Zhurmat miratohet akti normativ ne Komisionin e Veprimtarive Prodhuese
- Botuar: 13 vite më parë
- Shkruar nga:
Komisoni Kuvendor i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar ditën e sotme aktin normativ të qeverisë shqiptare për zhurmat. Akti “Për krijimin e Task Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare” parasheh ngritjen një Task Force për ndalimin e zhurmave pas orarëve të përcaktuara me ligj.
Ky akt mori miratimin e kabinetit qeveritar “Berisha” në fund të korrikut pasi u vlerësua si një kërkesë imediate për të shpëtuar nga ajo që kryemisntri e cilësoi një çmenduri sureale.
“Ky akt normativ parashikon masat më të rrepta ndaj atyre që shkeli orarin e atyre që nuk e zbatojnë. Shkarkime në detyrë për ata që nuk e zbatojnë aktin, qofshin inspektorë të mjedisit, shtetit apo policisë. Nëse dikush do të trondisë vendin dhe turistët dalin të terrorizuar nga zhurma është një fakt që u thotë turistëve mos shkoni atje se ka zhurma”,- vijoi ai. Më poshte po botojmë të plotë aktin normativ të qeverisë: Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave.
VENDOSI:
Neni 1
Krijimin e Task – Forcës në nivel qarku, për marrjen e masave të menjëhershme për përballimin e situatës së krijuar nga ushtrimi i aktiviteteve ekonomike që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara, në qendrat urbane, zonat turistike dhe bregdetare.
Neni 2
1. Task – Forca drejtohet nga Prefekti i qarkut përkatës dhe ka në përbërjen e saj:
a) Inspektorë të Njësive Inspektuese të Inspektoriatit të Mjedisit në nivel qarku.
b) Punonjës të shërbimeve të Policisë së Shtetit.
c) Inspektorë të Policisë së bashkisë ose komunës sipas juridiksionit territorial përkatës.
d) Specialistë të Institutit të Shëndetit Publik dhe të strukturave lokale të Shëndetit Publik.
e) Përfaqësues të Prefektit të qarkut.
2. Punonjësit e Task – Forcës zbatojnë detyrimet e caktuara nga legjislacioni i posaçëm dhe ky Akt Normativ.
Neni 3
1. Task – Forca ushtron aktivitetin e saj në çdo ditë të javës, duke ndaluar ushtrimin pas orarit të lejuar të veprimtarive të subjekteve fizikë e juridikë, të cilat janë burim zhurme, si dhe në rastet e njoftimit nga institucionet shtetërore apo komuniteti, për tejkalim të normave të lejuara të nivelit të zhurmës në mjedis.
2. Për mjediset e hapura orari i lejimit të veprimtarive, për ditët e premte dhe të shtunë, të jetë nga ora 19.00 deri në orën 24.00, ndërsa për ditët e tjera të javës të jetë nga ora 19.00 deri në orën 23.30, sipas normave të lejuara të zhurmës, të përcaktuara në Udhëzimin e përbashkët nr. 8, datë 27.11.2007, të Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe të Ministrit të Shëndetësisë, “Për nivelet kufi të zhurmave në mjedise të caktuara”.
3. Për mjediset e mbyllura, veprimtaria lejohet duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës të përcaktuar në Udhëzimin e përbashkët të treguar në pikën 2 të këtij neni.
Neni 4
1. Strukturat e Policisë së Shtetit, si pjesë e Task – Forcës, mbështesin ushtrimin e veprimtarisë të Inspektoratit të Mjedisit për ekzekutimin e vendimeve, për të cilat ligji i posaçëm parashikon dënime administrative plotësuese, pezullim të aktivitetit dhe sekuestrim të pajisjeve dhe impianteve të subjekteve që gjenerojnë zhurmë në kundërshtim me ligjin nr. 9774, datë 12.07.2007 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis” dhe aktet ligjore në fuqi.
2. Në rastet kur subjektet kundërshtojnë ndërprerjen e aktivitetit, ekzekutimin e vendimeve të Inspektoriatit të Mjedisit referuar pikës 1 të këtij neni, ose pengojnë kryerjen e matjes së zhurmës nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, veprohet konform dispozitave të ligjit nr.9749, datë 4.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe për rastet kur veprimet e subjekteve përbejnë vepër penale, materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor.
Neni 5
Njësitë e inspektimit të Inspektoriatit të Mjedisit në qarqe, strukturat ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore, strukturat lokale të shëndetit publik dhe Institutit të Shëndetit Publik, si dhe strukturat e Policisë së Shtetit, marrin masa të menjëhershme për zbatimin e kërkesave ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe këtë Akt Normativ, duke bashkëpunuar dhe koordinuar punën për garantimin e qetësisë publike në këto zona.
Neni 6
Ngarkohen për zbatimin e këtij Akti Normativ, strukturat e Inspektoriatit të Mjedisit, Institutit të Shëndetit Publik, strukturat lokale të shëndetit publik, njësitë e qeverisjes vendore, prefektët e qarqeve dhe Policia e Shtetit.
Neni 7
Moskryerja e detyrës së ngarkuar nga punonjësit e strukturave të treguara në nenin 2 të Aktit Normativ, konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore dhe përbën shkak për fillimin e procedurave të largimit nga detyra.
Neni 8
Pika 3.1. e Vendimit nr. 578, datë 7.07.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane dhe turistike”, shfuqizohet.
Neni 9
Ky Akt Normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare