Kjo është hera e katërt që monumenti, i punuar nga Odise Paskali dhe i vendosur fillimisht rreth viteve 1932-1933 në një nga qendrat e qytetit të Korçës, zhvendoset pa gjetur një vend stabël. Monumenti që simbolizon përpjekjet për liri dhe pavarësi dhe që si në shumë vende njihet edhe si “Ushtari i Panjohur”, ka qenë i vendosur fillimisht në sheshin përpara ish-turizmit të qytetit. Më pas, monumenti u zhvendos te sheshi tjetër kryesor në qendër të Korçës, ku erdhi zhvendosja e dytë. Këtu u projektua të vendosej një bust i Enver Hoxhës, dhe “Luftëtari Kombëtar” zbriti sërish në fund të bulevardit kryesor të qytetit. Një tjetër vendim i bashkisë vite më parë bëri që monumenti të transferohej përsëri në sheshin para katedrales, ku së bashku me këtë objekt kulti kanë identifikuar qytetin e Korçës për shumë vizitorë vendas e të huaj. Sipas bashkisë, monumenti do të zërë një vend që i takon te muzeu i “Mësonjëtores së Parë Shqipe”.
Pavarësisht vendimit të bashkisë, që prek një vlerë historike dhe simbol të qytetit, monumenti ka përfunduar përkohësisht i magazinuar dhe nuk bëhet ende e ditur saktësisht se ku do të vendoset. Zërat e përhapur pak kohë më parë për zhvendosjen e monumentit të “Luftëtarit Kombëtar” solliën reagime nga Prefektura e Korçës, e cila e konsideroi vendimin si të papërshtatshëm dhe që cenon simbolet e qytetit të Korçës, por bashkia nga ana e saj, pas një qëndrimi të përkohshëm në heshtje, dje ka vënë në lëvizje punëtorët dhe mjetet për heqjen e tij. Më pas është shembur edhe bazamenti, ku lartësohej busti, për të mos lënë asnjë gjurmë të kësaj dëshmie kulturore në qendrën e qytetit. Shumë prej banorëve korçarë kanë reaguar për këtë zhvendosje të përsëritur të monumentit të “Luftëtarit Kombëtar”, duke e konsideruar nismën e bashkisë si një tjetër ndërhyrje të dëmshme që prish vlera historike dhe artistike, që tjetërsojnë simbolet e qytetit.
Nuk dihet ende nëse bashkia ka menduar më parë një vend më të përshtatshëm për vendosjen e bustit, pasi, siç flitet jozyrtarisht, vepra do të vendoset në vendin ku e ka pasur zanafillën. Zbatimi i projekteve të bashkisë për rikonstruksionin e qendrës së qytetit ka prekur tashmë jo vetëm sheshin para ish-kinema “Morava”, ngushtimin e rrugëve të qendrës së qytetit, por edhe zhvendosjen e monumenteve historike, pasi projektet parashikojnë që në vend të tyre të ngrihen ndërtesa shumëkatëshe.