Zhurnalet e rindertimit

Zhurnalet e rindertimit
Hapja e arkivave filmike për periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore po shfaq një lëndë të magazinuar e inventarizuar nga do të nisë një ditë strukturimi shkencor i historisë së filmit dhe kinemasë shqiptare. Kjo do t’i jepte fund atyre përcaktimeve për vlerat e kontribuesve të fushës, që përziejnë zanatçiun dhe teknikun e mirë me krijuesin, kronikanin me kinematografin. Kur të vijë ajo ditë do të jetë më e qartë se cilët përbëjnë çetën pioniere të kinemasë e të kronikës, të dokumentarit e të animacionit. Do të jetë më i qartë roli që patën kinooperatorët në gjininë e dokumentarit dhe nëse brenda dokumentaristikës filmike apo televizive e dominuar nga propaganda pati tradhtira, disidenca e derivime për art.

Janë çështje që dalin duke parë dje një kolazh nga fondi i kinooperatorit Hamdi Ferhati (Kasapi, 1918-1989), në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Projeksioni u vonua sepse midis bashkëkohësve të Ferhatit dhe të ardhurve më vonë në Kinostudio, plasën dëshmi që kundërshtonin njëra-tjetrën. Një pjesë i jepte të drejtë vetes dhe një pjesë binte në gjykime subjektive qesharake për ata që punuan në rrethanat e vështira ekonomike në periudhën e rindërtimit të vendit, që u bënë rrethana edhe të politizimit të skajshëm.

Dhimitër Lala nxënës i Hamdi Ferhatit, nuk po i pranonte ca legjenda që po ngriheshin aty për aty për mësuesin e tij. Si fjala vjen dënimi që donte t’i jepte Mehmeti (në gjuhën e përditshme ish-udhëheqësit politikë thirren me emër) pse operatori nuk u gjend në takimin e kryeministrit me fshatarë dibranë të dëmtuar nga tërmeti i ‘67-ës. Ai e sqaroi parafolësen, një formuluese e muzikës në Kinostudio, se e vërteta nuk është kështu. Se Hamdiu i gjorë nuk mbërriti dot në vendngjarje ngaqë iu prish makina rrugës (ato makina rrangallë!) e jo ngaqë nuk donte filmonte Mehmet Shehun në një takim për propagandë.

E siç ndodh kur njerëzit i deformojnë gjërat nga nostalgjia, i vënë një kapak asaj pune dhe shkrifërohen në mallëngjim. Nxënësin e kap një përmallim për allée-të e kinostudios me bar e me drurë, e nëpër to mirazhi i mësuesit që digjet.

Prandaj zemra e këtyre shtatëdhjetëvjeçarëve nuk i përballon mirë shëtitjet në ish Kinostudio. Marianthi Xhako, bashkëkohësve e Ferhatit dhe Lalës, e Mandi Koçit dhe Niko Theodhosit, shtoi nga vendi se ajo nuk shëtit më në Kinostudio ngaqë e merr të qarët.

Kështu iku ora deri sa t’i erdhi projeksioni 30 minuta nga filmimet e Ferhatit, realizuar ndërmjet viteve 1947-1963.

Ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës më 1947: Në prani të udhëheqësit të popullit, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha, zhvillohet ceremonia e inaugurimit të vijës së dytë hekurudhore Durrës-Tiranë. Punëtoria e kantierit detar të Durrësit, është përfshirë me të gjitha forcat për të shtuar sa më shumë transportin detar.

Viti 1949: “Populli shqiptar, punëtorë, fshatarë, nëpunës, ushtarë, gra, pleq votojnë për kandidatët e frontit dhe shprehin edhe njëherë dashurinë e tyre të madhe për Partinë, shokun Enver, për republikën popullore, Bashkimin Sovjetik, për Stalinin e madh.”

Një i sëmurë në barelë, me njërin sy të fashuar, ka ardhur drejt nga spitali në qendrën e votimit.

Skuadra e Ushtrisë Partizani dhe Shkodra ndeshen për kupën e kampionit të futbollit të vitit 1949. Fusha është e ashpër dhe njerëzit që ndjekin me interes të gjallë matanë rrjetës janë të shumtë. Ushtarë, të rinj, të reja elegante. Përfundon 2-1 në favor të Partizanit.

“Kinostudio kjo vepër e madhe arti e planit të 5-të pesëvjeçar, e ndërtuar me ndihmën bujare të Bashkimit Sovjetik, tregon më së miri kujdesin e partisë për zhvillimin e kulturës në masat e gjera të popullit.” Teksti i zhurnalit shoqëron imazhet e Kinostudios së re, madhështore, e bardhë, aq larg gjendjes ku është katandisur sot, si negativ i filmit që u prodhua aty.

Nga shkallët e hyrjes qendrore zbresin dy burra. Të gjithë në sallë tregojnë me gisht Hamdi Ferhatin trup vogël sikur ka veshur kostumin e një njëqindkilëshi, me një baule që i rëndon. Hipën në një makinë rrangallë, model i bukur i hapur dhe zhduket.

Pensionistët e kinemasë përmendin me zë të lartë emrat e atyre që shfaqen në ekran, në lule të moshës: U Xhanua.., e pe Xhanon? Ja Misha…, tani do dali Jani… “Teknikët tanë që kanë mësuar në Bashkimin Sovjetik punojnë në makinat automatike të filmit në Kinostudio nga më të mirat në botë… Këtu bëhet puna e parë e filmit të marrur nga operatorët… Dy salla zëri janë pajisur me aparate për të incizuar muzikën e filmave…”

Zhurnal nr. 5 1957:

“E bukur është natyra e malësisë sonë. Fshatarët e Bicajt ruajnë dhe zhvillojnë karakteristikat e veshjeve të tyre të punuara me mjaft hijeshi. Vetë gratë e fshatit merren me tjerrjen, ngjyrosjen dhe punimin e leshit…”

“Udhëtim në Algjeri dhe Marok” ku Hamdi Ferhati është autor-operator, është filmim i vitit 1963 i turneut 2-mujor të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve. Vapori “Gjergj Kastrioti” çan ujërat e Mesdheut dhe çon Ansamblin e dy vendeve miq në Algjeri dhe Marok. Mirëseardhje artistëve shqiptarë nga ambasadori shqiptar Myslym Kroi, përfaqësues të ambasadave të Kinës, të Republikës Demokratike të Koresë dhe Kubës.

“Algjeri, kryeqyteti i Republikës Demokratike e Popullore të Algjerisë. Me afro 1 milionë banorë. Qytet i kontrasteve të mëdha. Në këto pallate shumëkatëshe të ndërtuara me mundin dhe djersën e popullit algjerian, banonin kolonizatorët francezë, ndërsa zotërit e vërtetë të vendit, e ngrysnin jetën në kolibe të varfra. Por e kaluara mbeti pas. Kolonizatorët u shporrën. Sot e tërë bota e njeh Algjerinë shtet të lirë e sovran.”

Ansambli ndiqet nga me sallat plot. Besim Zekthi është i papërshkrueshëm në skenë. “Vallja e shqipeve”, “Vallja e gështenjave” nën ritmin e daulles dhe forcën e goditjeve të daulles duken një kërcim shpërthyes tribush. Këngëtari Ibrahim Tukiqi me këngën “Ah Gjyle”, fiton admirim e spektatorëve, ndërsa Qemal Kërtusha me vaj-vaj-in nga Kavaja.

Filmimit të xhamive në Algjer dhe Kazablanka duket t’iu ketë dhënë më shumë kohë operatori. Kuadri është në detajuar dhe informacioni më i zgjedhur.

Më shumë se një herë në homazhin e Hamdi Ferhatit bashkëkohësit e tij përmendën dimensionin e tij të spikatur fetar dhe gjenin njëfarë lidhje midis fetarisë së tij myslimane dhe vullnetit të tij për zanatin.

Në vitet dymijë, kur po zbuloheshin familjet shqiptare që shpëtuan familje herreje gjatë LDB, u dokumentua kontributi i familjes Kasapi, i Hamdiut vetë dhe nënës së tij Zyrhasë në strehimin e familjes së Mose Frances, në vitet 1943-1944.

Këtë kontribut po e kujtojmë me rrëfimin që Adile Kasapi, bashkëshortja e Hamdiut ka bërë në librin “Besa: Muslims Who Saved Jews in World War II” 2008, të autorit Norman  Gershman.

Biografi

Hamdi Ferhati u lind në Tiranë më 23 shtator 1918. Së bashku me bashkëkohësin operatorin Mandi Koçi, xhiruan të parat kinokronika pas çlirimit të vendit në vitin 1947. Më 1947-‘48 xhiroi dokumentarin e tij të parë “Hekurudha Durrës-Tiranë”. Gjatë punës në Kinostudio xhiroi qindra suzhete kronikash, punoi si bashkautor realizues i dhjetëra kinoditarëve dhe xhiroi në mënyrë autonome 90 filma kronikalë e dokumentare ndër të cilët “Qyteti i 1000 dritareve” me regji të Marianthi Xhakos 1959, “Kënga e Rozafës” 1960, “Teatri ynë” 1964, “Furra” 1970, etj.. Për veprimtarinë e tij të gjerë si kameraman në Kinostudio, si fotoreporter në ATSH etj., iu akordua titulli “Hero i Punës Socialiste”. Vdiq në Tiranë më 1989.

Kujtesë nga nxënësi Dhimitër Lala

“Isha operator asistent i Hamdi Ferhatit më 1956. Hamdiu më jep aparatin për të xhiruar në pritën e Gjadrit. Ky ka qenë një aparat sovjetik i Luftës së Dytë Botërore me zemberek që merrte 30 metër film. Dhe filmi nuk mbushej në sy sepse nga drita digjej, por duhej të fusje duart dhe “duart t’i kishe me sy”. Në vitin 1957 erdhën aparatet Harry Flex, modernë, të mirë… Hamdiu ka qenë ndihmës punëtor me një operator italian në Radio Tirana. Kur Italia fashiste kapitulloi, italiani iku dhe aparatin ia la Hamdiut. Atëherë ai filloi të xhironte vetë dhe ka xhiruar ardhjen e qeverisë nga Berati, prandaj është Hero i Punës Socialiste…

Tri gjëra duhet të mbajë parasysh operatori, më thoshte: kompozimi i kuadrit, intensiteti i dritës dhe fokusi duhej të ishte i qartë. Këto tri gjëra m’u ngulitën në mend dhe vazhdova.”

Fëmijët

Fëmijët e Hamdi Ferhatit, Nexhmi, Meliha dhe Naim kanë qenë shikues të rregullt të xhirimeve të babait. “Kam qenë 10 vjeç kur kam ndjekur nga afër  realizimin e dokumentarit për 10-vjetorin e Teatrit Popullor. Aty gjen të filmuar figura artistësh të jashtëzakonshëm si Pandi Stillu, Loro kovaçi”, tregon Nexhmiu. “Vërtet ai ishte Hero i Punës Socialiste por s’ka qenë asnjëherë komunist, sepse ka qenë një person fetar dhe e ndante politikën nga veprimtaria e tij që ishte një detyrim patriotik.”

Djali i madh ruan një arkiv fotografik të të atit, nga më të hershmit, fotot historike, të hyrjes së Enver Hoxhës në Tiranë, me Omer Nishanin përkrah.
 
Kasapët shpëtuan familjen hebreje Franses

“Hamdiu dhe Zyrhaja ishin që të dy besimtarë myslymanë. Ata besonin që është detyrë morale e çdo njeriu që të ndihmojë të tjerët. Feja ishte pjesë e edukimit tonë familjar. Për ne, as që nuk mendohej të denonconim hebrejtë të cilët kishin aq shumë nevojë për përkrahje, por pesëdhjetë vjet komunizëm na holluan ndjenjat e larta.

Burri im, Hamdi Kasapi, vdiq në vitin 1989. Ai ishte kineast dhe i dalluar si “Hero i Punës Socialiste”. Ai dhe nëna e tij, Zyrhaja, janë nderuar nga Yad Vashem si “Të

Drejtët Ndër Kombe”. Unë edhe dy djemtë e mi, ruajmë akoma kujtimin e ndihmës që Hamdiu dhe Zyrhaja i dhanë familjes çifute të Mose Frances, gruas, dy fëmijëve dhe mamasë së tij. Ata erdhën nga Shkupi i Maqedonisë dhe ne i strehuam në shtëpinë tonë, në Tiranë. Hamdiu e njihte gjuhën maqedonase. Familja e Mose Frances u strehua nga ne për dy vjet. Njëherë ata qëndronin tek apartamenti ynë i vogël në Tiranë dhe më pas ne i ndërronim vendin për t’i fshehur në shtëpinë e disa shokëve tanë në fshatin fqinj, Babru. Ishte shumë e vështirë, sepse ne kishim vetëm dy dhoma.

Në vitin 1944, terrori gjerman kishte arritur kulmin e tij. Bëheshin kontrolle në çdo shtëpi të Tiranës, por ne i kishim dhënë familjes hebreje emra dhe rroba shqiptare dhe i kishim strehuar në Babru për t’i mbajtur më të sigurt. Një ditë, znj. Frances bashkë me fëmijët e saj erdhën nga shtëpia e Babrusë për të na vizituar, por u detyruan të kalonin natën në shtëpinë tonë, sepse kishin frikë nga patrullat gjermane. Atë natë, gjermanët trokitën edhe në derën tonë. Znj. Frances doli nga dera e prapme e shtëpisë, për tu fshehur në shtëpinë fqinje. Ndërsa fëmijët u futën në krevate bashkë me fëmijët e familjes sonë. Gjermanët e goditën Hamdiun deri sa ai mbeti pa ndjenja, më pas ata u larguan. Fëmijët e Mose Frances e panë me sytë e tyre brutalitetin, me të cilin gjermanët keqtrajtuan mbrojtësin e tyre. Ata e mbijetuan luftën dhe u kthyen në Maqedoni.

Në vitin 1948, ata emigruan për në Izrael. Ne humbëm çdo kontakt me ta deri në vitin 1990, kur shqiptari i parë që mori çmimin e “Të Drejtët Ndër Kombe”, Refik Veseli, u lidh në Izrael edhe me fëmijët e Mose Frances: Mercelin dhe Esterin. Por kjo ndodhi pasi kishte vdekur i ndjeri Hamid.”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama