Zhvillimi ekonomik po shkaterron Token

Zhvillimi ekonomik po shkaterron Token

Kur flitet për zhvillimin ekonomik në kohët e sotme, theksohet edhe zhvillimi i qëndrueshëm ose "zhvillimi jeshil". Por sa e mundur është një gjë e tillë duke parë zhvillimin e ekonomisë? Me projektin e saj Energiewende (Kthesa Energjetike), kalimi nga energjia nukleare tek energjia e rinovueshme, Gjermania kërkon të rrisë gradualisht prodhimin e energjisë nga dielli, era dhe uji. Disa thonë se është një hap i rëndësishëm drejt një mënyre jetese më të qëndrueshme, por sipas Karl-Heinz Paque jo.

"Nëse ne bëjmë këto gjëra në Gjermani, kjo nuk do të thotë se do të ketë një impakt global. Ne jemi shumë të vegjël për këtë. E rëndësishme është se çfarë do të ndodhë në ato vende që janë duke përjetuar zhvillim ekonomik", thotë për DW Paque, i cili është profesor ekonomie në Universitetin e Magdeburgut.

A duhet që këto vende të ndjekin hapat e vendeve Europiane? Për shekuj me radhë europianët menduan më parë për zhvillimin ekonomik dhe pasurimin e më pas për mbrojtjen e mjedisit. Në Gjermani mbrojtja e mjedisit ka nisur në vitet 70', në Kinë sapo ka nisur, ndërsa në Indi ky proces duket se do të jetë i gjatë.

Rikthimi tek qymyri

Ambientalistët europianë janë nervozë. Në të gjithë botën është duke u zhvilluar përftimi i energjisë nga qymyri, çka në Europë konsiderohet e pistë. "Qymyri është duke përjetuar një rilindje në historinë e ekonomisë", thotë Ottmar Edenhofer, Drejtor i Institutit për Studimet e Efekteve në Klimë në Potsdam.

Në vitet 90', shumë vende zëvendësuan qymyrin me gaz, por tani ky trend është duke u përmbysur. "Mbi të gjithë rritja ekonomike e Kinës është mbështetur tek qymyri i lirë. E njëjta gjë vlen edhe për Indinë, Afrikën e Jugut dhe vendet e Europës Lindore", shton ai.

Për shkak të emetimit CO2 nga djegia e qymyrit, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë temperaturat do të rriten me 5.3 gradë në fund të shekullit dhe nuk është duke u marrë asnjë masë.

Duhet një marrëveshje

"Vetëm një marrëveshje globale për klimën do të çonte drejt një reduktimi të konsumimit të qymyrit dhe naftës", thotë Carl Christian von Weizsacker nga Instituti për Studime të të Mirave të Përbashkëta Max Planck në Bonn.

Pas dështimit të bisedimeve të Kombeve të Bashkuara për klimën në Kopenhagen në vitin 2009, shanset për të arritur një marrvëshje, sipas ekspertëve, janë të pakta.

"Diferencat e mëdha, për shembull mes Afrikës dhe Europës, ose Afrikës dhe Amerikës, nuk do të pranohen", thotë Ottmar Edenhofer, duke iu referuar studimeve të kryera nga instituti që ai drejton. .

Shumë pak vende do të bien dakord për një marrëveshje të tillë, sepse do të kufizonin rritjen ekonomike. "Në mënyrë që Afrika të arrijë standardet e jetës në Amerikën Latine, SHBA duhet të reduktojë kapitalin e saj për të ardhurat në masën 80 %. Pra konfliktet sociale janë të sigurta", thotë ai.

Përpjekjet rajonale, si ajo e kufizimit të emetimeve në vendet e Europës, funksionojnë pjesërisht ose pothuajse fare. Prandaj shumë ekspertë thonë se njerëzimi është duke shkuar drejt një apokalipsi.

Ekonomisti Karl-Heinz Paque, sidoqoftë është mjaft i kujdesshëm për skenare të tilla, sepse sipas tij është e pamundur të parashikohet e ardhmja. "Parashikimet që janë bërë për të ardhmen e botës në vitin 1913, janë bërë në bazë të zhvillimit teknologjik të asaj kohe.

Por zhvillimi që ndodhi në brezat mëvonshëm as që mund të imagjinohej në atë kohë, prandaj ne duhet të jemi të kujdesshëm me parashikimet tona. Nuk duhet të ketë panik, njerëzit do të gjejnë gjithmonë një zgjidhje", thotë ai.

Intervistat për këtë artikull u morën gjatë një eventi të organizuar nga Akademia për Edukim Civil në Tutzing, Gjermani.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama