehem pasi dihet kualiteti i Francës.
Nuk është ky maksimumi ynë, edhe pse dihen kualitetet që ka Franca. Por ne do të luajmë shanset tona kundër Rumanisë të dielën. Do të japim më të mirën tonë. Kemi katër ditë për ta përgatitur, e dimë që po e fituam, kemi shanse më të mëdha për të kaluar grupin. Kam shumë besim te ekipi. Kemi katër ditë kohë që të ngremë moralin dhe të bëjmë më të mirën", deklaroi Sadiku.