Olivie Zhiru beson se Gjermania do të jetë lehtësisht favorite në gjysmëfinalen e "Velodrom"-it më datë 7 korrik. Por për bomberin e Francës kjo nuk do të thotë asgjë sepse vendi organizator do të hyjë në fushë për të prerë biletën në finalen e madhe të turneut, atje ku një ditë më parë do të jetë mësuar se kë do të gjejnë në finale, Portugalinë ose Uellsin: "Preferoj Uellsin për një takim me shokun tim të Arsenalit, Aron Ramsej".
Rivaliteti franko-gjerman është klasik në Europë. Gjermanët kanë statistikat më të mira ndaj Francës. Mendoni se ato do të ndikojnë në gjysmëfinale?
Kam dëgjuar se ekipi i Francës nuk e mund Gjermaninë në një turne të rëndësishëm që prej Botërorit të 1958-ës. Kjo është diçka që duhet të ndryshojë. Është një lloj rivaliteti klasik në ndeshjet zyrtare. Por unë nuk kisha lindur për t'i mbajtur mend ndeshjet e para. Megjithatë, kam disa kujtime dramatike dhe ndeshje shumë të ngushta dhe të forta për ne. Gjermania dhe Franca janë dy kombe të mëdha futbolli. Dhe për të fituar Europianin duhet të mundin njëra-tjetrën.
Do kërkoni një hakmarrje kundër Gjermanisë për kujtimin tuaj më të freskët me ta, eliminimin në çerekfinalet e Botërorit?
Ajo ishte një ndeshje shumë e ngushtë dhe e tensionuar. Ata shënuan të vetmin gol të ndeshjes me një goditje standarde. Kjo tregon se këto ndeshje i vendosin detajet. Duhet të jemi shumë të përqendruar dhe ta nisim mirë ndeshjen. Ai eliminim ishte pa dyshim zhgënjyes. Por mua nuk më pëlqen ta përdor fjalën hakmarrje. Ne duam t'i mundim gjermanët sepse ata janë skuadra më e fortë në botë.
Më 13 nëntor 2015, ditën e ngjarjeve terroriste në Paris, ju ishit në fushë me Gjermaninë. I ka ndryshuar raportet mes Francës dhe Gjermanisë ai moment?
Nuk di ta them nëse kanë ndryshuar marrëdhëniet tona prej asaj dite. Di të them se ne ishim të gjithë të prekur pas atyre sulmeve. Kam diskutuar për këtë me Ozilin tek Arsenali. Por fakti se kemi përjetuar një përvojë të vështirë së bashku kjo nuk do të na afrojë më tepër. Ne do përpiqemi që të përsëritim atë ndeshje ku i mundëm 2-0. Kjo tregon se mund t'i vëmë në vështirësi.
Do të gjeni edhe një shok përballë, Mesut Ozilin.
Është një lojtar shumë i talentuar në vizionin që ka për lojën. Është i rëndësishëm për Arsenalin dhe kombëtaren. Atij i pëlqen të depërtojë mes reparteve dhe duhet ta mbajmë në kontroll.
Përballë do të gjeni edhe Nojerin, një portier që i keni shënuar.
Është një portier i madh, por edhe ne kemi një të tillë. Natyrisht që është futbollist kyç i Gjermanisë. I kam shënuar disa herë dhe shpresoj që ta bëj përsëri. Nuk është një mur i pakalueshëm. Ne duam të shkruajmë një tjetër kapitull në historinë e futbollit francez.
Gjermania ka humbur disa lojtarë pas çerekfinales. Mendoni se do të ndikojnë mungesat e tyre?
Ata mbeten kampionët e botës dhe kanë shumë kualitete. Janë favoritë, kështu që kanë më tepër presion. Por edhe ne do të kemi. Do të jetë ndeshje e bukur.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO